Botë

SHBA-ja do të reduktojë fluturimet në 40 aeroporte, paralajmëron sekretari i Transportit

SHBA fluturimet

Foto: Associated Press

Sekretari amerikan i Transportit, Sean Duffy ka paralajmëruar se do të ketë një ulje prej 10% të kapacitetit të udhëtimit ajror në 40 aeroportet kryesore të SHBA-së duke filluar nga e premtja në mëngjes, nëse mbyllja e qeverisë vazhdon.

Vendimi u mor sepse kontrollorët e trafikut ajror kanë raportuar probleme me lodhjen, ka thënë kreu i Administratës Federale të Aviacionit (FAA) në një takim informues me Duffyn të mërkurën.

"Është e pazakontë, ashtu siç është e pazakontë mbyllja, ashtu siç është e pazakontë fakti që kontrollorët tanë nuk janë paguar për një muaj”, ka thënë shefi i FAA-s, Bryan Bedford. 

Gjatë mbylljes, tani më e gjata në historinë e SHBA-së, kontrollorët janë detyruar të vazhdojnë të punojnë pa pagesë, duke bërë që disa të lajmërohen të sëmurë ose të marrin punë të tjera.

Reduktimet e fluturimeve do të jenë graduale, duke filluar nga 4% e fluturimeve vendase të premten, duke u rritur më pas në 5% të shtunën dhe 6% të dielën, përpara se të arrijnë në 10% të plotë javën tjetër, ka raportuar Reuters pas njoftimit, duke cituar katër burime të paidentifikuara.

Emrat e aeroporteve të prekura - të gjitha me nivel të lartë të fluturimeve, do të publikohen të enjten, kanë thënë zyrtarët.

Anulimet mund të ndikojnë 3,500 deri në 4,000 fluturime në ditë.

E American Airlines, transportuesi i dytë më i madh në Amerikën e Veriut, ka thënë përmes një deklarate se po priste informacione shtesë nga FAA-ja në mënyrë që të përcaktonte se cilat fluturime do të anuloheshin. 

Ndërkaq, një zëdhënës i Southëest Airlines, i katërti më i madh, ka thënë në një deklaratë se kompania ende po vlerëson se si kufizimet e fluturimeve do të ndikojnë në shërbimet e saj dhe do t'i njoftojë klientët sa më shpejt të jetë e mundur.