Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Shtojca për Kulturë

“Yi Yi” i maestros Yang bashkon njerëzit në udhëkryqin e jetës

Edward Yang

Filmat e Edward Yang janë filozofi më vete e shpalosjes së rrëfimeve për njeriun. “Yi Yi”, i shfaqur të shtunën mbrëma në “Kino Armata” në Prishtinë, është njëra prej dëshmive

Nëpërmjet rrëfimit për një familje në Taipei, mjeshtri i kinemasë Edward Yang krijon atë që cilësohet si kryevepër për përditshmërinë. Kaq i duhet që nga thjeshtësia të hedhë shikimin tek ajo që nuk shihet. Personazhet i takon në udhëkryqin e jetës e kapitujt paralelë bashkohen në histori universale. Pikërisht siç është edhe titulli “Yi Yi” – që në shqip i bie “Një nga një” – Yang qëmton gjenerata të ndryshme, i përball me të papritura e luan me kontraste. “Fundjava e Filmit Tajvanez” në Prishtinë, me këtë film ka hapur serinë e shfaqjes së tri veprave të regjisorit i cili bëri kthesë në artin e shtatë

“Yi Yi” – filmi i vitit 2000 me skenar dhe regji të Edward Yangut – ka qenë rrëfimi i radhës që është shpalosur në kuadër të “Fundjavës së Filmit Tajvanez”, të shtunën mbrëma në “Kino Armata”, ku po zhvillohet aktiviteti që përmes kinemasë sjell në Prishtinë filma dhe rrëfime nga Tajvani. Me kohëzgjatje prej afro tri orësh, filmi ndjek jetën e një familjeje të klasës së mesme në Taipei, duke i vendosur përballë njëri-tjetrit përditshmërinë, marrëdhëniet familjare, dashuritë e humbura, shqetësimet e moshës së re dhe pyetjet që lindin në periudha të ndryshme të jetës.

Në qendër të rrëfimit është familja Jian, pra dy prindër dhe dy fëmijë. Historia nis në një moment që duhej të ishte festë familjare, por pikërisht gjatë kësaj ngjarjeje, jeta e familjes merr një kthesë tjetër. NJ, që është kryefamiljari, takon Sherryn, ish-të dashurën e tij, me të cilën kishte pasur një lidhje rreth tri dekada më parë. Takimi i papritur e rikthen në një kapitull të jetës që ai mendonte se kishte mbetur pas. Në të njëjtën kohë, nëna e bashkëshortes së tij pëson një goditje dhe bie në komë.

Mjekët u thonë familjarëve të flasin çdo ditë me gruan në koma, edhe pse ajo nuk mund t’u përgjigjet. Pranë shtratit të saj, secili prej tyre nis të përballet me gjëra që nuk arrin t’ua thotë të tjerëve.

Për NJ-në, kriza e familjes nuk është e vetmja. Kompania e tij është në vështirësi dhe ai përpiqet të sigurojë një bashkëpunim me një biznesmen japonez. Fillimisht, marrëdhënia mes tyre lidhet me punën, por gradualisht shndërrohet në një miqësi përmes muzikës dhe bisedave për jetën.

Sherryn, tashmë e martuar dhe që jeton jashtë Tajvanit, rikthehet në jetën e NJ-së pikërisht në kohën kur ai po kalon këtë krizë personale. Të dy përballen me pyetjen se çfarë do të kishte ndodhur sikur vendimet e tyre të dikurshme të kishin qenë të tjera.

Ndërkohë, Min-Min përjeton një tjetër lloj krize. Gjendja e së ëmës e rëndon emocionalisht dhe ajo nis të ndiejë se nuk po gjen përgjigje për jetën e saj.

Historia e familjes vazhdon përmes Ting-Ting, vajzës adoleshente, e cila po hyn në një fazë tjetër të jetës. Ajo përballet me miqësinë, dashurinë e parë, xhelozinë dhe ndjenjën e fajit.

Në anën tjetër të familjes është Yang-Yang, djali i vogël, i cili e shikon botën nga një këndvështrim krejt tjetër. Ai ka një aparat fotografik dhe nis t’i fotografojë njerëzit, veçanërisht nga pjesa e pasme. Ideja e tij është e thjeshtë: njerëzit mund të shohin atë që kanë përpara, por nuk mund ta shohin atë që ndodhet pas tyre. Këtë e bën edhe me familjarët e tij.

Në fund, familja përballet me vdekjen e gjyshes. Zhvillohet funerali dhe familjarët mblidhen sërish përballë humbjes. Në këtë moment, Yang-Yang lexon një letër drejtuar gjyshes së tij. Fjalët e tij e mbyllin filmin duke e kthyer historinë nga një seri ngjarjesh familjare në një reflektim për kujtesën dhe për mënyrën se si secili njeri e sheh vetëm një pjesë të jetës së vet.

Për gazetaren Vjosa Çerkini, “Yi Yi” ka qenë një prej përvojave të para me kinemanë tajvaneze, edhe pse kulturën e Tajvanit e njeh prej më herët. Ajo ka thënë se filmi i ka ofruar një mënyrë tjetër për ta parë rrëfimin kinematografik.

“Kulturën e shtetit të Tajvanit veçse e njoh, por filma që janë shfaqur në Prishtinë nuk është se kam parë. Është hera e parë që po e shoh një film të tyre dhe, përgjithësisht, ishte interesant. Normalisht që kishte disa sekuenca që bënin të mos e kuptoje direkt të gjithë mesazhin e filmit, por mendoj se ishte shumë interesante të shihje se si tregojnë një storje të caktuar përmes filmit”, ka thënë ajo.

