Arbëri

Sveçla: I kemi shpallur luftë krimit në veri e në jug

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla / Foto: KOHA

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, e ka përgëzuar Policinë për operacionin që rezultoi me kapjen e 20 pakove me heroinë në veturën e një personi, derisa ka thënë se institucionet i kanë shpallur luftë krimet dhe ilegalitetit, “në jug e në veri”.

Sveçla ka shkruar në Facebook të dielën se po eliminohen edhe “strofujt e drogës gjithandej”.

“Krimit dhe ilegalitetit i kemi shpallur luftë, në veri e në jug. Ky sukses i Policisë sonë është dëshmi se Republika e Kosovës nuk është zonë sigurie as për kriminelët as për çfarëdo lloj krimi. Ndërkohë që po eliminojmë strofullat e drogës gjithandej vendit, Republika jonë po forcon gjithnjë e më shumë pikat kufitare për të ndaluar ‘eksportin dhe importin’ e çfarëdo ilegaliteti”, ka shkruar ministri i Punëve të Brendshme.

Njësia Antidrogë e Policisë së Kosovës ka sekuestruar 20 pako të narkotikëve të llojit heroinë, 2.500 euro dhe dy telefona celularë nga vetura e një të dyshuari, nëpërmjet një operacioni policor.

Në një konferencë për media, Policia njoftoi të dielën se i dyshuari me shtetësi kroate dhe kosovare, me inicialet A.L., u kap me lëndën narkotike në dalje të Kosovës.

“I dyshuari, i lindur në vitin 1959 është arrestuar dhe po intervistohet në prani të avokatit. Vlera e substancës narkotike sillet rreth 20-25 mijë euro në tregun kosovar, e gjithsej shuma sillet deri në 200 mijë euro”, ka deklaruar rreshteri Reshat Murseli.

Sipas tij, lënda narkotike, gjithsej 20 kilogramë e 60 gramë ishte destinuar për në tregun e Bashkimit Evropian.