Kryeministri Albin Kurti ka thënë se nevojitet një dakordim mbi një strategji shtetërore për reagim ndaj verdiktit të shkallës së parë të Gjykatës Speciale ndaj katër udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
E ka thënë këtë pas njoftimit për takim me të rinjtë e diasporës shqiptare në Amerikë në New York. Kurti është zotuar se Qeveria do të ofrojë mbështetje për të korrigjuar vendimin e Speciales. Ka shtuar se duhet t’u ndihmohet ekipeve në instancat e Apelit, por edhe që të ketë reagim në rrafshin diplomatik.
“Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar që të ofrojë mbështetje, në çdo mënyrë dhe me të gjitha mjetet që i ka në dispozicion, me qëllim korrigjimin e verdiktit të Dhomave të Specializuara ndaj ish krerëve të UÇK-së, i cili është i padrejtë juridikisht dhe moralisht dhe i pasaktë historikisht dhe faktikisht. Një dakordim mbi një strategji shtetërore për reagim sa më të përshtatshëm dhe efikas ndaj verdiktit të shkallës së parë, si në ndihmën e ekipeve në instancat e apelit, ashtu edhe në rrafshin diplomatik, është i nevojshëm”, ka shkruar Kurti në Facebook. “Do të bashkëpunojmë me aleatët tanë ndërkombëtarë, do të angazhohemi pandërperë në mbrojtjen e luftës sonë çlirimtare përballë propagandave të Serbisë dhe, njëkohësisht, në zbardhjen e masakrave dhe krimeve të tjera të Serbisë në Kosovë, të cilat Beogradi zyrtar, mbi 27 vjet pas përfundimit të luftës, po përpiqet akoma t'i fshehë”.
Kurti ka njoftuar se me të rinjtë ka diskutuar edhe për ekonominë dhe për nevojën për përmirësim të sistemit gjyqësor.
Në mesjavë, Gjykata Speciale dënoi me 81 vjet burgim për krime lufte Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Kadri Veselin e Rexhep Selimin.
Të dënuarit kanë paralajmëruar ankesën në Apel, ndërsa në Kosovë vazhdimisht po organizohen protesta ndaj vendimit.
-
Kurti: Lufta jonë ka qenë e drejtë, urojmë që verdikti i Speciales të jetë në përputhje me këtë
-
Kurti e Hamza diskutojnë se si të korrigjohet vendimi i Speciales
-
Kurti: Udhëheqësit e UÇK-së nuk u dënuan me vullnetin e popullit
-
Kurti-opozitës: Ta zgjedhim presidentin, e pafalshme të shkojmë sërish në zgjedhje
-
Kurti: Asnjë gjykatë vendore apo ndërkombëtare nuk mund ta njollosë UÇK-në