Arbëri

Edhe PDK-ja bën thirrje për shkarkimin e ambasadorit Berishaj

Pas LDK-së edhe PDK-ja ka bërë thirrje për shkarkimin e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.

PDK-ja ka thënë se është skandaloze që përkundër fakteve që janë sjellë më herët, ambasadori Berishaj është mbrojtur nga pushtetarët aktualë.

“AKK-ja ka ngritur kallëzim penal kundër ambasadorit, i tillë çfarë ishte si rast ka hapur shumë dilema, e nga ana e qeveritarëve ka pasur pak përgjigje e ishin të çuditshme. Kjo ka ngjallur dyshime të shumta. Për ne si PDK ka qenë skandaloze që përkundër fakteve që janë sjellë më herët, ambasadori është mbrojtur nga pushtetarët aktual madje edhe nga kryeministri e presidentja. Pse ky ambasador është mbrojtur, për neve vazhdon të jetë enigmatike si ka mundësi që presidentja, edhepse kishte premtuar se do të kërkojë llogari nga ambasadori dhe e ka ftuar atë të përgjigjet me shkrim e të vijë në Prishtinë, kjo s’ka ndodhur”, ka thënë në konferencë për media zëdhënësi i PDK-së, Faton Abdullahu.

Abdullahu ka thënë se duan përgjigje se ku mbetën 600 mijë eurot e Berishajt.

“Ne duam të besojmë shumë dhe kërkojmë me ngulm që të jepen përgjigjet e faktuara mbi atë se ku mbetën 600 mijë eurot e këtij personi i cili ka qenë edhe anëtar i VV-së dhe promotor i kësaj partie në Slloveni dhe gjithandej Evropës, në veçanti të Kurtit politikan të cilin me anketa të shpikura nga Sllovenia, nga viti 2013 e këndej, proklamohej si fitues i zgjedhjeve. Firma e tij ka vetëm një të punësuar, konkretisht vetëm Martin Berishajn. Si është e mundur, ky qarkullim me vetëm një njeri? Pse ai nuk e ka deklaruar kompaninë e tij të cilën e ka në Mal të Zi? Pse edhe dy kompani të tjera me seli në Kosovë, Myloja L.L.C. dhe Zaslon Kosova L.L.C. nuk i ka deklaruar në formular”, theksoi ai.

Abdullahu ka thënë se PDK-ja kërkon të mbahen duart larg nga hetimi dhe Berishaj të shkarkohet urgjentisht.

“Marrë parasysh të gjitha këto dhe të tjerat si këto, ne si Parti Demokratike e Kosovës, kërkojmë që ambasadori Berishaj të shkarkohet urgjentisht, pos tjerash edhe me qëllim që të mundësohet hetim i drejtë dhe i papenguar. Kjo është dashur të bëhet edhe më herët, gjë që e kemi kërkuar ne si PDK. Kemi të drejtë të dyshojmë se do të ketë interferim të pushtetit populist në institucionin e pavarur siç është Prokuroria e Shtetit. Kërkojmë nga pushteti t’i mbajë duart larg nga hetimet, sidomos tash, kur kemi parasysh zellin populist që është treguar në mbrojtjen e ambasadorit Berishaj nga kryeministri Kurti dhe presidentja Osmani”, tha Abdullahu.

Reagime për Berishajn ka pasur edhe nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Sekretari i përgjithshëm i AAK-së, Muharrem Nitaj, ka thënë se rasti i Berishajt është një goditje për shërbimin diplomatik ë Kosovës.

“Kallëzimi penal kundër ambasadorit të Republikës së Kosovës në Kroaci, nuk është një kallëzim ordiner, por ai bëhet hiç më pak se sa nga Agjencia Anti-korrupsion. Skandalet financiare të tij janë përfolur muaj më parë, por kupolla e pushtetit e ka bërë të pamundurën që ta mbrojë ambasadorin e vet”, ka shkruar Nitaj në Facebook.

Ai ka shtuar se shkarkimi i tij është i pamjaftueshëm, ku sipas tij, llogari duhet të japin edhe mbrojtësit e tij.

“Shkarkimi i tij sot duket të jetë i pamjaftueshëm. Llogari duhet të japin edhe mbrojtësit e tij”, tha ai.