Arbëri

Nis beteja politike për UP-në

Senati i UP-së, mes tensioneve brenda sallës e protestave jashtë Rektoratit, ka zgjedhur pesë anëtarë të Këshillit Drejtues, të cilët bashkë me katër anëtarë që emërohen nga ministrja e Arsimit do ta zgjedhin rektorin e ri. Akuza për politizim të procesit në nisje janë bërë, pasi në proces votimi për anëtarët e Këshillit Drejtues të Universitetit u përfshinë shtatë senatorët e rinj që përfaqësojnë studentët, pavarësisht se Statuti i UP-së thekson se mandati i tyre nis më 1 tetor

Senati i Universitetit të Prishtinës ka zgjedhur të premten pesë anëtarët e Këshillit Drejtues, organ kryesor qeverisës i Universitetit. Zgjedhja u bë mes polemikash, tensionesh e akuzash për ndërhyrje politike me qëllimin për të prodhuar një rektor të afërt me pushtetin.

Selim Bezeraj, Rifat Krasniqi, Azem Hajdari, Arjan Krasniqi dhe Naser Kabashi u zgjodhën anëtarë të Këshillit Drejtues, të cilët bashkë me katër anëtarë që do t’i emërojë ministrja e Arsimit kanë mandat që ta zgjedhin rektorin e ri. Zgjedhja ndodhi një ditë pas diskutimeve nëse duhet senatorët e rinj, që dolën pas zgjedhjeve studentore apo ata në përfundim të mandatit, të marrin pjesë në këtë proces votimi.

Derisa mbledhja mbahej, ka pasur një protestë të studentëve para Rektoratit, me qëllimin për të mos i lënë të merrnin pjesë në vendimmarrje shtatë senatorët e rinj të zgjedhur së fundmi, pasi konsiderojnë që ata nuk kanë pasur mandat ta bëjnë këtë, por senatorët që janë në përfundim të mandatit. Protesta është sprapsur nga policia.

Pas kësaj, ka reaguar Parlamenti Studentor.

“Sot, studentët senatorë dhe përfaqësuesit legjitimë të studentëve të cilët udhëheqin me organet më të larta të përfaqësimit studentor nuk janë lejuar që të futen në mbledhjen e Senatit të UP-së, ku po mbahen zgjedhjet e Këshillit Drejtues”, thuhet në reagim. “Pasi që rektori dhe u.d. i sekretarit të përgjithshëm për interesat e tyre klanore në vend të interpretimeve ata dhanë mendime personale. Këtu përfshihen edhe disa dekanë dhe profesorë të tjerë, që sot kanë shkelur nenin 44 të Statutit të Universitetit të Prishtinës që përcakton: ‘…Mandati i anëtarëve nga radha e studentëve është një vit, pa të drejtë të rizgjedhjes. Mandati i tyre fillon me 1 tetor’”.

Pavarësisht kësaj norme, ushtruesi i detyrës së sekretarit të UP-së ka dhënë interpretimin se mandati i senatorëve të rinj studentë do të nisë tani dhe jo më 1 tetor.

“Për interesa të tyre ata kanë ftuar përfaqësuesit e studentëve që fillojnë legjislaturën tjetër, më datë 1 tetor 2022, të votojnë sot më 24 qershor 2022”, thuhet në reagimin e Parlamentit të Studentëve. “Pasi dështuan ta vërtetojnë ligjërisht, ata ftuan Policinë e Kosovës që dhunshëm ta shtypin protestën legjitime të përfaqësuesve të studentëve. Parlamenti Studentor dhe studentët senatorë do të ngrenë kallëzim penal ndaj u.d. së sekretarit Besfort Krasniqi dhe rektorit Naser Sahiti për shkelje flagrante të Statutit të Universitetit të Prishtinës”.

Në Policinë e Kosovës nuk iu përgjigjën pyetjeve të KOHËS në lidhje me intervenimin në protestën e organizuar para Rektoratit.

Njohësi i arsimit, Jusuf Thaçi, i cili gjatë Qeverisë Kurti i ka qenë zëvendësministër i Arsimit, është treguar kritik për procesin e votimit.

“Meqë organizata studentore e LVV-së brenda Universitetit të Prishtinës (SKV, pra LVV) ia paska msy me kapë Këshillin Drejtues (KD) të UP-së, së paku do të duhej që këtë kapje ta bënte duke votuar njerëz dinjitozë për KD të UP-së, e jo me shpërfaqë aq brutalisht epshin për pushtet duke zgjedhur në organin më të lartë drejtues të UP-së njerëz që akuzohen për plagjiaturë e njerëz që nuk kanë kurrfarë vlere profesionale, shkencore e akademike”, ka shkruar Thaçi mes tjerash në llogarinë e tij në Facebook.

