Arbëri

Informatat për planifikim atentati, Marty vazhdon të qëndrojë në “arrest shtëpiak” rraskapitës

Dick Marty ne izolim personal

Ishte pak para Krishtlindjes së vitit 2020, kur Dick Marty mori një telefonatë e cila i ndryshoi jetën. Në anën tjetër të linjës ishte komandanti i Policisë së Kantonit të Ticinos. Marty nuk duhej të largohej nga shtëpia e tij, në asnjë rrethanë. Ai i tha se menjëherë po merrte rrugën në drejtim të tij, ndërsa deri atëherë Marty duhej të lëvizte sa më pak të jetë e mundur e të mos bënte telefonata të mëtejme.

Kanë kaluar thuajse një vit e gjysmë dhe pak ka ndryshuar sa i përket situatës së kërcënimit akut. Marty 77-vjeçar, një avokat, ish-prokuror publik që ndërmori veprime kundër mafisë, këshilltar i qeverisë liberale dhe këshilltar nga Kantoni i Ticinos, është nën një mbrojtje kaq të madhe policore, siç nuk ka njohur kurrë më parë Zvicra – apo të paktën nuk është thënë kurrë publikisht.

Në muajt e parë, njësitë speciale të armatosura u vendosën në shtëpinë e familjes së Martyt. Edhe Qeveria zvicerane u mor me rastin. Ministrja e Drejtësisë, Karin Keller-Sutter, bazuar në një kërkesë të Policisë së Kantonit të Ticinos, i paraqiti Këshillit Federal një kërkesë për një dislokim të përkohshëm të ushtrisë për të siguruar mbrojtjen e Martyt.

Në shtëpinë e Martyt u krijua një “dhomë e sigurt” në të cilën ai dhe familja e tij mund të futeshin, në rast të një sulmi me armë. Marty largohet shumë rrallë nga shtëpia e tij në Ticino, dhe e bën këtë vetëm me jelek anti-plumb dhe truproja.

Sipas informacioneve të NZZ-së, shkas për mbrojtjen rigoroze, që është shumë stresuese për Martyn dhe familjen e tij, është një informacion nga Kosova. Një burim, me të cilin qarqet policore zvicerane kanë qenë në kontakt për një kohë të gjatë në lidhje me procedurat penale ndërkufitare, tregoi për një urdhër nga Serbia për likuidimin e Dick Martyt.

Një operacion i njohur si “flamuri fals”?

Në prillin e vitit të kaluar Dick Marty në programin “Mise au Point” në televizionin zviceran RTS, tregoi se “qarqe të caktuara të shërbimit sekret serb” kanë punësuar ish-luftëtarë në Kosovë si vrasës me pagesë. Kjo kishte për qëllim për të vënë gjurmë të gabuara: për likuidimin e porositur nga qarqet serbe do t’i vihej faji kosovarëve. Një operacion i “flamurit fals” siç njihet në zhanër. Serbia nuk e ka njohur shtetësinë e Kosovës dhe vazhdon ta shohë republikën si një “krahinë të shkëputur”.

Por, pse Dick Marty? Marty u largua nga skena politike kombëtare në vitin 2011, por ai bëri bujë si raportues special për Këshillin e Evropës. Në këtë funksion ai kishte publikuar një raport në vitin 2010 për krimet e supozuara të kryera nga pjesëtarët e UÇK-së në Kosovë. Në të, Marty akuzon UÇK-në, ndër të tjera, për dëbime etnike, ekzekutime dhe tregti me organe të burgosurve të luftës.

Përgjegjës kryesor për këtë e bën Hashim Thaçin, ish-lider i UÇK-së, dhe ish-kryeministër i Kosovës e më vonë edhe president.

Bazuar në raportin e Martyt, dy vjet më parë, u ngrit akuzë ndaj Thaçit për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Në nëntor të vitit 2020, Gjykata Speciale e Kosovës në Hagë miratoi aktakuzën, Thaçi u desh të jepte dorëheqje dhe u arrestua. Disa javë më vonë, autoritetet zvicerane morën informacione nga Kosova për një porosi për vrasjen e Dick Martyt.

Shërbimi inteligjent serb BIA u mbrojt menjëherë kundër këtyre akuzave. Akuza të tilla në mënyrë të pajustifikueshme, do të shkaktonin dëme të mëdha në reputacionin e tyre, thuhej nga BIA.

Por, fakti se Dick Marty ende po mbrohet, sugjeron se informacionet nga Kosova po merren shumë seriozisht.

Skuadër vrasëse në Zvicër

Rasti i Martyt është i jashtëzakonshëm. Prej kohës ka pasur pretendime se shërbimet e huaja inteligjente jo vetëm që e përdorin Zvicrën e lirë si qendër për mbledhjen e informacioneve, por edhe për operacione të fshehta. Është shumë e lehtë të hysh dhe të dalësh nga Zvicra dhe pothuajse nuk monitorohesh fare, veçanërisht në Gjenevë ka diplomatë nga gjithë bota. Për shembull, u ekspozua në mënyrë spektakolare se dy anëtarë të shërbimit inteligjent ushtarak rus GRU siguruan qasje në kompjuterin e një punonjësi të Agjencisë Kanadeze të Anti-Dopingut në Lozanë në vitin 2016. Dy vjet më vonë, dy spiunë rusë u arrestuan në Holandë. Ata ishin rrugës për në Bernese Oberland, me sa duket për ta vëzhguar laboratorin Spiez – ku po kryheshin hetime për sulme me gaz helmues rus.

