Arbëri

Kurti – Cooperit: Partneriteti me Britaninë, kyç për mbrojtje nga lufta hibride e Rusisë

Yvette Cooper - Albin Kurti

Partneriteti i Kosovës me Britaninë e Madhe është kyç për mbrojtje nga lufta hibride e Rusisë, është thënë në një komunikatë për media nga Zyra e Kryeministrit, pas takimit të kryeministrit në detyrë Albin Kurti me sekretaren për Punë të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Yvette Cooper.

Sipas njoftimit, në takim është diskutuar për temat kryesore të Samitit të Procesit të Berlinit që më vonë gjatë ditës do të mbahet në Londër: sigurinë, rritjen dhe migracionin, si thelbësore për Ballkanin Perëndimor dhe Mbretërinë e Bashkuar.

“Siguria e Kosovës është siguria e kufijve të saj. Partneriteti me Mbretërinë e Bashkuar është kyç për t’u mbrojtur nga lufta hibride e Rusisë dhe influenca e saj në Ballkanin Perëndimor, përfshirë këtu dezinformimin dhe financat e paligjshme, tha kryeministri. Në fushën e mbrojtjes, kryeministri theksoi se Kosova po investon në inovacion, arsim dhe partneritete, duke vlerësuar rëndësinë e bashkëpunimit me Mbretërinë e Bashkuar. Ai gjithashtu nënvizoi potencialin e vendit për investime dhe mundësitë për projekte strategjike të përbashkëta me Britaninë”, thuhet në njoftim.

Aty theksohet se Kurti ka deklaruar që Kosova është vendi më demokratik dhe me zhvillimin ekonomik më të shpejtë në rajon, duke marrë për bazë të dhënat e Gallupit dhe Transperency International.

Kurti ka përsëritur se prioritet i Kosovës është anëtarësimi në NATO dhe në Bashkimin Evropian.

“Kryeministri theksoi se përmes partneritetit me Britaninë e Madhe, mund të ecim drejt integrimit në aleancën e Atlantikut të veriut, por edhe angazhohemi për njohje të reja”, thuhet në komunikatë.

Kurti ka përmendur edhe sulmin terrorist në Banjskë dhe lënien në liri të sulmuesve pavarësisht se Milan Radoiçiq e ka pranuar fajin. “Lënia e tyre të lirë përbën kërcënim të vazhdueshëm për sigurinë e Kosovës”, thuhet në njoftim.

Kurti ka thënë se Kosova është shembull në mbrojtjen e të drejtave të pakicave, ndërsa ka përsëritur se është e gatshme ta ndihmojë Britaninë e Madhe në çështjen e migrimit.

“Së bashku po punojmë në forcimin e sigurisë kufitare, si dhe luftimin e krimit të organizuar”, thuhet në fund të komunikatës.