Ka thënë se filmin e kanë bërë tërheqës skenat që nuk zbulojnë shumë.

“Ishte pak i gjatë, por interesant. Çfarë më pëlqeu më së shumti ishte që, gjatë gjithë kohës, përmes sekuencave të shkurtra ose ndryshimit të skenave dhe ngjarjeve, ma kanë mbajtur vëmendjen gjatë gjithë kohës për të parë se çfarë po ndodh tutje. Mendoj se kjo është e bukura e filmave të kulturave të tjera: sepse e sheh që ka edhe një formë ndryshe të të treguarit të storjeve”, ka thënë ajo më tej.

Pjesëmarrësi i klubit të filmit “Kineto”, që funksionon në kuadër të “Kino Armatës”, Ardit Dragusha, ka treguar se “Yi Yi” ishte filmi i fundit që Yang realizoi në karrierën e tij dhe se për të personalisht përbënte edhe një hyrje në kinemanë tajvaneze.

“Është filmi i fundit që e ka bërë regjisori në karrierën e tij. Duke qenë filmi më i famshëm dhe më i suksesshëm për shumëkënd, në këtë rast edhe për mua ka qenë njohja e parë me kinemanë e Tajvanit. Ka pasur shumë sukses, duke fituar 18 çmime. Një prej më të rëndësishmëve është ai për regji në Festivalin e Cannes”, ka thënë Dragusha në skenën e kinemasë para se të nisë shfaqja e filmit “Yi Yi”. E ka njoftuar publikun me rrëfimin e filmit.

“Në qendër të filmit është një familje e klasës së mesme në Taipei. Përmes peripecive dhe problemeve të kësaj familjeje, regjisori prek shumë tema që e karakterizojnë këtë kontekst, si raportet familjare në çift, raportet midis gjeneratave. Të gjitha këto ndodhin në një kontekst që detyron të bëhen kompromise dhe paraqet koston që kanë këto kompromise”, ka thënë ai.

Të dhënat për filmin bëjnë me dije se “Yi Yi” ka marrë 18 çmime dhe 23 nominime, ndërsa ndër çmimet më të rëndësishme është pikërisht ai për regjinë në Festivalin e Cannes më 2000. Filmi ishte në konkurrencë për “Palmën e Artë” dhe fitoi edhe çmime në festivale të tjera në Evropë, Azi e Amerikë. Në vitin 2025, prestigjiozja “The New York Times” e përfshiu në mesin e 100 filmave të shekullit XXI. “The Guardian” e kishte kategorizuar kësisoj më 2019. Kritika, ndër të tjera, e ka cilësuar si “kryevepër të jetës së përditshme”.

Edhe Malin Synneborn Lundberg, zëvendësudhëheqëse e misionit të Ambasadës së Suedisë në Kosovë, e ka përshkruar përvojën e saj si takim me një mënyrë tjetër të rrëfimit filmik. Ajo ka thënë se, pavarësisht distancës mes Tajvanit dhe Suedisë, filmi i ka bërë të dallojë ngjashmëritë njerëzore.

“Mendoj se ishte një përvojë e mrekullueshme. Ishte e bukur dhe shumë ndryshe nga ajo që jam mësuar të shoh. Kur shkon të shohësh filma perëndimorë, ndonjëherë tashmë e di skenarin dhe e di se kush do të bëjë çfarë. Por te ky film pata ndjesinë se ishte shkruar në mënyrë shumë të bukur dhe, çuditërisht, shumë të ngrohtë. Gjithashtu, mendova se ishte shumë, shumë qesharak”, është shprehur ajo. “Nga këndvështrimi im, mendoj se mësova se, edhe pse vij nga Suedia dhe ky film vjen nga Tajvani, pra jemi shumë larg njëri-tjetrit në hartë, si qenie njerëzore jemi shumë të ngjashëm, pavarësisht se ku ndodhemi në planetin Tokë. Jo, ishte hera e parë që e shihja filmin. Kisha lexuar për të më herët, prandaj mezi prisja të vija ta shihja”, ka thënë ajo më tej pas shfaqjes së filmit.

Pas filmit qëndron një prej emrave qendrorë të kinemasë tajvaneze. Edward Yang, i lindur më 1947 në Shangai dhe i rritur në Tajvan, sipas biografisë, fillimisht ishte orientuar drejt shkencës dhe teknologjisë, para se të rikthehej te pasioni për kinemanë dhe të bëhej një prej figurave të rëndësishme të kinematografisë së Tajvanit. Filmi i tij i parë si regjisor, “In Our Time”, i vitit 1982, lidhet me fillesat e kësaj vale të re, ndërsa në karrierën e tij pasuan filmat “Taipei Story”, “The Terrorizers”, “A Brighter Summer Day”, “A Confucian Confusion” dhe “Mahjong”. Dy prej filmave të tij shfaqen të dielën e të cilët edhe mbyllin “Fundjavën...”.

Yang ka vdekur më 29 qershor 2007, në moshën 59-vjeçare, në Beverly Hills. “Yi Yi” mbeti filmi i tij i fundit artistik dhe filmi me të cilin ai arriti një prej kulmeve të karrierës, duke marrë çmimin për regjisorin më të mirë në Cannes.

“Yi Yi” nuk ka të bëjë vetëm me historinë e një familjeje tajvaneze, por edhe një film që, përmes jetës së përditshme të katër anëtarëve të saj, ndjek mënyrën se si ndryshojnë njerëzit kur përballen me dashurinë, humbjen, punën, rritjen dhe vdekjen. Është një film që e tejkalon Tajvanin për t’u shndërruar në histori universale.