Edhe drejtori i Organizatës për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), Rron Gjinovci, ka reaguar pas zhvillimeve të së premtes në UP. Ai ka thënë se ky veprim tregon për kapje të UP-së nga Lëvizja Vetëvendosje që qeveris me vendin.

“Urime organizatës së VV-së në Universitet, SKV-së, e cila në koalicion me organizatën e Arian Janovës patën 7 senatorë studentë! Urime ministres Nagavci këtë përparim në arsimin e lartë! Urime kryeministrit fillimin e kapjes së institucioneve arsimore!”, ka shkruar Gjinovci në llogarinë e tij në Facebook. “Urime organizatave të shoqërisë civile dhe aktivistëve vazhdimin e luftës së vjetër me kundërshtarët e rinj”.

Pas këtyre akuzave ka reaguar ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci. Ajo ka thënë se për herë të parë Qeveria nuk ka ndërhyrë fare dhe ka vendosur të respektojë autonominë e Universitetit.

“Siç dihet Ministria e Arsimit dërgon 4 anëtarë për Këshillin Drejtues, prej të cilëve jemi munduar të bëjmë më të mirën, me ç’rast kemi dërguar anëtarë me integritet e kredibilitet profesional e personal, prej tyre 50% gra, të cilët angazhohen çdo ditë që gjendja në këtë Universitet të ndryshojë për të mirë”, ka deklaruar ajo. “Në anën tjetër, 5 anëtarë të Këshillit Drejtues vijnë nga Universiteti, të cilët u zgjodhën sot. Kjo përbërje manifeston nivelin e organizimit të brendshëm dhe frymën dominuese në këtë institucion. Fatkeqësisht zgjedhjet në Universitet edhe kësaj here dëshmuan mungesën e kapacitetit përbrenda këtij institucioni për ndryshime pozitive”.

KOHA ka raportuar të enjten nga Senati, në të cilin ka pasur diskutime të gjata nëse janë senatorët e vjetër apo ata të rinj, që përfaqësojnë studentët, që duhet të merrnin pjesë në zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Drejtues.

Për 60 minuta diskutuan anëtarët e Senatit dhe nuk arritën të vinin në një përfundim. E kjo i ka acaruar senatorët e Parlamentit Studentor, të cilët janë në përfundim të mandatit të tyre.

“Shkelje të tillë të statutit nuk e di që ka ndodhur në Universitetin e Prishtinës. Është shkelje direkte, është shumë e qartë për ne, ku thuhet se mandati i anëtarëve të Senatit nga radhët e studentëve është deri më 1 tetor, kurse mandati i të rinjve në Rregullore fillon më 1 tetor”, ka thënë Arbër Gecaj, anëtar senator nga radhët e studentëve që të premten nuk është lejuar të marrë pjesë në votim.

Në rastet kur ka mospërputhje të statutit dhe të rregulloreve, Komisioni Statutor do të duhej të jepte zgjidhje. Por ky komision nuk është funksionalizuar nga Këshilli Drejtues.

Në këtë mbledhje senatori Bujar Dugolli e quajti të çoroditur mënyrën se si funksionon organizimi studentor. Sipas Dugollit, studenti është i politizuar.

“Ky organizim studentor kur është i instaluar në Universitetin e Prishtinës pas luftës, është instaluar me qëllim me shpërbë fuqinë studentore brenda Universitetit të Prishtinës dhe të krijojë organizata që janë në shërbim të partive politike. Tash ju e vlerësoni a s’jeni dhe ata e vlerësojnë a janë apo s’janë, por problemet e tilla kanë ndodhur si rezultat që e politizon studentin””, ka thënë senatori Dugolli.

Pas zgjedhjeve studentore që janë mbajtur në fillim të qershorit, UP-ja hyn në cikël të përgjithshëm zgjedhor. Këshilli Drejtues do ta zgjedh rektorin, ndërkaq me votë të drejtpërdrejt do të zgjidhen senatorët që përfaqësojnë kuadrin akademik dhe administratën, e edhe anëtarët e këshillave të fakulteteve. Këshillat, ndërkaq, çojnë propozime për dekanët, e të cilët konfirmohen nga përbërja e re e senatorëve, që po kështu zgjidhen në secilin fakultet nga vota e profesorëve.