Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kurti shkon “me vullnet të mirë” në takimin me Vuçiqin

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka bërë të ditur se delegacioni kosovar do të udhëtojë në Ohër për takimin me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me vullnet, qëllim e besim të mirë.

Ai të premten ka pritur në takim të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Pas këtij takimi nuk ka pasur deklarime për media, por në një njoftim të Qeverisë, është bërë e ditur se Kurti e Escobar kanë diskutuar për takimin e së shtunës për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë bazuar në Propozimin evropian, i cili mbahet Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Në takim thuhet se është diskutuar për përgatitjet dhe pritjet nga ai takim.

“Propozimi Evropian është cilësuar dhe pranuar nga Kosova si bazë e mirë dhe platformë solide për të ecur përpara drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me njohjen reciproke në qendër. Të përkushtuar, konstruktiv dhe kreativ, delegacioni qeveritar i Kosovës udhëton për në Ohër me vullnet të mirë, qëllime të mira dhe besim të mirë”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Sipas njoftimit Kurti ka falënderuar Escobarin për angazhimin dhe kontributin e tij dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në procesin e dialogut me Serbinë.

Para Kurtit, Escobari ka takuar edhe presidenten Vjosa Osmani. Pas këtij takimi në një konferencë për media Escobar ka thënë se pret rezultate pozitive nga takimi i së shtunës në Ohër.

Ai ka theksuar se SHBA-ja mbështet çdo mundësi që rajonin e çon drejt integrimit euroatlantik.

Escobar ka deklaruar se Propozimi evropian është mundësi e jashtëzakonshme paqeje, ndërsa ka shtuar se SHBA-ja si mbështetëse kryesore e Kosovës do që kjo të funksionojë për Kosovën.

Ndërsa presidentja Osmani, në këtë konferencë ka thënë se pret që nga takimi në mes Kurtit e Vuçiqit, të ketë një rezultat pozitiv.

Por sipas saj tendencat e Serbisë që përmes kushtëzimeve të pengojë këtë rezultat, mund ta dëmtojnë në tërësi procesin e dialogut.

Escobar të premten është takuar edhe më kryetarin e Kuvendit Glauk Konjufca.

 

Artikuj të ngjashëm