Borrell: Kemi marrëveshje

- 23:14Borrell: Kemi marrëveshje
- 22:02“Ka një lloj marrëveshjeje”
- 21:54Përfundon takimi
- 21:43Rinisin bisedimet
- 20:40Sërish pauzë në takimin Kurti-Vuçiq
- 19:33Mbi 9 orë takime në Ohër, Kurti e Vuçiq vazhdojnë diskutimet
- 18:20Kurti e Vuçiqi rinisin bisedimet
- 17:17Kurti e Vuçiqi u kthehen bisedimeve
- 16:36Përfundoi pjesa e parë e takimit trepalësh - Kurti e Vuçiq do t'i vazhdojnë diskutimet
- 15:22Nis takimi trepalësh
- 12:09Përfundon takimi Kurti-Borrell-Lajçak, në pritje takimi trepalësh
- 10:17Kurti para takimit me Borrellin: Kam ardhur për bisedime për marrëveshje
- 10:12Para Borrellit, Kurti takohet me Escobarin
- 09:27Kurti niset për takim me Borrellin
- 07:49Takimi i nivelit të lartë në Ohër
Borrell: Kemi marrëveshje
Josep Borrell, përfaqësues i lartë i Bashkimit Evropian, ka thënë se Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për implementimin e propozimit evropian për normalizim raportesh.
Pas takimit në Ohër, ai ka thënë se dy shtetet janë dakorduar për t’i respektuar të gjitha pikat dhe se do t’i implementojnë të gjithat.
“E dini objektiva ishte për Kosovën e Serbinë të pajtohen se si të implementojnë marrëveshjen e pranuar më 27 shkurt në takimin e fundit në Bruksel. Marrëveshja u arrit në fund të shkurtit, por sot çështja ishte të pajtohet se si të implementohet. Nënkuptohet hapa praktikë se çfarë duhet bërë, kur duhet bërë, si duhet bërë dhe nga kush. Shpesh thuhet se djalli është në detaje, nganjëherë është në kalendar apo orar. Kemi diskutuar për 12 orë dhe jam i lumtur të njoftojë se pas 12 orëve ne kemi një marrëveshje si ta zbatojmë. Kështu që mund të njoftojë se Kosova dhe Serbia janë pajtuar në aneksin e implementimit të marrëveshjes në rrugën e normalizimit të marrëdhënies mes tyre. Si pjesë e aneksit palët janë pajtuar plotësisht të respektojnë gjitha nenet e marrëveshjes, dhe implementojnë gjitha obligimet e tyre në frymë të mirë. Dhe rezultati vjen pas negociatave të gjata e të vështira. Nuk dua ta fsheh. Nuk qëndrojmë 12 orë për gjëra të lehta”, ka thënë Borrell para gazetarëve.
Ai ka përmendur edhe nenin 7 të shumëpërfolur për çështjen e “Vetëmenaxhimit të komunitetit serb në Kosovë”.
“Më lejoni të fokusohemi në disa çështje specifike. Për të implementuar nenin 7, Kosova është pajtuar të lansojë menjëherë, dhe kur them menjëherë, e them menjëherë, negociatat me dialogun e ndihmuar nga BE-ja për të ofruar zgjidhje për komunitetin serb në Kosovë”, ka thënë Borrell.
Neni 7 është diskutuar në opinionin kosovar si neni që lejon krijimin e Asociacionit në Kosovë.
Ai ka thënë se marrëveshja dhe aneksi Kosovë-Serbi “konsiderohen të pranuara në bazë të deklaratës sime”.
Palët janë dakorduar, sipas Borrellit, që ta trajtojnë me urgjencë edhe çështjen e të zhdukurve në luftë.
Përfaqësuesi i BE-së ka zbuluar se fillimisht ka propozuar një aneks më ambicioz e më të detajuar, por palët nuk u pajtuan. Megjithatë, ai ka theksuar se aneksi i marrëveshjes konsiderohet i aprovuar nëpërmjet deklaratës së tij.
“Më duhet të pranojë se fillimisht propozuam një aneks më ambicioz e të detajuar. Për fat të keq palët nuk arritën marrëveshje në këtë propozim të detajuar. Kjo ishte në njërën anë pasi mendoj se një palë, Kosova, ka mungesë fleksibiliteti në substancë, në anën tjetër, Serbia, në të kaluarën tha se nuk do të të nënshkruajë, ndonëse ishte plotësisht gati të implementojë. Për të evituar këto rrethana, ne bëmë një numër të propozimeve kreative, si për nënshkrim e substancë, por palët nuk ishin në gjendje të gjenin një zgjidhje të pranueshme. Aneksi i marrëveshjes konsiderohet i aprovuar nëpërmjet deklaratës sime që publikohet”, ka thënë Borrell.
Borrell ka përsëritur se nga kjo marrëveshje do të përfitojnë të dyja palët. Ai ka thënë se javën e ardhshme do t’i njoftojë ministrat e liderët e BE-së për angazhimin dhe përkushtimin e të dyja palëve që të implementohen sa më shpejt marrëveshjet.
“Ka një lloj marrëveshjeje”
“Një lloj i marrëveshjes është arritur” në takimin mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Ohër të shtunën, ka mësuar KOHA. Për të sqaruar gjithçka pritet që pas pak të deklarohet përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell.
Përfundon takimi
