9 perditesime
17:07

Blinken shpreh ngushëllime për familjet që humbën anëtarët në aksidentin në Bullgari

Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, ka reaguar pas tragjedisë së ndodhur ditën e sotme në Bullgari ku humbën jetë tw paktwn 45 persona që po ktheheshin nga një udhëtim në Stamboll.

Blinkeni u shpreh se Departamenti amerikan i Shtetit dhe populli amerikan shprehin ngushëllime për humbjet e jetëve.

“DASH-i dhe populli amerikan shprehin ngushëllimet për popullin e Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë për humbjen tragjike të jetëve në aksidentin e sotëm të autobusit dhe në zjarrin e rënë në shtëpinë e të moshuarve. Zemra jonë është me ata që janë në zi ndërsa të lënduarve u urojmë shërim të shpejtë”, ka shkruar Blinken në Twittter.

Shumica e të vdekurve sot janë shqiptarë nga Maqedonia e Veriut.

16:43

Eksperti: Zjarri ka ndodhur për shkak të gabimit të shoferit, u shpërqendrua

Detaje të reja janë dhënë për aksidentin e rëndë që ndodhi në Bullgari mëngjesin e së martës. Sipas informacioneve fillestare, autobusit i ka plasur goma e përparme djathtas, e më pas është përplasur në parmakë dhe e është zvarritur. Në atë moment është derdhur karburanti që lidhet me ngrohjen në autobus, pas çka ka rënë zjarri. Kjo ka ndodhur në pjesën e përparme të autobusit. Këto detaje u zbuluan në një deklaratë për Televizionin Kombëtar Bullgar nga Vasko Pirgov, i cili është ekspert i motorëve me djegie të brendshme dhe ishte ndër të parët që mbërriti në vendin e tragjedisë në mëngjes, shkruan Alsat M.

Sipas tij, shoferi pranë karrigeve të përparme ka pasur tuba të mbushur me naftë, dhe për këtë shkak ka ndodhur shpërthimi.

“Zjarri ka ndodhur për shkak të gabimit të shoferit, i cili është shpërqendruar në rrugë. Aty është një çezmë ku ndalen njerëzit që kanë ndonjë nevojë, është për pauzë, ka disa lokacione të këtilla dhe është e thurur me bankinë. Duke hyrë në bankinë, shoferi ka goditur dhe e ka thyer shenjën që tregon se aty ka çezmë. Ajo shenjë ka fluturuar rreth 35 metra. Me siguri autobusi ka lëvizur me shpejtësi më shumë se 100 km në orë. Autobusi nuk ka shenja frenimi, do të thotë, shoferi nuk ka reaguar në mënyrë përkatëse”, deklaroi Pirgov, ekspert për motorë me djegie të brendshme.

Megjithatë, organet bullgare të hetimit nuk kanë vërtetuar nëse në autobus ka pasur fuçi me karburant. Në zbulimin e shkaqeve të tragjedisë do të punojnë vetëm organe bullgare të hetimit.

“Po vijmë sërish te versionet kryesore, a është gabim njerëzor apo mosfunksionim teknik i autobusit? Ka qenë edhe shoferi i dytë, por nuk mund të themi nëse ka shpëtuar. Mendojmë se të dy shoferët nuk kanë mbijetuar”, pohoi Borisllav Sarafov, Shërbimi hetimor kombëtar i Bullgarisë./ AlsatM

15:55

Flet i afërmi i familjes 4-anëtarëshe që u shua në aksidentin në Bullgari

Avni Ahmeti bashkë me gruan dhe dy fëmijët e tij janë në mesin e viktimave të aksidentit që ka ndodhur në Bullgari ku të vdekur mbetën së paku 45 persona.

E Besmir Bajrami, i afërm i Ahmetit ka rrëfyer për Kohën detaje të reja për familjen.

Ai ka thënë se Avniu dy vjet më parë kishte shkuar në Gjermani për të punuar. Kësaj radhe në Turqi bashkë me familje, kishte shkuar për pushime.

Të njëjtit janë në mesin e viktimave.

14:42

MPJ: Në mesin e të shpëtuarve nga aksidenti në Bullgari edhe shqiptari nga Presheva

Në mesin e shtatë personave të cilët kanë shpëtuar nga aksidenti në Bullgari që ua mori jetën së paku 45 personave është edhe një shqiptar nga Presheva.

