Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Ministria e Punëve të Jashtme merr udhëheqjen e dialogut me Serbinë

konjufca  Peter Sorensen

Takimi i Konjufcës me përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës do të udhëheqë dialogun për normalizim të raporteve me Serbinë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian. Një ndryshim i tillë vlerësohet "momentum i ri" nga njohës të çështjeve politike

Dialogu me Serbinë do të jetë nën udhëheqjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ka njoftuar ministri i këtij dikasteri, Glauk Konjufca, pas takimit me përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, të hënën.

Në njoftim është theksuar se në takim janë shkëmbyer pikëpamje mbi qasjen dhe parimet e nevojshme për të siguruar një proces më efektiv dhe të qëndrueshëm.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Konjufca ka theksuar se Kosova mbetet e përkushtuar që dialogun ta shohë si një mundësi për përmirësimin e marrëdhënieve fqinjësore me Serbinë, si dy shtete sovrane në rrugën e tyre drejt integrimit evropian.

“Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, priti në takim njoftues përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen. Gjatë takimit, Konjufca e informoi Sorensenin se procesi i dialogut tashmë do të jetë nën udhëheqjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Në takim u diskutua momentumi aktual në të cilin ndodhet dialogu, si dhe u shkëmbyen pikëpamje mbi qasjen dhe parimet e nevojshme për të siguruar një proces më efektiv dhe të qëndrueshëm”, thuhet në njoftimin e MPJD-së.

Sorensen është pritur edhe nga kryeministri Albin Kurti.

“Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar për normalizim të plotë të marrëdhënieve me Serbinë me njohje reciproke”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.

Korrespondenti i KOHËS, Augustin Palokaj, ka thënë se në Bruksel ka kohë që presin të sqarohet se a do të jetë MPJD-ja ajo që merret edhe me çështje të tjera evropiane, siç është procesi i integrimeve evropiane, në të cilin Kosova ndodhet apo dikush tjetër.

Duke folur për ndonjë takim të mundshëm të nivelit të lartë në dialog, të cilin e ka përmendur së fundi përfaqësuesja e lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, Palokaj ka thënë se është e rëndësishme që Kosova të mos shihet si përgjegjëse për dështimin e një takimi të tillë, nëse ai nuk mbahet.

“Dialogu formalisht mbetet i udhëhequr nga përqafuesja e lartë për politikë të jashtme dhe siguri. Takime të nivelit të lartë nuk ka pasur për një kohë të gjatë dhe Kaja Kallas pati deklaruar se do të bëjë përpjekje që sa më parë të organizojë një takim të tillë. Nëse vjen ftesë nga  Kaja Kallas për nivel të lartë të takimeve, Kosova duhet të bëjë gjithçka që të mos identifikohet përgjegjëse për dështimin e një takimi të tillë. Kjo pasi në të kaluarën Kosova ka pasur më shumë pasoja sesa Serbia dhe se ato janë vërejtur në mënyra të ndryshme”, ka thënë Palokaj.

E njohësi i zhvillimeve politike në Kosovë, Artan Muhaxhiri, beson që marrja e udhëheqjes së dialogut nga MPJD-ja shënon një "momentum të ri".

Ai ka paralajmëruar se çdo gjë në këtë proces do të varet nga "gatishmëria për të bërë kompromise dhe për të qenë realist".

"Dialogu do të duhej të ishte projekti kryesor i Qeverisë së Kosovës në muajt e ardhshëm", ka thënë ai.

Që nga shtatori i vitit 2023 nuk është mbajtur takim i nivelit të lartë në dialog.

Takimi ishte mbajtur pak ditë para sulmit terrorist në Banjskë, për çka Kosova e fajëson Serbinë lidhur me sulmin.

Procesi i dialogut ka vazhduar ndërkohë me një sërë raundesh të bisedimeve në nivel kryenegociatorësh.