Ka përfunduar takimi trepalësh midis kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq, nën ndërmjetësim të zyrtarëve të Bashkimit Evropian, ka konfirmuar zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano.
Ai ka shkruar se pas takimit së shpejti përfaqësuesi i lartë Josep Borrell do të dalë me deklaratë zyrtare.
Rinisin bisedimet
Pas pauzës së dytë, në Ohër të Maqedonisë së Veriut ka rinisur takimi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka mësuar KOHA.
Takimi, që po ndërmjetësohet nga zyrtarët evropianë, ka në agjendë planin e zbatimit të propozimit evropian për normalizimin e raporteve.
Sërish pauzë në takimin Kurti-Vuçiq
Në një tjetër pauzë ka hyrë takimi midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka mësuar KOHA. Është hera e dytë që dy krerët kanë ndërprerë takimin përkohësisht. Me ndërmjetësimin evropian, palët nisën takimin e parë trepalësh rreth orës 15:00. Pastaj pas një ore, ishte pauza e parë që zgjati gati dy orë. Pjesa e dytë e takimit nisi në orën 18:20 e deri një çerek para orës 21:00.
Palët janë duke diskutuar për planin e zbatimit të propozimit evropian, për përmbajtjen e të cilit qenë pajtuar më 27 shkurt.
Takimi po mbahet në Ohër.
Mbi 9 orë takime në Ohër, Kurti e Vuçiq vazhdojnë diskutimet
Kanë kaluar më shumë se 9 orë që kur kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, kanë nisur në Ohër takimet ndaras dhe trepalëshe me përfaqësuesin e lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Diskutimet po vazhdojnë për planin e zbatimit të propozimit evropian, për përmbajtjen e të cilit palët u dakorduan më 27 shkurt.
Fillimisht krerët e shteteve u takuan ndaras me përfaqësuesit e BE-së. Pastaj, pak pas orës 15:00 ka nisur takimi trepalësh. Ky takim zgjati për një orë fillimisht para një pauze gati dyorëshe për t’u ritakuar sërish. Nga ora 18:20 palët janë në pjesën e dytë të takimit dhe ende po vazhdojnë diskutimet.
Nga nisja e takimeve s’ka pasur asnjë deklaratë të krerëve apo ndërmjetësve. Pas takimit, pritet që secili t’u drejtohet gazetarëve, ndërsa Borrelli të japë konkludimin e takimit.
Kurti e Vuçiqi rinisin bisedimet
Pas një pauze më shumë se një orë, ka nisur pjesa e dytë e takimit midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në ndërmjetësim të Bashkimit Evropian.
Kurti e Vuçiqi u kthehen bisedimeve
Pas përfundimit të pjesës së parë të takimit, kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë do të vazhdojnë diskutimet.
Palët pauzuan për pak minuta para se të rinisin fazën që, sipas burimeve, nuk do të zgjasë shumë.
Përfundoi pjesa e parë e takimit trepalësh - Kurti e Vuçiq do t'i vazhdojnë diskutimet
Ka përfunduar në Ohër pjesa e parë e takimit trilateral midis kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq, dhe ndërmjetësve të Bashkimit Evropian, Josep Borrell e Miroslav Lajçak.
Takimi ka zgjatur pak më shumë se një orë. Para takimit trepalësh, Borrelli e Lajçaku kanë takuar ndaras kryeministrin e Kosovës dhe presidentin e Serbisë.
KOHA ka mësuar nga burimet se palët do të takohen edhe një herë pas pak, e se kjo s'pritet të zgjasë shumë.
Nis takimi trepalësh
Ka filluar takimi në Ohër mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me shefin e diplomacisë së BE-së, Josep Borrell dhe emisarin për dialogun Miroslav Lajçak.
Fillimisht përfaqësuesit e BE-së takuan ndaras Kurtin e Vuçiqin, ndërsa takimi trepalësh ishte paraparë për ora 13:30, por ka nisur me afro dy orë vonesë.
Pas takimit trepalësh Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për politikë të jashtme e siguri, Josep Borrell, do të japë një deklaratë për media.
Nuk dihet ora se kur do të mbahet konferenca.
Përfundon takimi Kurti-Borrell-Lajçak, në pritje takimi trepalësh
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u takua me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për politikë të jashtme Josep Borrell e emisarin e BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.
Para Kurtit, ata kanë takuar presidentin serb.
Takimi trepalësh ishte planifikuar të fillonte në ora 13:30, por ende nuk ka nisur.
Kurti para fillimit të takimeve të nivelit të lartë në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi, ka thënë se në Ohër ka ardhur për bisedime për të arritur marrëveshje.