Janë dokumentar edhe sulme ndaj njerëzve në tokën zvicerane. Në vjeshtën e vitit 1957, shërbimi sekret francez vrau tregtarin zviceran të armëve Marcel Leopold para banesës së tij në Gjenevë: Ai ndër të tjera furnizonte rebelët algjerianë. Tre vjet më vonë, agjentët francezë likuiduan luftëtarin afrikan Felix Moumie në Gjenevë. E likuiduan me talium, një helm që përdoret për të luftuar minjtë.

Mjaft brutal është edhe rasti Rajavi, i cili ende nuk është zbuluar plotësisht. Në pranverën e vitit 1990, një skuadër vrasëse prej 13 personave që, sipas Policisë, kishte hyrë në vend me letra diplomatike iraniane, vrau profesorin universitar Kazem Rajavi në rrugën Coppet, në komunën Vaud. Rajavi po jetonte si refugjat politik në Zvicër.

Së fundi bëri bujë një veprim i shërbimit sekret turk MIT, që u pengua nga inteligjenca federale. Në verën e vitit 2016, agjentët sekretë tentuan ta rrëmbenin një shtetas zvicerano-turk.

Në afërsi të Cyrihut mbështetësi i Gylenit, ishte droguar dhe ishte marrë. Në plan kishin qenë të përfshirë edhe punonjës të lartë të Ambasadës Turke në Bern.

Peter Regi, ish-kreu i shërbimit inteligjent zviceran, ka vëzhguar prej disa kohësh sesi agjentë të “shteteve të qeverisura në mënyrë diktatoriale” shkojnë të punojnë në tokën zvicerane.

“Veçanërisht rusët, kinezët dhe turqit janë shumë aktivë. Ata spiunojnë bashkatdhetarët e tyre që jetojnë në Zvicër dhe nuk frenohen as nga kërcënimet. Shumë gëzojnë imunitet diplomatik, sepse janë të regjistruar zyrtarisht si punonjës të ambasadave”, ka thënë Regli.

Megjithatë kërcënimet akute si në rastin e Martyt janë shumë të rralla. Në ato raste duhet mbrojtje e madhe personave, siç po ndodh tash edhe me rusin Boris Bondarev, që dha dorëheqje si diplomat në OKB në Gjenevë, në shenjë proteste ndaj luftës së Putinit në Ukrainë.

Në rastin e njerëzve që kërcënohen me jetë dhe gjymtyrë, dalja me identitet të ri në një vend të huaj është provuar nga autoritetet, thotë Regli.

“Por, pse një qytetar si Dick Marty duhet të largohet nga vendi i tij? Shteti duhet të jetë në gjendje të mbrojë qytetarët e vetë, edhe nëse kjo kërkon kohë të gjatë dhe ka kosto të larta. Duhet vërë në lëvizje të gjitha levat politike”, thotë Regli.

Diplomacia në Ballkan

Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm dhe Zyra e Policisë Federale në kërkesë ka shkruar: “Autoritetet kompetente zvicerane janë në kontakt me autoritetet serbe në nivele të ndryshme”.

Në veçanti, një shkëmbim informacioni ishte iniciuar në nivelin policor.

Janë zhvilluar edhe takime në këtë nivel mes policisë zvicerane dhe asaj serbe. Ky shkëmbim përshkruhet si “profesional e konstruktiv”.

Sipas informacioneve që disponon NZZ-ja, Zvicra është aktivizuar edhe në nivel diplomatik. Sekretarja e Shtetit, Livia Leu, mësohet se po kujdeset për dosjen dhe është në kontakt me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Serbisë. Kontaktet me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Serbisë janë të rregullta dhe zhvillohen në nivele të ndryshme.

“Ato bëjnë të mundur diskutimin e gjitha temave me interes të përbashkët”, thuhet nga Departamenti i Zviceran i Punëve të Jashtme. Është konfirmuar se Sekretarja e Shtetit, Leu, do të udhëtojë në Beograd dhe Prishtinë, në fund të këtij muaji për të zhvilluar bisedime politike.

Dick Marty do të jetë i kënaqur të dëgjojë këtë. Shumë kohë më parë ai u bëri thirrje autoriteteve zvicerane që të bëjnë gjithçka për t’i dhënë fund makthit të tij.

“Nuk mund të kufizoheni në mbrojtjen e objektivit, pa pasur një strategji për ta eliminuar kërcënimin”, tha ai për televizionin zviceran RTS.

Marty nuk iu përgjigj pyetjeve të NZZ-së. Përmes mikut të tij, Franco Cavalli, ish-kryetar i grupit parlamentar të SP-së, ai thotë se situata e tij nuk ka ndryshuar rrënjësisht. Ai është ende në arrest shtëpiak rraskapitës – një izolim personal.