5 perditesime
13:13

Përfundon protesta, veteranët zotohen të bllokojnë Kuvendin dhe Qeverinë

Ka përfunduar protesta e veteranëve të UÇK-së. Protesta që nisi në orën 10:00 në sheshin “Skënderbeu” para Kuvendit, eskaloi, pasi protestuesit kaluan rrethojat dhe u futën në oborrin e Kuvendit. Protestuesit tentuan të futen edhe brenda Kuvendit, por u ndaluan nga Policia.

Policia ka njoftuar për dy policë dhe një protestues të lënduar.

“Protesta u thirr për ta përcjell seancën e Kuvendit. E pamë që e ka kundërshtuar opozita. Në votim s’morën pjesë, turp për 51 deputetët që votuan, për t’i hequr veteranët nga paga minimale. Si OVL kërkojmë të rritet paga minimale për të gjithë, së paku 300-400. Me ligj, Qeveria e ka mundësi ta rrisë pensionin e veteranit”, deklaroi u.d. i kryetarit të OVL UÇK-së, Faton Klinaku.

Ai mohoi raportin e Policisë se u hodh gaz lotsjellës nga protestuesit.

"Gazin e hodhi dikush nga dritaret e Kuvendit", shtoi ai.

Organizatat e dala nga lufta e UÇK-së po shprehin pakënaqësitë për mospërfshirjen e veteranëve në ngritjen e pagës minimale, që është propozuar nga Qeveria.

Bazuar në Ligjin në fuqi, rritja e pagës minimale nënkupton edhe rritjen e pensioneve për veteranët e UÇK-së. Por, me projektligjin e ri të pagës minimale, Qeveria Kurti nuk i përfshiu veteranët në këtë rritje.

Qeveria e Kosovës ka thënë se nuk ka lidhshmëri të pagës minimale me pensionin e veteranëve pas heqjes së nenit 18 të Ligjit bazik për veteranët e luftës së UÇK-së që përcaktonte lidhshmërinë. Ndryshimi ishte bërë në vitin 2017, tri vjet pas miratimit të ligjit bazë.

Në një përgjigje për KOHËN, Zyra e Kryeministrit ka thënë se duke i marrë parasysh pasiguritë juridike që mund të krijohen, tashmë janë ndërmarrë veprime për të eliminuar “pasiguritë juridike”.

12:53

Dy policë dhe një qytetar të lënduar në protestën e veteranëve para Kuvendit

Policia e Kosovës ka njoftuar se dy zyrtarë të këtij institucioni dhe një qytetar kanë pësuar lëndime në protestën e mbajtur të hënën para dhe në oborrin e Kuvendit të Kosovës nga veteranët e UÇK-së.

Protestuesit nisën protestën në sheshin “Skënderbeu”, por më pas kaluan rrethojat dhe u futën në oborrin e Kuvendit. Tentuan të futen edhe brenda në Kuvend.

“Si pasojë e sulmit dhe hedhjes së mjeteve të ndryshme ndaj zyrtarëve policorë, dy zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime të natyrave të ndryshme, të cilëve iu është ofruar tretmani mjekësor. Po ashtu sipas informacioneve të deritanishme një qytetar ka kërkuar ndihmë mjekësore si pasojë e gazit të hedhur”, thuhet në njoftim.

Policia më tej ka thënë se ndaj protestuesve nuk është përdorur gaz lotsjellës, por se gaz është hedhur nga disa protestues brenda masës.

“Policia e Kosovës, me qëllim të informimit të drejt të opinionit publik, informon se në asnjë rast apo rrethanë nuk është përdorur gaz lotsjellës ndaj protestuesve, por dyshohet se lloji i gazit/tymit, është hedhur nga persona/protestues brenda masës”, thuhet më tej në njoftim.

10:57

Një polic lëndohet në protestën e veteranëve brenda oborrit të Kuvendit

Një polic është lënduar gjatë protestës që po mbahet në Kuvendin e Kosovës nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Zyrtari policor është parë të jetë i gjakosur, derisa anëtarë të njësive policore po tentojnë të mbajnë rendin në oborrin e Kuvendit.

Pas këtij rasti, në vendin e ngjarjes ka mbërritur edhe ambulanca.

Protesta e veteranëve ka eskaluar pas futjes së tyre në oborr dhe tentimit për t'u futur brenda në Kuvend. Gjatë kësaj proteste, policia ka përdorur sprej për të larguar turmën.

 
Policia përdor sprej për t'i zmbrapsur protestuesit

Policia përdor sprej për t'i zmbrapsur protestuesit

Posted by Koha.net on Monday, June 6, 2022

10:42

Veteranët futen në oborrin e Kuvendit

Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i kanë thyer rrethojat e janë futur në oborrin e Kuvendit të Kosovës.

U.d. i kryetarit të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku, deklaroi se ligji për pagën minimale nuk duhet të votohet në Kuvend, duke shtuar se nëpërmjet këtij ligji tentojnë t’i largojnë veteranët.

“Duhet të protestojmë për vlerat e asaj lufte, ne kishim takim me pushtetin dhe i kemi treguar qëndrimet tona”, shtoi ai.

Organizatat po shprehin pakënaqësitë për mospërfshirjen e veteranëve në ngritjen e pagës minimale, që është propozuar nga Qeveria.

 
Eskalon situata, veteranët futen në oborrin e Kuvendit

Eskalon situata, veteranët futen në oborrin e Kuvendit

Posted by Koha.net on Monday, June 6, 2022

 

10:40

Veteranët tentojnë të futen në Kuvend

10:22

Nis protesta e veteranëve para Qeverisë

Me flamuj kuq e zi e të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, disa qindra qytetarë janë mbledhur në sheshin "Skënderbeu" në Prishtinë, para Qeverisë së Kosovës.

Organizatat e dala nga lufta e UÇK-së po protestojnë kundër siç kanë thënë, diskriminimit që po iu bëhet veteranëve, invalidëve dhe familjeve të dëshmorëve.

Organizatat po shprehin pakënaqësitë për mospërfshirjen e veteranëve në ngritjen e pagës minimale, që është propozuar nga Qeveria. /ksp

Image