Ministria e Punëve të Jashtme e ka emëruar shef të konsullatës në Toronto diplomatin që ka gradë më të ulët se drejtuesi aktual i këtij misioni. Burime të “Kohës” treguan se Ministria ka caktuar Kadri Dakajn, me gradën këshilltar, shef të konsullatës në shtetin kanadez. Nën urdhrat e tij tani do të jetë Sedat Burrniku, ani pse ka gradë më të lartë - ministër këshilltar.
Burime të ndryshme thanë se Dakaj është emëruar megjithëse ka qenë në pushim pa pagesë. Kjo konfirmohet edhe në vendimin e lëshuar nga sekretari i MPJ-së, Behar Isma, për lejimin e pushimit.
Sipas raportit të Komisionit për rotacion, Dakaj kishte aplikuar për tu emëruar në Strasburg të Francës, por ministrja e ka caktuar në Toronto.
“Aplikuesi i plotëson pjesërisht kriteret formale. Përgatitja profesionale dhe përvoja në shërbim të jashtëm, e bëjnë kandidat për t’u marrë në konsideratë për pozitën. Vlerësimet 2020 dhe 2019 janë të pa pranuara si të tilla nga aplikuesi, por përveç shkëmbimit të korrespodencës me mbikëqyrësen, bërë në dijeni dhe të NJBNJ, nuk ka proces ankese të iniciuar. Megjithatë, legjislacioni në fuqi, përkufizon “kënaqshëm” si vlerësim jo-negativ), ndërkohë që shërbimet në misione të tjera i ka pozitive”, thuhet në raport të Komisionit.
“Koha” ka siguruar komunikimet mes Dakajt dhe ish-ambasadores së Kosovës në Bruksel, Mimoza Ahmetaj, të cilat shpërfaqin pakënaqësitë me vijueshmërinë në punë.
“Për shkak të mosrespektimit të orarit të punës në vazhdimësi po të shkruaj sot si paralajmërim të fundit se nëse nuk e respekton orarin e punës edhe nga tani dhe tutje do të merren masa disiplinore. Ora është 9:40 dhe unë nuk kam ndonjë paralajmërim nga ti se pse nuk je në vend të punës”, thuhej në komunikimet e ish-ambasadores së Kosovës në Bruksel me Dakajn.
E Daka i arsyetohej duke thënë se është vonuar për shkak të problemeve me transport. Arsye të tjera, sikurse lëndimi i gjurit, kishte dhënë pas vonesave për të cilat kërkonte llogari ambasadori Skender Xhakaliu.
Para se të emërohet në pozitën e re, Dakaj ka qenë pjesë e komisionit të krijuar nga MPJD-ja për tenderin të veturave. “Koha” pati raportuar për shkeljet dhe dyshimet për dallavere me këtë tender, i cili është duke u trajtuar edhe nga Prokuroria e shtetit.
MPJD-ja dhe as Dakaj, prej tri javësh nuk ofruan përgjigje në pyetjet e “Kohës” përkitazi me gradimin dhe ankesat e ish-ambasadorëve.