Kurti para takimit me Borrellin: Kam ardhur për bisedime për marrëveshje
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, para fillimit të takimeve të nivelit të lartë në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi, ka thënë se në Ohër ka ardhur për bisedime për të arritur marrëveshje.
Kurti para takimit me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borrell e emisarin për dialogun Miroslav Lajçak, është takuar me emisarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevcki.
“Unë jam optimist, jam i vëmendshëm dhe do të bëjmë më të mirën për Republikën e Kosovës, sovranitetin dhe integritetin territorial, interesin publik dhe të popullit, për të gjithë qytetarët pa dallime, sepse unë jam kryeministër i Republikës i të gjithë qytetarëve”, tha Kurti. “Me këtë rast përveç se jam optimist kam ardhur me qëllim të mirë me vullnet të mirë dhe me mirëbesim që dakordimin e arritur më herët që fatkeqësisht nuk u nënshkrua në Bruksel më datë 27 shkurt ta vazhdojmë përmes bisedimeve për planin e zbatimit dhe në këtë mënyrë ta rrumbullakojmë marrëveshjen për normalizim të marrëdhënieve”, tha Kurti.
Kurti ka thënë se do të bisedohet në Ohër për planin e zbatimit, pasi nuk ka tekst të përfunduar.
“Përderisa nuk ka tekst të përfunduar nuk mund të ketë përfundim të bisedimeve, përderisa nuk ka përfundim të bisedimeve nuk mund të këtë marrëveshje. Unë jam këtu për dialog parimor të hapur serioz që duhet të rezultojë me marrëveshjen. Marrëveshja nënkupton tekst përfundimtar dhe të dakorduar. Pra, nuk kam ardhur për bisedime për bisedime por për bisedime për marrëveshje”, tha Kurti.
Kurti pritet të takohet me Borrellin e Lajçakun rreth orës 11:30, ndërsa paraprakisht presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të takohet nga ora 10:30 me përfaqësuesit e BE-së.
Takimi trepalësh pritet të pasojë pas takimeve ndaras.
Nis takimi Vuçiq – Borrell – Lajçak
Ka filluar takimi në Ohër mes presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për politikë të jashtme Josep Borrell e emisarit të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, raporton televizioni shtetëror serb "RTS".
Borrell e Lajçak pas takimin me Vuçiqin nga ora 11:30 do të takohen me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Më pas pritet të organizohet edhe takim trepalësh.
Para Borrellit, Kurti takohet me Escobarin
Kryeministri Albin Kurti ka takuar të dërguarin e posaçëm të Washingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski.
Kurti do të takojë edhe presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.
Takimet i paraprijnë atij me Përfaqsuesin e Lartë të BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell, që do të mbahet nga ora 11:30 me Kurtin, kurse me Vuçiqin në 10:30.
Pas takimit, Kovaçevski ka shkruar në Facebook se Kurtit i ka uruar bisedime produktive dhe të suksesshme sot duke e përgëzuar “për përkushtimin e shprehur për të ndërmarrë hapa konkretë të rëndësishëm për të ardhmen evropiane të të gjithë rajonit”.
“Marrëdhëniet e mira fqinjësore, marrëveshja në vend të konfliktit dhe zhvillimi në vend të regresionit janë postulate që duhet të na çojnë ne, politikanëve të shekullit të 21-të, të cilët duam t'i udhëheqim vendet tona, dhe rrjedhimisht edhe Ballkanin Perëndimor drejt një të ardhmeje më të mirë evropiane”, përfundoi Kovaçevski.
