Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Shtojca për Kulturë

Kur pikëllimi shndërrohet në krenari

Flora Brovina

In Memoriam: Flora Brovina (30 shtator 1949 – 15 shtator 2026)

Sot po ndahemi nga një njeri i veçantë, nga njëri prej tyre që dha aq shumë për Atdhe, sa veprimtaria e saj, angazhimi para, në luftë e më pas emrin e Flora Brovinës e bëjnë karakteristik, të nderuar e të respektuar në rrjedhat e jetës sonë kombëtare e më gjerë.  Para së gjithash, ajo ishte një luftëtare e UÇK-së, e cila nga arma në brez deri në kazamatet serbe nuk e ndali veprimtarinë. Me ballë lart nuk u ndal asnjë çast për të furnizuar kolegët me armë, me uniforma, me barna e shërbime, me pajisje shëndetësore dhe me kurajën që ishte qenësore në atë kohë. Edhe në liri u dëshmua si veprimtare, humaniste e atdhetare fisnike. Duke qenë shpesh krah saj me shokë e shoqe të tjera, veprën e dr. Flora Brovinës e njohim nga afër, ndaj pikëllimi ynë në këto çaste dhembjeje na bën krenarë që patëm njërën nga nënat e motrat tona, pa dyshim, që kurdoherë u gjend në ballë të reflektimeve e situatave, duke mos kursyer asgjë për ditën që gëzojmë sot, për lirinë e atdheut.  

Përkushtimi i doktoreshës Flora Brovina pothuajse është jetësor, duke filluar nga familja e ngushtë. Ndërkaq, pikëpamjet atdhetare i ka artikuluar dhe në veprën e saj letrare, gjithnjë e bindur se për liri kërkohet përkushtim, kërkohet dashuri, kërkohet sakrificë. Nderim dhe respekt kujtimit të përjetshëm të mikës sonë, atdhetares, luftëtares, shkrimtares e humanistes, figurës së veçantë, dr. Flora Brovina!

18.09.2026

Prof. Dr. Shyqri Galica është kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës