Një delegacion i Komisionit të Venecias i ka takuar të premten krerët e institucioneve në Kosovë. Në takime të ndara me presidenten Vjosa Osmani, e kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, është diskutuar në lidhje me procesin e vettingut. Muaj më parë, ky institucion ka dalë me draft-opinion e që përmbajtja e tij qartazi tregon që nuk e përkrah procesin e vettingut. Megjithatë, opinioni final pritet të prezantohet në muajin qershor.
Kanë mbetur pak javë para se Komisioni i Venecias të lëshojë opinion në lidhje me planet e Qeverisë së Kosovës për vettingun në drejtësi.
Draft-opinioni i parë i Komisionit të Venecias qartazi nuk e shihte si zgjidhje vettingun.
Pak kohë para se Komisioni i Venecias të dalë me opinion, dy zyrtarë të këtij institucioni, raportuesja Grainne McMorrow, zëvendëssekretari Schnutz Dürr, si dhe shefi i Zyrës së Këshillit të Evropës në Kosovë, Frank Power, kanë zhvilluar takime me krerët e institucioneve të Kosovës.
Ata janë takuar me presidenten Vjosa Osmani. Nëpërmjet një komunikate për media, Osmani ka njoftuar që temë diskutimi ka qenë edhe procesi i vettingut.
“Presidentja Osmani theksoi se një proces i mirëfilltë dhe profesional i vettingut është jetik për ta forcuar sundimin e ligjit, si dhe për të garantuar integritetin, efikasitetin dhe profesionalizmin e sistemit të drejtësisë. Si i tillë, procesi i vettingut ka për synim forcimin e cilësisë së sistemit të drejtësisë, i cili ndikon drejtpërdrejt në përmirësimin e jetës së qytetarëve të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën e Presidencës.
Edhe
Këshilli Prokurorial dhe ai Gjyqësor bojkotojnë sërish takimin punues për vettingun
Delegacioni i Komisionit të Venecias u takua edhe me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca. Vettingu ishte temë e diskutimit edhe në këtë takim.
“Në takim, ndër të tjera, u diskutua për reformën në drejtësi, me theks të veçantë në procesin e vettingut dhe rëndësinë e këtij procesi për sundimin e ligjit dhe shtetit të së drejtës. Kryetari Konjufca, duke e konsideruar procesin e vettingut si thelbësor për zbatimin e reformës në drejtësi, shprehu gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit dhe vlerësoi kontributin e këtij Komisioni në ofrimin e opinioneve dhe rekomandimeve në lidhje me çështjet ligjore që trajtohen në institucionet e Republikës së Kosovës”, ka njoftuar Kuvendi.
Në Ministrinë e Drejtësisë javë më parë, kanë thënë që opinioni final i Komisionit të Venecias pritet të përfundohet në muajin qershor.
Në draft-opinion, të cilin e ka parë KOHA, rekomandohet që verifikimi i prokurorëve dhe gjyqtarëve të bëhet nga mekanizmat përbrenda KPK-së e KGJK-së, e juristët i kanë thënë televizionit se rastet kur opinioni dallon në thelb nga draft-opinioni, janë të rralla.
Në Vetëvendosje është folur gjatë për vettingun. Ky proces ka qenë një prej shtyllave kryesore për të cilat ka folur kryeministri Albin Kurti në fushatë.
Edhe
Shoqëria civile kërkon konsensus politik për vettingun: I pjesshëm, por të fillojë