Arbëri

Kurti takon Starmerin, siguria e mbrojtja ndër çështjet e diskutuara

starmer

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka takuar kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, pas përfundimit të sesioneve të diskutimeve në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit.

Ata diskutuan rreth sigurisë, rritjes dhe migracionit, teksa Kurti theksoi rëndësinë e rolit të Britanisë në fuqizimin e bashkëpunimit rajonal, sigurisë dhe paqes.

Zyra e Kryeministrit njoftoi se të dy po ashtu biseduan për mënyrat e thellimit të bashkëpunimit dhe përkrahjes në fusha me interes të përbashkët si energjia, siguria dhe mbrojtja, infrastruktura dhe edukimi. 

“Kryeministri Kurti veçoi bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, gjersa vendi ynë po vazhdon investimet në këtë drejtim. Kryeministri Kurti falënderoi Mbretërinë e Bashkuar për lajmin se Forcat e Armatosura të Britanisë së Madhe do të vazhdojnë mbështetjen për misionin paqeruajtës të udhëhequr nga NATO në Kosovë, KFOR-in, për të paktën edhe tre vjet, si dhe për thirrjen e djeshme në seancën e OKB-së për njohjen e Kosovës nga shtetet anëtare dhe për dorëzimin e terroristit Radoiçiq nga ana e Serbisë, i cili vijon të mbetet i lirë pas sulmit terrorist në Banjskë duke përbërë rrezik për sigurinë”, thuhet në njoftim.

Kurti u prit të mërkurën nga Mbreti Charles III, në Pallatin mbretëror St. James. Para fillimit të Samitit u takua edhe me kancelarin e Gjermanisë, Friedrich Merz, kancelarin e Austrisë, Christian Stocker, Sekretaren e Shtetit për Punë të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Yvette Cooper, ministrin Francez të Deleguar për Evropën, Benjamin Haddad dhe liderë të tjerë shtetërorë nga vendet anëtare dhe rajoni.