1 perditesime
13:15

IKSHPK-ja rekomandon shtyrjen e zgjedhjeve

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka rekomanduar shtyrjen e zgjedhjeve lokale të 17 tetorit. Në letrën që ka siguruar KOHA, Task-Forca e IKSHPK-së ka thënë se këtë rekomandim e bën në bazë të ndikimit që mund të ketë ky proces në rritjen e rasteve me COVID-19.

“Në bazë të analizës së situatës aktuale epidemiologjike të rasteve me COVID-19, bazuar në raportet e rasteve të hospitalizuara dhe vdekjeve nga SHSKUK dhe spitalet rajonale, dhe profeksioneve për muajin shtator deri në fillim të tetorit, Task Team i IKSHPK-së është i mendimit se mbajtja e procesit zgjedhor, i cili ngërthen në vete tubime publike dhe grumbullim të qytetarëve, paraqet rrezik për përhapjen dhe rritjen e infeksionit me COVID-19 e si pasojë edhe rritje të rrezikut të rasteve me fatalitet. Prandaj, meqenëse procesi zgjedhor mund të ketë ndikim të shtuar në përhapjen dhe rritjen e rasteve me COVID-19, rekomandojnë shtyrjen e procesit zgjedhor, përkatësisht ndalimin e aktiviteteve publike, grumbullimit të qytetarëve dhe tubimet publike të të gjitha llojeve dhe natyrave pa përjashtim, deri në vlerësimin epidemiologjik të radhës”, ka thënë në letrën për presidenten IKSHPK-ja.

Image
12:41

Raporti i IKSHPK-së e cilëson të rrezikshme mbajtjen e zgjedhjeve

Mbajtja e zgjedhjeve lokale më 17 tetor mund të rrisë rrezikun për shtimin e rasteve të vdekjeve nga COVID-19, thuhet në opinionin profesional të Task-Forcës së Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë, mbi të cilin do të zhvillohet diskutimi konsultativ i ftuar nga presidentja me partitë politike të hënën.

Sipas burimeve të KOHËS brenda IKSHPK-së, raporti do të prezantohet vetëm si mendim profesional për situatën e jo si rekomandim për shtyrje apo jo të zgjedhjeve.

Presidentja Vjosa Osmani ftoi të premten partitë politike për një takim të hënën konsultativ për të diskutuar lidhur me zgjedhjet lokale.

Në ftesën dërguar partive thuhej se takimi mbahet “për ta diskutuar opinionin profesional dhe rekomandimin e Task Forcës së Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës lidhur me ndikimin e procesit zgjedhor në situatën epidemiologjike në vend”.

Shefi i kabinetit të Osmanit, Blerim Vela, ndërkohë në një sqarim të dytë pati deklaruar shkurt se takimi ka të bëjë vetëm me shqyrtimin e opinionit e rekomandimit të IKSHPK-së lidhur me procesin zgjedhor, dhe se takimi nuk paraqet vendim për shtyrje të zgjedhjeve.

Për shkak të situatës me pandeminë COVID-19, është diskutuar prej ditësh mundësia që zgjedhjet të shtyhen, megjithëse për një gjë të tillë nuk dihet se si mund të veprohet sa i përket aspektit ligjor.

Ndërkaq, nga partitë është kërkuar që fushata zgjedhore të shkurtohet për shkak të numrit të lartë të të infektuarve.

Në mars të vitit të kaluar, ishin shtyrë zgjedhjet për kryetar të Komunës së Podujevës, pasi Agim Veliu pati lënë postin e kryetarit për ta udhëhequr Ministrinë e Punëve të Brendshme. Atë kohë presidenti Hashim Thaçi pati marrë vendim për shtyrjen e zgjedhjeve pas pranimit të rekomandimit nga KQZ-ja. Ndërkaq, KQZ-së i kishin rekomanduar pezullimin e përkohshëm të zgjedhjeve IKSHPK-ja dhe Komiteti për monitorimin e sëmundjeve ngjitëse.