Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka shprehur ngushëllime për viktimat e aksidentit të sotëm në Bullgari.
“Dhembje shumë e madhe me rastin e humbjes së jetës së 46 qytetarëve nga Maqedonia e Veriut në aksidentit tragjik në Bullgari. Ngushëllimet më të thella familjeve të viktimave dhe shërim të shpejtë të lënduarve. Të gjithë jemi me ju në këto çaste shumë të vështira”, ka shkruar ai.
Edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka thënë se bashkëndjejnë me familjarët e viktimave.
“Mëngjes i trishtë, dhimbje e madhe për aksidentin tragjik në Bullgari, i cili mori jetët e dhjetëra shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut. Bashkëndjejmë në këtë ditë të rëndë për të gjithë. Ngushëllimet më të sinqerta për familjarët e viktimave dhe uroj shërim sa më të shpejtë për të plagosurit e kësaj tragjedie. Pushofshin në paqe!”, ka shkruar ajo.
Ndërkaq ish-presidentja Atifete Jahjaga e ka quajtur të trishtë lajmin për vdekjen mbi 40 personave në Bullgari.
“I trishtë lajmi për vdekjen e mbi 40 pasagjerëve të autobusit që po kthehej nga Bullgaria për në Maqedoninë Veriore! Ngushëllime të sinqerta familjarëve të viktimave dhe shërim të shpejtë të mbijetuarve! Shpresoj se ata do të gjejnë forcën për të tejkaluar këtë dhembje të madhe për të gjithë ne!”, ka shkruar ajo.
Edhe
Kosova në zi për viktimat e aksidentit në Bullgari
Ngushëllime ka shprehur edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.
“Dhimbje e madhe për dhjetëra jetë të humbura, shqiptarë nga Maqedonia e Veriut, në aksidentin tragjik në Bullgari. Në këto momente të vështira, jemi pranë familjeve të viktimave e lutemi që të shërohen të lënduarit. Zoti u dhashtë forcë familjeve dhe mbarë kombit”, ka shkruar ai.
Lidhur me aksidentin kanë reaguar edhe deputetë e udhëheqës institucionesh në vend.