Arbëri

PDK-ja mbulon me fotografi të Berishajt e Kurtit objektin e Qeverisë

Me mesazhin “Qeveria e Martinit”, Partia Demokratike e Kosovës zhvilloi një aksion para objektit të Qeverisë të enjten mbrëma.

PDK-ja vendosi një projektor në objektin e Qeverisë ku shihen në fotografi kryeministri Albin Kurti dhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i përfolur për shpëlarje parash.

Deputetja opozitare, Eliza Hoxha, tha se Qeveria Kurti është shndërruar në “Qeverinë Martini”, pas pretendimeve se ambasadori ka tërhequr miliona euro nga kompania me seli në Beograd, GEN.

“Rrjedhimisht, kjo është Qeveria Martini dhe jo Qeveria Kurti. Kjo, edhe për një arsye tjetër. Ka afro një vjet që kur ka shpërthyer skandali i madh rajonal, në të cilin Martin Berishaj është i përfshirë bashkë mafinë rajonale energjetike të Serbisë, dhe kryeministri Kurti nuk po ndërmerr asgjë. Përkundrazi, po e mbron me xhelozi dhe vendosmëri, si mik personal që e ka”, tha Hoxha.

Ndërsa, kryetarja e Rinisë Demokratike të Kosovës, Arbnora Salihu, tha se ambasadori Berishaj po e dëmton imazhin e Kosovës.

“Në një kohë kur niveli i papunësisë tek të rinjtë në Kosovë vazhdon të mbetet mbi 35 për qind, e dyert e ambasadave janë përplot me të rinj të zhgënjyer që dëshirojnë të ikin nga vendi, Kosovën po e përfaqëson një ambasador si Martin Berishaj, i përfshirë në një aferë të madhe financiare me mafinë energjetike të Serbisë, duke dëmtuar shumë imazhin e vendit”, shtoi ajo.