Siç ka bërë të ditur Ministria e Punëve të Jashtme bëhet fjalë për Lulzim Sylejmanin 26-vjeçar, shtetas i Serbisë i cili jeton në Preshevë.

Ndërkaq është bërë me dije se personat e shpëtuar janë jashtë rrezikut për jetë.

Familjarët dhe miqtë e viktimave në aksidentin e autobusit në autostradën Struma janë duke ardhur në Bullgari për të marrë informacione, raporton BT Novinite. Ata thonë se askush në Maqedoni të Veriut nuk po i informon.

Ata po qëndrojnë përballë spitalit Pirogov në Sofje ku janë shtrirë shtatë të mbijetuarit e aksidentit.

“Ne erdhëm për të zbuluar se cilët janë të mbijetuarit. Nuk e dimë kush janë”, tha një i moshuar.

Nga personat e lënduar, gjashtë kanë djegie dhe një ka marrë lëndim në këmbë.

Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka thënë se së paku dhjetë fëmijë kanë vdekur, ndërsa edhe viktimat tjera janë të moshës mjaft të re.

Një familjar që gjendet në Pirogov, ka thënë se është një i afërm i njërit prej shtatë të mbijetuarve.

“Unë jam një i afërm i njërit prej pasagjerëve të mbijetuar. Këta që pashë janë në gjendje të mirë”, ka thënë ai.

Sipas tij, të mbijetuarit janë mirë, por në gjendje shoku dhe nuk mund të flasin.

Mes të shtruarve ka edhe një familje. Pacienti më i ri është 16 vjeç dhe të tjerët janë të moshave 40 deri në 50 vjeç.

13:31

Në autobus ishte edhe një shofer i dytë, nuk dihet nëse është në mesin e të mbijetuarve

Në autobusin e aksidentuar në Bullgari ishte edhe një shofer i dytë, por nuk dihet nëse ai është në mesin e të mbijetuarve, ka thënë drejtori i Shërbimit Kombëtar të Hetimeve në Bullgari, Borislav Sarafov, raporton “BT Novinite”.

“Disa ekipe janë duke i marrë në pyetje të mbijetuarit e aksidentit, që janë në spitalin Pirogov. Vetëm dy prej tyre janë aktualisht në gjendje adekuate, të tjerët janë në kujdes intensiv e në shok. Dëshmitaraët okularë po merren në pyetje në vendin e ngjarjes”, ka thënë Sarafov.

Në vendin e ngjarjes gjenden edhe kryeprokurori i Maqedonisë së Veriut, Lubomir Joevski dhe kryetarja e Prokurorisë së Specializuar të Maqedonisë së Veriut, Vilma Ruskovska.

“Kjo është një tragjedi shumë e madhe. 12 fëmijë vdiqën. Së bashku me kolegët tanë nga Bullgaria kemi rënë në dakord për punën tonë të mëtejshme, e për të shpjeguar detajet e tragjedisë. Shprehi ngushëllimet e mia për familjet e viktimave e mirënjohjen për reagimin e shpejt autoriteteve të Bullgarisë”, ka thënë Joevski.

“Pronari i kompanisë ka dëshmuar e ka thënë se në 20 vjetët sa operon kjo kompani transporti s’ka pasur asnjë incident. Po i kontrollojmë informacionet se kur është regjistruar autobusi, kur ka kaluar kontrollin teknik dhe do t’ua dërgojmë kolegëve tanë në Bullgari”, tha Ruskovska.

Sipas Sarafovit, bazuar në informacionet thuhet se autobusi është i ri, i prodhuar tri vjet më parë.

Ai ka thënë se do të duhet të merren mostra nga të afërmit për të identifikuar viktimat në autobus.

“Kemi mbajtur takim të përbashkët pune me kolegët tanë nga Maqedonia e Veriut, në të cilën kemi specifikuar linjat e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar, duke përfshirë marrjen e dokumenteve nga fqinji ynë dokumentet e nevojshme për autobusin, transportuesin, për pasagjerët dhe marrjen sa më të shpejtë të materialit biologjik nga të afërmit për të identifikuar viktimat në autobus”, ka shtuar Sarafov.

Në autobusin që u aksidentua në perëndim të Bullgarisë e i cili ishte i linjës Stamboll – Shkup, vdiqën së paku 45 persona, pjesa dërrmuese e tyre shqiptarë nga Maqedonia e Veriut. 

