Arbëri

Krerët e shtetit – ambasadorëve të QUINT-it: Vettingu, parakusht për forcimin e sundimit të ligjit

Pak ditë para se Komisioni i Venecias të dalë me opinion, krerët e shtetit u kanë thënë ambasadorëve të shteteve të QUINT-it se vettingu është parakusht për forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë.

Në një komunikatë për media të premten bëhet e ditur se në një takim që kanë pasur, presidentja Vjosa Osmani, kryeparlamentari Glauk Konjufca dhe kryeministri Albin Kurti me ambasadorët e QUINT-it, është diskutuar rreth procesit të vettingut dhe rëndësinë për forcimin e sundimit të ligjit.

“Në takim është diskutuar bashkërendimi i institucioneve të Republikës së Kosovës me shtetet e QUINT-it dhe BE-së rreth procesit të vetingut në Kosovë. Liderët instititucionalë përcollën mesazhe mbi rëndësinë e patjetërsueshme dhe jetike për ndërtim të një sistemi të qëndrueshëm dhe afatgjatë të vetingut, për të garantuar sistem të drejtësisë me integritet të lartë, profesionalizëm dhe efikasistet, i cili i përgjigjet nevojave të qytetarëve për drejtësi. Gjithashtu, ata përsëritën përkushtimin e institucioneve të Kosovës që ky proces të ndërtohet dhe zbatohet duke i respektuar standardet më të larta evropiane, të cilat garantojnë pavarësinë, efikasitetin dhe efektivitetin e institucioneve të drejtësisë, dhe për të cilat Kosova ka kërkuar opinion nga Komisioni i Venecias”, thuhet në njoftim.

Në Ministrinë e Drejtësisë javë më parë, kanë thënë që opinioni final i Komisionit të Venecias pritet të përfundohet në muajin qershor.

Në draft-opinion, të cilin e ka parë KOHA, rekomandohet që verifikimi i prokurorëve dhe gjyqtarëve të bëhet nga mekanizmat përbrenda KPK-së e KGJK-së, e juristët i kanë thënë televizionit se rastet kur opinioni dallon në thelb nga draft-opinioni, janë të rralla.

Në Vetëvendosje është folur gjatë për vettingun. Ky proces ka qenë një prej shtyllave kryesore për të cilat ka folur kryeministri Albin Kurti në fushatë.