Kurti niset për takim me Borrellin
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka pranuar të flasë para nisjes së takimeve për dialogun në Ohër të Maqedonisë së Veriut.
Pas takimit që e pati me kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti, shefi i ekzekutivit kosovar, tha shkurt se është vonë për takim me shefin e diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, duke mos u përgjigjur në pyetjet nëse do të ketë marrëveshje sot me presidentin serb Aleksandër Vuçiq.
Sot në Ohër po zhvillohet takimi i radhës ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Vuçiq, ku do të diskutojnë për zbatimin e marrëveshjes së dakorduar në parim më 27 shkurt në Bruksel.
Kurti e Vuçiq do të mbajnë takime ndaras me Borrellin e emisarin për dialogun Miroslav Laj[akun, e më pas pritet të ketë takim trepalësh.
Takimi i nivelit të lartë në Ohër
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot takon presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, në Ohër. Takimit të përbashkët do t’u paraprijnë takimet ndaras me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell, dhe emisarin special të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak. Në takim, në cilësinë e vëzhguesit do të marrë pjesë edhe i dërguari i posaçëm i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Takimi do të ketë fokus Propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe do të fillojë nga ora 10:00. Në orën 10:30 parashihet që Vuçiqi të takohet me Borrellin, kurse me Kurtin, Borrelli do të takohen në 11:30.
Zyrtarët ndërkombëtarë patën thënë pas takimit në Bruksel në shkurt se palët ishin pajtuar për përmbajtjen e propozimit.
Kurti ka thënë se Kosova është e përkushtuar që takimi në Ohër të jetë i suksesshëm. Kurse, Vuçiq është shprehur se nuk do të nënshkruajë asgjë.
SHBA-ja është shprehur optimiste me zotimin se të dyja shtetet do të përfitojnë nëse nënshkruajnë marrëveshje. E, BE-ja ka thënë se është një shans unik që Kosova dhe Serbia të ecin përpara dhe të bëjnë përparim në normalizimin e raporteve.
Propozimi evropian, që Kosova dhe Serbia e pranuan më 27 shkurt, shihet si një marrëveshje e përkohshme e cila do të çojë në atë përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Edhe pse nuk e parasheh njohjen reciproke, diplomatët perëndimorë thonë se është marrëveshja më e mirë që aktualisht mund të arrihet mes Kosovës dhe Serbisë.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Qeveria miraton projektligjin për tatimet, përfshin faljet tatimore për 2023

Masakrat në Pastasellë dhe Burim, dëshmi e mizorisë dhe barbarisë serbe

Dënohet djegia e veturave me targa RKS, aktet ndërlidhen me zgjedhjet në veri

Audioincizimet shpërfaqin kërcënimin dhe dhunën psikike të profesorit Bejta ndaj studentëve

Franca dhe Gjermania paralajmërojnë pasoja nëse palët u shmangen obligimeve

Kurti i thotë Kumnovës se është i përkushtuar t’i zbardhë krimet e luftës

Letër-dëshmia e Masakrës së Pastasellës

Parashikimi i motit për fundjavë

Rizvanolli: Po shterohen mundësitë për pagesën e rrymës në veri

Ngrihet alarmi ndërkombëtar pas kërcënimit të Veliajt ndaj dy faqeve satirike

Paralajmërohet subvencionim i ri i rrymës, jo për të gjithë
