Nëpërmjet një konferencë te jashtëzakonshme, të mbajtur të shtunën, kryeministri i Kosovës e ministrja e Drejtësisë kanë bërë të ditur se i kanë pranuar opinionet e Komisionit të Venecias për vettingun në drejtësi e për Byronë për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme. Kurti e Haxhiu thanë se kanë marrë mbështetje të plotë në jetësimin e këtyre reformave, por opinionet parafinale, të siguruara nga KOHA, kanë gjetur mangësi.
Mbështetje të plotë, ekzekutivi po thotë se Komisioni i Venecias i ka dhënë Vettingut e Projektligjit për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.
Nëpërmjet një konference për media, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Komisioni i Venecias ia ka falur Qeverisë së Kosovës besimin e plotë për ta kryer reformën në drejtësi.
E kjo, siç tha Kurti, nuk mund të bëhet me akterët aktualë, porse do të bëhet me mekanizma të jashtëm që janë të pavarur.
“Reformimi i gjyqësorit përbrenda nën ndikimin e mekanizmave aktualë dhe akterëve momentalë nuk është i mundur. Këtë e kemi të konfirmuar edhe nga opinionet e pranuara të Komisionit të Venecias. Derisa nuk ka dyshim që mekanizmat e ndërtuar kanë potencial të sigurojnë pavarësi, të njëjtën nuk mund ta bëjmë nën drejtimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të veshur me dyshimin për mungesë etike, profesionalizmi e efikasiteti”, ka thënë Kurti.
E ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se do të ketë vetting të plotë, por në fjalën e saj përmendi se procesit do t’i nënshtrohen vetëm krerët e institucioneve të drejtësisë dhe jo gjyqtarë e prokurorë në pozita më të ulëta.
Për gjyqtarët e prokurorët e tjerë, ajo përmend vlerësimin e rregullt të Këshillave tashmë ekzistues.
“Vetting do të ketë së pari duke filluar nga krerët e sistemit të drejtësisë dhe më pas do të garantohet kontrolli permanent i integritetit për të gjithë sistemin. Pra trupat që do të verifikohen nga një trupë profesionale e pavarur, pastaj do ta marrin mandatin për verifikimin e integritetit për secilin prokuror dhe secilin gjyqtar në Republikën e Kosovës”, ka deklaruar Haxhiu.
Në një draft parafinal të Komisionit të Venecias, që e ka siguruar KOHA, thuhet se vetting, me ndryshime kushtetuese, mund të bëhet vetëm për krerët në sistemin të drejtësisë.
Ndryshe nga siç u prezantua në konferencë nga kryeministri e ministrja, Komisioni i Venecias ka gjetur mangësi edhe në Projektligjin për byronë për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.
“Për Byronë për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, Komisioni gjen se korrupsioni është problem serioz e sistematik dhe, sipas anëtarëve që kanë punuar në këtë opinion, lufta ndaj korrupsionit duhet të rritet dhe se konfiskimi civil mund të jetë i dobishëm për të”, ka thënë ministrja.
Por, sipas raportuesve të Komisionit, problemi nuk qëndron te Ligji aktual për konfiskimin e pasurisë, por tek implementimi i tij.
Kësisoj në opinion shprehen dyshime nëse krijimi i një organi të ri do ta bënte luftën kundër korrupsionit vërtet më efektive.
“Është edhe më tej e dyshimtë nëse formimi i një trupi të ri do ta bënte më efektive luftën kundër korrupsionit – ose do ta komplikonte tërë sistemin në të cilin tashmë janë të përfshirë një numër trupash, siç janë policia, shërbimi prokurorial, autoritetet e taksave dhe doganave dhe Agjencia Kundër Korrupsionit”, thuhet aty.
Ehat Miftaraj nga IKD-ja i ka quajtur interesante deklarimet e Qeverisë për opinionet e Komisionit të Venecias, të cilat ka thënë se po kuptohen ndryshe nga politika dhe ndryshe nga juristët.
“Vetting po, por jo si është kërkuar. Sidoqoftë, fillim i mirë dhe tash kërkesa të zbatohet në praktikë pikë për pikë sipas rekomandimeve në opinion. Sfida, të binden partnerët ndërkombëtarë dhe konsensusi politik. Byroja, jo si është propozuar. Propozimi i Qeverisë, të meta të mëdha që cenojnë sigurinë juridike, cenojnë sistemin aktuale, cenojnë të drejtat dhe liritë themelore, sipas Komisionit të Venecias”, ka shkruar ai në Facebook.
Opinionet pritet të bëhen publike së shpejti.