4 perditesime
12:07

Zaev: Shpresoj kjo tragjedi të bashkë më shumë Bullgarinë me Maqedoninë Veriore

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, ka thënë se shpreson që tragjedia në Bullgari të bashkojë më tepër popujt e dy vendeve.

Në një aksident të autobusit të “Besa Trans” të linjës Stamboll – Shkup, në Bullgari, kanë humbur jetën sipas mediumeve bullgare së paku 45 persona, ndërsa shtatë kanë arritur të mbijetojnë.

Zaev ka treguar se është informuar për aksidentin vetëm pas dhjetë minutave nga kryeministri i Bullgarisë, Stefan Janev.

“Jemi bashkë në të mirë dhe në të keqe. Jemi fqinjtë e parë, popuj vëllazërorë, ndajmë gëzimet e hidhërimet. Shpresoj që kjo tragjedi do të ndikojë pozitivisht në marrëdhëniet dhe do të na bashkojë edhe më shumë”, ka thënë kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, raporton “BT Novinite”. “Për aksidentin jam informuar 10 minuta pas aksidentit nga kryeministri Janev. Fal informimit me kohë, me mua kanë ardhur familjarët e të mbijetuarve të aksidentit, disa kanë arritur edhe para meje”.

09:56

Von der Leyen ngushëllon familjet e viktimave të aksidentit në Bullgari

Pas aksidentit tragjik që ndodhi mëngjesin e sotëm në Bullgari ku nga përplasja e një autobusi humbën jetën 46 persona, kryesisht nga Maqedonia e Veriut, ka reaguar presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Ajo u ka shprehur ngushëllime familjeve të viktimave, ndërsa të lënduarve u ka uruar shërim të shpejtë.

“Shpreh ngushëllimet më të thella për familjet dhe miqtë e atyre që humbën jetën në aksidentin tragjik me autobus në natën e fundit në Bullgari. Po ashtu ju dëshiroj shërim të shpejtë atyre që kanë pësuar lëndime. Në këto çaste të vështira, Evropa qëndron në solidarizim me ju”, ka shkruar Ursula von der Leyen në twitter.

Ndërkohë, tashmë në vendin ku ndodhi tragjedia ka arritur kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.


Ahmeti për aksidentin tragjik në Bullgari: Sa shumë dhimbje që na solli mëngjesi i sotëm

Sa shumë dhimbje që na solli mëngjesi i sotëm. Kështu ka reaguar kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti për aksidentin tragjik që ndodhi në Bullgari e ku humbën jetën 46 qytetarë, kryesisht nga Maqedonia e Veriut.

Ahmeti u ka shprehur ngushëllime familjarëve të viktimave dhe u ka uruar shërim të shpejtë të të lënduarve.

“Sa shumë dhimbje që na solli mëngjesi i sotëm. Aksidenti i tmerrshëm i trafikut në Bullgari mori jetën e kaq shumë qytetarëve tanë. Në këto çaste të rënda pikëllimi dhe dhimbjeje, shpreh ngushëllime më sinqerta për familjet e atyre që humbën jetën në aksidentin tragjik në Bullgari dhe lus Zotin t’ju falë durim familjarëve dhe shërim të lënduarve” , ka shkruar Ahmeti në “Facebook”.

09:26

Pendarovski për tragjedinë në Bullgari: Pres që autoritetet të kryejnë një hetim të plotë

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski ka reaguar pas tragjedisë që ndodhi në Bullgari ku nga përplasja e një autobusi humbën jetën 46 persona, kryesisht nga Maqedonia e Veriut.

Pendarovski u ka shprehur ngushëllime familjeve të viktimave dhe të lënduarve nga aksidenti që ndodhi në orët e hershme të mëngjesit të kësaj të marte në Bullgari.

“Në këto momente të vështira, shpreh ngushëllimet e mia më të thella për familjet dhe të dashurit e të gjithë personave dhe bashkëqytetarëve tanë që humbën jetën dhe u plagosën në një aksident të tmerrshëm automobilistik që ndodhi në territorin e Bullgarisë fqinje”, ka shkruar Pendraovski.

Ai thotë se pritet që të kryhen hetimet e plota për të përcaktuar shkaqet dhe përgjegjësitë e tragjedisë.

“Pres që autoritetet të kryejnë një hetim të plotë, për të përcaktuar shkaqet dhe përgjegjësinë e tragjedisë, e cila nuk mbahet mend në historinë tonë të re. Në ditët e zisë që vijojnë, u uroj prehje të qetë shpirtrave të të vdekurve dhe shërim të shpejtë të të lënduarve”, ka shkruar presidenti Pendarovski.

09:02

Zaev: Viktimat janë të rinj, 12 prej tyre të mitur

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, ka thënë në një intervistë për “Bulgaria ON AIR” se 12 nga viktimat janë të mitur nën 18 vjet, ndërsa të tjerët janë të moshës 25-30-vjeçare.

Zaev ka treguar se ka biseduar me një nga personat e shtrirë në spitalin “Pirogov” në Sofje.

“Ai më tha se ka dëgjuar një eksplodim. Ai dhe gjashtë të mbijetuarit tjerë i kanë thyer dritaret e autobusit dhe kanë arritur të ikin e të shpëtojnë. Viktimat e tragjedisë janë të rinj të mosëhës prej 25-30-vjeçare, ka edhe 12 fëmijë. Tragjedia është e madhe”, tha Zaev.

Zaev ka thënë se u besojnë autoriteteve bullgare në këtë hetim dhe se nuk pritet një hetim paralel nga autoritetet maqedonase.

Sipas mediave bullgare viktimat e aksidentit janë nga Shkupi, Manastiri, Strumica dhe Velesi. Ndërkaq Zaev ka bërë të ditur se në autobus ishte një person nga Presheva dhe një shtetas i Belgjikës.

08:05

Zaev: Lajmin për aksidentin ma kumtoi presidenti bullgar

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, ka treguar se lajmin për aksidentin tragjik në Bullgari e mori nga presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev dhe kryeministri bullgar Stefan Janev.

Zaev duke folur për agjencinë e lajmeve “BNT” ka treguar se është nisur menjëherë për në Bullgari dhe se atje janë edhe ekipe nga Maqedonia e Veriut.

Në aksidentimin e një autobusi me targa të Maqedonisë së Veriut që po udhëtonte nga Turqia humbën jetën së paku 46 persona, prej tyre 12 fëmijë.