Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Kurti: Kërkesat e Vuçiqit, joracionale dhe aspak paqësore

“Kërkesat e tij, masat e tij bëhen nga një dëshpërim dhe paraqesin joracionalitet e nuk janë aspak paqësore por, përkundrazi, pjesë e fushatës agresive për konflikte të reja që pa dyshim nuk kanë vend as në Kosovë”, ka thënë kryeministri Kurti

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar të martën se masat e listuara nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për Kosovën janë pjesë e fushatës agresive për konflikte të reja. 

“Kërkesat e tij, masat e tij bëhen nga një dëshpërim dhe paraqesin joracionalitet e nuk janë aspak paqësore por, përkundrazi, pjesë e fushatës agresive për konflikte të reja që pa dyshim nuk kanë vend as në Kosovë”, ka thënë kryeministri Kurti.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Ndërkaq teksa përmendi tri të vetat ndaj Serbisë, që i publikoi në Bruksel si kushte për takim me Vuçiqin, shefi i ekzekutivit u shpreh se ato janë racionale e paqësore.

“Së pari duhet të flisni për tri kushtet që i kam vënë unë e që janë kushte paqësore dhe racionale. Do të thotë janë: Dorëzimi në autoritetet kosovare i Milan Radoiçiqit, është nënshkrimi i Marrëveshjes dhe është gjithashtu tërheqja e letrës së ish-kryeministres Bërnabiq, e cila tha që nuk e pranon as pavarësinë e Kosovës, as ulësen në OKB për Kosovën dhe as nuk e respekton integritetin territorial të Kosovës. Ato tri kushte janë paqësore dhe racionale”, ka thënë Kurti.

Në mesin e masave Vuçiqi ka përmendur shpalljen e Kosovës përmes ligjit “zonë të posaçme sociale”, pastaj rezistencë të institucioneve paralele e hapje të zyrave afër kufirit me Kosovën për t’u ofruar shërbime qytetarëve të veriut. 

Pos masave, në konferencën e së premtes Vuçiqi prezantoi edhe disa kërkesa ndaj Kosovës.
Ai kërkoi mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri, kthimin e policëve, gjyqtarëve e prokurorëve serbë të dorëhequr, tërheqjen e njësive speciale nga veriu, formimin e Asociacionit, lirimin e të burgosurve dhe kryerjen e pagesave me dinarë.

E Ambasada amerikane në Prishtinë u ka bërë thirrje palëve ta shmangin retorikën përshkallëzuese dhe ka shprehur qëndrimin se Kosova është shtet i pavarur, të cilin SHBA-ja dëshiron ta shohë tërësisht të integruar në strukturat euroatlantike.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë të përkrahin fuqishëm dialogun e lehtësuar nga BE-ja, në mes të Kosovës dhe Serbisë si rrugë për të arritur raporte paqësore dhe produktive mes dy shteteve. E ardhmja e të dyja shteteve është në institucionet evropiane; procesi i lehtësuar nga BE-ja është rruga e vetme përpara. U bëjmë thirrje sërish Serbisë e Kosovës të përmbahen nga retorika e mëtejme përshkallëzuese, veprimet e pakoordinuara apo aktet legjislative që bien ndesh me normalizimin e raporteve apo rrezikojnë stabilitetin dhe sigurinë”, thuhet në përgjigje me shkrim të Ambasadës. “Kosova është shtet sovran, i pavarur dhe multietnik, të cilin ne duam ta shohim tërësisht të integruar në strukturat euroatlantike dhe ndërkombëtare”.

Kërkesat dhe masat Serbia i ka paralajmëruar si përgjigje ndaj veprimeve të institucioneve të Kosovës për shtrirjen e sovranitetit në veri.