Kryeministri Albin Kurti, është ankuar për njëanshmëri dhe tolerancë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian për Serbinë, në raport me Kosovën.
Ai tha të enjten për “The Associated Press” se i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe ai i SHBA-së për Ballkanin Perëndimorë, Gabriel Escobar, po i drejtohen Kosovës me kërkesat e Serbisë, derisa tha se sjellja pozitive ndaj një autokrati, nuk e bën atë të mirë.
“Ne këmbëngulim që sjellja e mirë ndaj një autokrati nuk e bënë edhe atë të sillet mirë. Përkundrazi...Vijnë tek ne me kërkesa, me kërkesat e palës tjetër”, tha ai.
Kurti theksoi se njësitet speciale të Policisë nuk mund të pakësoheshin, derisa bandat kriminale serbe ose të largoheshin, ose të arrestoheshin. Sipas Kurtit, në veri do të kishte paqe “nëse nuk do të kishte urdhra për dhunë nga Beogradi”.
Kryeministri tha se ndërkombëtarët i bënë presion Kosovës për ndryshime zgjedhore, por nuk ushtruan të njëjtin presion mbi partinë e vetme politike të serbëve etnikë (Listën Serbe) për të marrë pjesë në zgjedhje.
“Ne nuk mund të përballojmë një proces tjetër ku kandidatët serbë e bojkotojnë atë disa ditë para fillimit, sepse kështu urdhëron Beogradi”, tha ai.
Ndërsa, Shefi i EULEX-it, Lars-Gunnar Wigermark, tha se ende s'ka kushte që policëve të këtij institucioni t'iu hiqen kompetencat ekzekutive për ndërhyrje.
Ai nuk e përjashtoi që NATO-ja mund të vendosë mijëra trupa ushtarake në Kosovë.
“Nëse situata po bëhet gjithnjë më e paqëndrueshme, nëse fillon të shtensionohet përsëri, me siguri, ky është një opsion”, ka thënë ai.
Ndërsa, ambasadori amerikan në Beograd Christopher Hill, ka thënë se vendet perëndimore e kanë bërë të qartë se Kosova do të përballet me pasoja për shkak të zhvillimeve në veri të vendit, duke theksuar se problemet janë me kryeministrin Albin Kurti.
Në një intervistë me shërbimin serb të Zërit të Amerikës ai ka deklaruar se Kurti nuk është pajtuar me kërkesat perëndimore për uljen e tensioneve duke tërhequr njësitë e posaçme të policisë dhe kryetarët e komunave nga veriu.