Kryeministri Albin Kurti gjatë një takimi me nënsekretaren e Departamentit të Shtetit amerikan për Çështje dhe Diplomaci Publike, Elizabeth Allen, ka shprehur shqetësimin e tij mbi kërcënimet e vazhdueshme të Serbisë ndaj shtetit të Kosovës.
Ai ka thënë se autori dhe lideri i grupit të terroristëve dhe paramilitarëve që ekzekutuan sulmin në Banjskë, Millan Radoiçiq, vazhdon të jetë i lirë në Serbi.
Kurti po ashtu ka shprehur keqardhjen që nuk ishte përfshirë në agjendën e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës për 17 maj, aplikimi i Kosovës për anëtarësim në këtë institucion.
“Në takim u diskutua edhe për raportet Kosovë-Serbi dhe procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Për këtë çështje, kryeministri Kurti theksoi rëndësinë e zbatimit të plotë e të pakushtëzuar të marrëveshjes bazike dhe aneksit të saj. Sa i përket rrugëtimit të Kosovës në integrimet evropiane, kryeministri Kurti shprehu keqardhjen e tij që Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës nuk pati gatishmëri ta përfshijë Kosovën në agjendën e votimit të 17 majit, duke marrë parasysh se Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret e anëtarësimit. Gjatë bashkëbisedimit, kryeministri Kurti e njohu nënsekretaren Allen me zhvillimet në vend, progresin në sundimin e ligjit, politikat sociale që mbështesin gratë dhe fëmijët, reformën në arsim me qëllim ndërlidhjen e arsimit me tregun e punës, dhe politikat dhe investimet në energji”, u tha nga Zyra e Kryeministrit.
Kurti tha se SHBA është aleati dhe partneri historik i Kosovës dhe pret fuqizimin e raporteve reciproke në të ardhmen, veçanërisht në fushën e ekonomisë dhe tregtisë.
Ndryshe, sot gjatë ditës, Republika e Kosovës dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës nënshkruan një marrëveshje të mirëkuptimit kundër manipulimit të informacionit nga shtetet e huaja.
Allen në takim me Kurtin: Kosova e ka vendin në BE dhe NATO
Nënsekretarja e SHBA-së për Diplomaci Publike, Elizabeth Allen, ka njoftuar nëpërmjet platformës “X” për takimin që ka pasur sot me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Allen ka thënë se Kosova i takon BE-së dhe NATO-s dhe se pret zbatimin e plotë të gjitha marrëveshjeve që kanë bërë Kosova dhe Serbia në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian.
“Vlerësoi diskutimin gjithëpërfshirës me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Kosova e ka vendin në BE dhe NATO. Ne kërkojmë zbatimin e plotë të të gjitha marrëveshjeve që kanë bërë Kosova dhe Serbia në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, ka shkruar Allen.
Appreciated the insightful discussion with Kosovan Prime Minister @AlbinKurti. Kosovo belongs in the EU and in NATO. We look for full implementation of all agreements Kosovo and Serbia have made under the EU-facilitated Dialogue. pic.twitter.com/gfHr0RQvh5
— Liz Allen (@UnderSecPD) May 19, 2024