Gjatë adresimit në Samitin e Procesit të Berlinit që të mërkurën është mbajtur në Londër, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e ka prezantuar Serbinë shtet armiqësor të Kosovës. Ai ka thënë se nuk duhet t’i lejohet Serbisë të veprojë me pandëshkueshmëri, pasi sipas tij kjo nxit inkursione të reja dhe dërgon një sinjal të rrezikshëm se sulmet ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës mund të mbeten të pandëshkuara. Kryeministri britanik, Starmer, ka thënë se Ballkani Perëndimor është vendi ku testohet siguria e kontinentit evropian
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të mos ia lejojë Serbisë amnistimin e pjesëtarëve të grupit terrorist, që kryen sulmin në Banjskë të Zvecanit, dy vjet më parë. Në fjalën e tij në Samitin e Procesit të Berlinit që është mbajtur të mërkurën në Londër, Kurti ka thënë se amnistia nxit inkursione të reja.
“Sulmi terrorist në Banjskë nuk mund të injorohet. Milan Radoiçiq ka pranuar përgjegjësinë, megjithatë drejtësia ende nuk është vënë në vend. Fqinjit tonë armiqësor në veri nuk duhet t’i lejohet të veprojë me pandëshkueshmëri, pasi kjo nxit inkursione të reja dhe dërgon një sinjal të rrezikshëm se sulmet ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës mund të mbeten të pandëshkuara”, ka deklaruar ai.
Mesazhin Kurti e dha para kryeministrit britanik Keir Starmer, kancelarit të Gjermanisë, Friedrich Merz, Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Kaja Kallas, e liderëve të pesë vendeve të Ballkanit Perëndimor në Samitin e Procesit të Berlinit. Në këtë samit, që këtë vit është mbajtur në Londër, Kurti ka thënë se nuk duhet lënë vakum për ndikimin rus apo kinez në Evropë.
“Na duhet një ndjenjë e fortë uniteti, mjaftueshëm e qëndrueshme për t’i përballuar si presionet e jashtme, ashtu edhe dyshimet e brendshme. Një unitet i tillë duhet të shtrihet edhe në juglindje të kontinentit tonë. Ballkani Perëndimor gjendet gjeografikisht brenda kufijve të BE-së dhe NATO-s, por të gjitha vendet mbeten jashtë BE-së dhe gjysma jashtë traktateve të NATO-s. Kjo nuk është as e mençur dhe as solide”, ka thënë kryeministri në detyrë.
Kurti ka kërkuar ndihmën e Britanisë së Madhe për anëtarësim në Aleancën Veri-atlantike, NATO.
“Sot, kur kemi luftë në Evropë si pasojë e agresionit rus në Ukrainë, Londra mund të ndihmojë shumë duke mbështetur vendet e Ballkanit Perëndimor që duan t’i bashkohen NATO-s, duke mbyllur kështu këtë boshllëk të rrezikshëm të sigurisë. Ne kemi qëllime të përbashkëta dhe vlera të përbashkëta, dhe nuk kemi alternativë tjetër përveç anëtarësimit në BE dhe NATO – këto duhen parë si pika të forta”, ka theksuar ai.
Në Londër, kryeministri në detyrë, ka folur për përparimet që ka thënë se Kosova i ka bërë në treguesit demokratikë, ekonomikë e të sigurisë.
“Kemi pasur një mesatare prej 6% rritje ekonomike dhe asnjëherë më pak se 4%. Para tre muajsh, Banka Botërore dhe FMN e hoqën Kosovën nga lista e vendeve të brishta dhe të prekura nga konfliktet, duke njohur kështu qëndrueshmërinë, stabilitetin dhe qeverisjen e mirë që kemi ndërtuar”, Por, sipas tij, këto arritje janë “nën hijen e kërcënimeve dhe agresionit të vazhdueshëm” nga fqinji verior, Serbia.
Tek ka folur për zhvillimin ekonomik, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se shteti mbështet Tregun e Përbashkët Rajonal dhe Agjendën e Gjelbër si korniza për zhvillim të qëndrueshëm.
“Por nevojitet më shumë financim për të mbyllur hendekun e konvergjencës në projektet kryesore infrastrukturore, përfshirë tranzicionin e gjelbër, si dhe për të ulur pabarazinë me më shumë solidaritet”, ka shtuar ai.
Para nisjes së Samitit të Procesit të Berlinit, Kurti ka konfirmuar se janë duke diskutuar me Britaninë e Madhe për t`i dalë në ndihmë me migracionin e paligjshëm. E në fjalën e tij para liderëve evropianë, ka thënë se zotimi ndaj Mbretërisë së Bashkuar është për forcimin e sigurisë kufitare, luftimin e krimit të organizuar, ndalimin e financave të paligjshme dhe menaxhimin e flukseve migratore.
“Ne kemi qenë seriozisht të angazhuar në luftimin e armëve të vogla dhe të lehta që shfrytëzohen nga aktorë joshtetërorë, por edhe si mjete destabilizimi nga aktorë shtetërorë keqdashës. Kosova nuk është burim migracioni, por vetëm një pikë tranziti me numra relativisht shumë të ulët”, ka përmbyllur ai fjalimin në samitin që u mbajt në Londër të mërkurën.
Kryeministri britanik, Keir Starmer, gjatë samitit të Procesit të Berlinit në Londër ka thënë se Ballkani Perëndimor është vendi ku testohet siguria e kontinentit evropian.
“Rajoni (Ballkani Perëndimor) është përshkruar si udhëkryq i Evropës, por shpesh ka qenë poligon i testimit i Evropës - vendi ku testohet siguria e kontinentit tonë”, ka deklaruar Starmer në nisje të samitit.
Bisedimet sipas tij do të përqendrohen edhe në çështjet e sigurisë, migrimit, rritjes ekonomike dhe në luftën kundër “ndikimit dashakeq” të Rusisë.
“Ballkani Perëndimor për një kohë të gjatë ka qenë rrugë tranzit për bandat kriminale të kontrabandës. Nuk do të dëshironit që këto banda të operojnë në territorin e juaj sepse do të vuanit pasojat e veprimeve të tyre”, ka theksuar Starmer.
Në Samitin e Procesit të Berlinit, i 12-ti me radhë që nga 2014-ta, është diskutuar për paqen dhe stabilitetin në rajon, për luftën kundër krimit të organizuar, bashkëpunimin ekonomik e ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore.
Paraprakisht, gjashtë liderët e Ballkanit Perëndimor e zyrtarët e tjerë të lartë të BE-së e të shteteve anëtare të saj janë pritur në mënyrë ceremoniale, për të vazhduar më pastaj në diskutimet e mbyllura që janë zhvilluar.
Procesi i Berlinit, i nisur nga qeveria gjermane, synon të nxisë bashkëpunimin midis vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe të përshpejtojë rrugën e tyre drejt integrimit në Bashkimin Evropian.
Procesi nisi në vitin 2014, me iniciativën e kancelares së atëhershme gjermane, Angela Merkel.
Nga gjashtë shtetet e rajonit, vetëm Kosova nuk është kandidate zyrtare për anëtarësim në BE.