Për 60 minuta diskutuan anëtarët e Senatit të Universitetit të Prishtinës dhe nuk arritën të vinin në përfundim nëse janë senatorët e vjetër apo ata të rinj të Parlamentit Studentor që duhet të marrin pjesë në zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Drejtues.
Krejt kjo për shkak të një ambiguiteti ligjor ndërmjet Rregullores për Punën e Parlamentit Studentor dhe të Statutit të UP-së.
E, kjo i ka acaruar senatorët e Parlamentit Studentor, të cilët janë në përfundim të mandatit të tyre. Ata thonë se për interesa personale dhe politike nga menaxhmenti i Rektoratit nuk po lejohen të marrin pjesë në këto zgjedhje.
“Shkelje të tillë të statutit nuk e di që ka ndodhur në Universitetin e Prishtinës, është shkelje direkte, është shumë e qartë për ne, ku thuhet se mandati i anëtarëve të Senatit nga radhët e studentëve është deri më 1 tetor, kurse mandati i të rinjve në Rregullore fillon më 1 tetor” , ka thwnw Arbër Gecaj, anëtar senator nga radhët e studentëve.
Studentët paralajmëruan kallëzim penal ndaj menaxhmentit të Rektoratit.
Në rastet kur ka mospërputhje të statutit dhe të rregulloreve, Komisioni Statutor do të duhej të jepte zgjidhje. Por, ky komision nuk është funksionalizuar nga Këshilli Drejtues.
Në këtë mbledhje senatori Bujar Dugolli e quajti të çoroditur mënyrën se si funksionon organizimi studentor. Sipas tij, studenti është i politizuar.
"Ky organizim studentor kur është i instaluar në Universitetin e Prishtinës pas luftës, është instaluar me qëllim me shpërbë fuqinë studentore brenda Universitetit të Prishtinës dhe të krijojë organizata që janë në shërbim të partive politike. Tash ju e vlerësoni a s'jeni dhe ata e vlerësojnë a janë apo s’janë, por problemet e tilla kanë ndodhur si rezultat që e politizon studentin”, tha Dugolli.
Të premten Senati pritet të zgjedhë pesë anëtarët e Këshillit Drejtues. Ky Këshill është organi kryesor qeverisës i Universitetit.