13:05

Maqedonia e Veriut shpall tri ditë zie

Qeveria e Maqedonisë së Veriut i ka shpallur tri ditë zie për shkak të aksidentit të autobusit në Bullgari, ku vdiqën të paktën 46 persona.

Flamujt shtetërorë para Qeverisë tashmë janë ulur në gjysmështizë./Alsat/

12:00

Në mesin e viktimave në Bullgari është edhe vajza e politikanit Muhedin Brava

Në mesin e viktimave në aksidentin në Bullgari është edhe e bija e politikanit Muhedin Brava, përfaqësues i Aleancës për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.

E humbjen e të bijës e ka bërë të ditur vetë ai përmes një postimi në Facebook.

“U takofshim në lulet e xhenetit bija ime Sumeja”, ka shkruar ai.

Mediat në Bullgari raportojnë për 45 të vdekur dhe 7 persona të cilët kanë arritur të mbijetojnë nga aksidenti. Për ta njoftohet se janë jashtë rrezikut për jetë.

 

Inna lillahi wa inna ilahin rajiun U takofshim ne lulet e xhenetit bija ime Sumeja

Posted by Muhedin Brava on Tuesday, November 23, 2021

 

10:44

Familjarët e viktimave të aksidentit në Bullgari: S’kemi asnjë informacion nga institucionet

Xhelal Bakiu, familjar i një prej personave që ishte brenda në autobus është ankuar për mungesë informacionesh.

Ai ka thënë se ende nuk kanë asnjë informacion as nga institucionet e as nga agjencia për personat që ishin brenda autobusit.

“Ishte ora 6 e mëngjesit dhe e pash lajmin. Prej momentin që e pash këtë lajm kemi ardhur këtu sepse në autobus e kisha kushëririn. Deri tash nuk kemi informacion. Së paku duhet të na informojnë për ata persona se a janë mirë a kanë shpëtuar. Kushëriri im ishte vet dhe është 46-vjeçar. Ne e kërkojmë në rrjete sociale por nuk kemi asnjë informatë për të”, ka thënë ai.

10:13

Drejtori i policisë bullgare: 50 pasagjerët në autobus, me origjinë shqiptare

Drejtori i përgjithshëm i policisë bullgare Stanimir Stanev, ka deklaruar se në autobusin e përfshirë nga flakët mëngjesin e sotëm po udhëtonin 52 pasagjerë.

Ai ka deklaruar se 50 pasagjerët kanë qenë me origjinë shqiptare ndërsa dy shoferët ishin me origjinë maqedonase.

“Sipas informacioneve të para 52 pasagjerë ishin duke udhëtuar me autobusë, përfshirë dy shoferë me kombësi maqedonase dhe 50 pasagjerë me kombësi shqiptare”, ka thënë ai.

Edhe nga Ambasada e Maqedonisë së Veriut në Bullgari kanë konfirmuar se shumica e pasagjerëve në autobusë ishin nga Maqedonia e Veriut.

Ndërkohë, para zyrave të agjencisë “Besa Trans” kanë filluar të mblidhen familjarë të të aksidentuarve në Bullgari./Alsat/

08:28

Xhaçka: Viktimat në aksidentin në Bullgari janë shqiptarë nga Maqedonia e Veriut

Ministrja e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Olta Xhaçka, ka reaguar pas aksidentit në Bullgari ku humbën jetën 46 persona.

Xhaçka ka thënë se viktimat janë shqiptarë nga Maqedonia e Veriut.

“Dhimbje e madhe për 45 jetët e humbura të shqiptarëve nga Maqedonia e Veriut gjatë aksidentit tragjik në Bullgari. Ngushëllimet më të sinqerta familjeve të viktimave dhe shërim të shpejtë të plagosurve. Shqipëria është pranë Maqedonisë së Veriut dhe popullit të saj në këtë moment të vështirë!” – ka shkruar Xhaçka në Facebook.

Në një prononcim të mëhershëm, kryeministri maqedonas Zoran Zaev foli për 46 viktima por nuk specifikoi përkatësinë etnike. Viktimat janë 12 fëmijë nën 18-vjeç dhe të tjerët janë të rinj të moshave 20-30-vjeçare, tha Zaev.