Arbëri

Vettingu në drejtësi, Komisioni i Venecias kundër Qeverisë

Një prej premtimeve kryesore, me të cilat Vetëvendosja ka ardhur në pushtet, është vettingu në sistemin e drejtësisë.

Por këtij procesi, kundër i ka dalë Komisioni i Venecias.

Interpretimin e këtij institucioni lidhur me procesin e ka kërkuar Ministria e Drejtësisë, e në draftopinion e tij, të cilin e ka parë KOHA, komisioni ka treguar qartë se është kundër vettingut.

Në përfundimet e draft-opinionit rekomandohet që verifikimi i prokurorëve dhe gjyqtarëve të bëhet nga mekanizmat përbrenda KPK-së e KGJK-së.

“Për ta përmbledhur, Komisioni i Venecias rekomandon futjen e ndryshimeve legjislative që do të përmirësonin sistemin aktual të disiplinës gjyqësore, si një zgjerim i plotë i Opsionit 2, kjo ka të bëjë veçanërisht me forcimin e sistemit të deklarimit të pasurisë dhe forcimin e njësive të verifikimit brenda KGJK-së dhe KPK-së. Ndryshimet kushtetuese (Opsioni 5) duhet të merren parasysh vetëm nëse ndryshimet legjislative rezultojnë të pamjaftueshme”, thuhet në draft-opinion.

Genc Nimoni, shefi i Kabinetit të ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se është pranuar një draft lidhur me çështje, porse ka shtuar që opinioni final do të dalë gjatë muajit qershor.

“Ministria e Drejtësisë ka pranuar një draftopinon lidhur me koncept-dokumentin për procesin e vettingut. Nga Komisioni i Vencias është vetëm një draft. E kemi pranuar gjatë muajit mars dhe disa ditë pas pranimit të draftopinionit ne kemi qenë në Vencia, kemi pasur seancë në Venecia. Kemi diskutuar për të, ndër të tjera qysh është bërë edhe publike. Kemi kërkuar që të shtyhet afati dhe presim që në qershor ta kemi draftin final ose opinionin final të Komisionit”, tha Nimoni.

Ai ka theksuar se nuk mund të flasë lidhur me atë së çfarë përmban draftopinioni, për shkak të konfidencialitetit të dokumentit, por ka bërë të ditur se nuk do të hiqet dorë nga vettingu.

“Ajo çka mund të themi është që Ministria e Drejtësisë mbetet e përkushtuar për zhvillimin e procesit të vettingut dhe është duke trajtuar këtë”, tha Nimoni.

E për Ehat Miftarajn nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, draft-opinioni e reflekton edhe qëndrimin e Komisionit Evropian për procesin, në Raportin e Progresit.

“Nuk e kam parë dokumentin, por në bazë të koncept-dokumentit që Ministria e Drejtësisë e ka dërguar në Komisionin e Venecias, mund të themi që nuk kemi pritur një opinion ndryshe nga ajo që po përflitet që Komisioni i Venecias po thuhet që ka qëndrimin e njëjtë me konkluzionet që kanë dalë në Raport të Progresit që Kosova duhet t’i shfrytëzojë të gjitha mundësitë para se ta kalojë në një proces të vettingu”, tha Miftaraj.

Nga Vetëvendosja është folur gjatë për vettingut. Ky proces ka qenë një prej shtyllave kryesore për të cilat ka folur kryeministri Albin Kurti në fushatë.

“Pjesë integrale dhe e domosdoshme e sistemit të drejtësisë është gjyqësori i pavarur, i paanshëm, me integritet dhe efikas. Për të arritur këtë, nivelet më të larta hierarkike të sistemit të drejtësisë dhe jo vetëm, do t’i nënshtrohen procesit të vettingut. Nëpërmjet këtij procesi synohet të arrihet integriteti gjyqësor dhe prokurorial dhe do të kthehet besimi i qytetarëve në institucionet e drejtësisë. Duke pasur parasysh rëndësinë e këshillave, procesi i vettingut do të nisë nga Këshilli Gjyqësor dhe Prokurorial”, kishte thënë kryeministri Albin Kurti, në shkurt të vitit 2021.