Kryeministri Albin Kurti e ka njoftuar sekretaren për Punë të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Yvette Cooper, për kërcënimet e Serbisë.
Në një njoftim nga Zyra e Kryeministrit është bërë e ditur se gjatë takimit në Londër, Kurti ka përsëritur edhe parakushtet për vazhdimin e procesit të dialogut.
“Kryeministri Kurti e informoi Sekretaren Cooper për kërcënimet e vazhdueshme nga Serbia, me mbështetjen e Rusisë, përfshirë operimin me 48 bazat ushtarake të përparme operacionale përreth kufirit me Kosovën. Lidhur me dialogun me Serbinë, ai përsëriti tri parakushtet për vazhdimin e procesit: dorëzimin nga Serbia të kryekriminelit Milan Radoiçiq, tërheqjen e letrës së ish-kryeministres Bërnabiq, dhe nënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit. Kryeministri theksoi se Kosova është e përkushtuar për normalizim të plotë të marrëdhënieve me Serbinë nëpërmjet një marrëveshjeje ligjërisht obliguese të bazuar në njohje të ndërsjellë”, thuhet në njoftim.
Në komunikatë është thënë se Kurti i ka vlerësuar si të forta dhe qëndrueshme marrëdhëniet mes dy shteteve. Ai ka thënë se Mbretëria e Bashkuar është partnere kyçe strategjike.
Në takim është folur edhe për investimet në mbrojtje e ushtrimet e përbashkëta të ushtrive.
Kurti e ka vlerësuar procesin e zbatimit të plotë, gradual dhe pa përjashtime të Ligjit për të Huajt. Kurti ka thënë se anëtarësimi i Kosovës në NATO dhe Bashkim Evropian janë thelbësore për sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin afatgjatë.
-
Kurti – Cooperit: Partneriteti me Britaninë, kyç për mbrojtje nga lufta hibride e Rusisë
-
Kurti për dialogun: Pa u dorëzuar Radoiçiqi e tërhequr letra e Bërnabiqit s’ka takim të nivelit të lartë
-
Kurti: S’po kërkojmë rrugë të shkurtra, as derë të pasme, vetëm proces meritor për integrim në BE
-
Kurti takon Whitakerin: Përshpejtimi i anëtarësimit në NATO, garantues për sigurinë në Ballkan
-
Kurti në Londër: S’ka vend për relaksim pasi Serbia ka vënë 48 baza ushtarake përreth kufirit me Kosovën