Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Publikohen detajet për takimin Kurti-Vuçiq në Ohër

Është konfirmuar edhe nga Bashkimi Evropian të enjten, se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të takohen më 18 mars në Ohër për të diskutuar për finalizimin e aneksit të implementimit të propozimit evropian për normalizimin e raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Bashkimi Evropian të enjten ka publikuar agjendën e takimit duke treguar se fillimisht përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell, dhe emisari për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, do t’i takojnë palët ndaras e më pas në një takim trelateral.

“Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kanë konfirmuar pjesëmarrjen. Përfaqësuesi i lartë dhe përfaqësuesi special i BE-së, Miroslav Lajçak, do të mbajnë takime të ndara me liderët, pasuar nga një takim trelateral”, thuhet në njoftimin e publikuar nga BE-ja.

Lajçak të enjten ka qëndruar në Kosovë. Ka thënë pas takimit me Kurtin se i janë përmbushur pritjet për të parë se si e sheh Kosova implementimin e planit për përmbajtjen e të cilit u pajtua më 27 shkurt në takimin e Brukselit. (DETAJET)