1 perditesime
11:09

Pezullohet vendimi për tiketat ngjitëse

Ministria e Infrastrukturës ka marrë vendim për pezullim të vendimit për tiketa ngjitëse.

Vendimi tashmë i anuluar kishte ngjallur reagime të shumta të partive e të qytetarëve, pasi e konsideronin si barrë shtesë pagesën prej 5 eurove.

Tiketat ngjitëse duhej të vendoseshin në vetura pasi ato ta kalojnë kontrollin teknik.

“Për çështjen e taksës sapo është marrë vendim qe do të pezullohet si vendim dhe do ta shqyrtojmë në hollësi. Është pezulluar, duke siguruar qytetarët se nuk do të paguajnë pesë euro”, ka thënë në seancën e Kuvendit, ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu.

Në fakt ky është një proces që kishte nisur shumë më herët por kishte hasur në parregullsi.

Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, së fundi ka vendosur firmën në një dokument i cili është iniciuar në vitin 2018, e që ka të bëjë me vendosjen e “tiketave ngjitëse” në vetura pasi ato ta kalojnë kontrollin teknik. Por, një raport i Auditorit të Brendshëm kishte gjetur shkelje të shumta në këtë proces. Madje vitin e kaluar, për shkak të dyshimeve për keqpërdorime në këtë rast, Task-Forca Kundër Korrupsion e Policisë së Kosovës pati nisur hetime. Edhe në të kaluarën kishte pasur disa tentativa që të shkruhej një marrëveshje e tillë, por për dallim nga marrëveshja aktuale ku çmimi i një tikete është 5 euro, në vitin 2013 kjo tiketë kushtonte rreth 2 euro.

11:01

PDK-ja kërkon anulim, e jo pezullim të vendimit për tiketat ngjitëse, LDK-ja hetim

Abelard Tahiri, deputet i PDK-së, ka kërkuar që të anulohet tërësisht vendimi për tiketat ngjitëse, të cilat duhej të vendoseshin ë vetura pasi të kalonin kontrollin teknik.

Sot është marrë vendim nga Ministria e Infrastrukturës për pezullim të këtij vendimi, pasi ngjalli reagime të shumta.

“Ne nuk pajtohemi vetëm ne pezullimin e kësaj takse, ne kërkojmë me u anulu. Siç thotë një fjalë popullore, ne ia kemi zëne Qeverisë dorën në xhep, e mirë që nuk kemi lejuar me ua marrë paret”, ka thënë Tahiri.

Ndërkohë, deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka thënë që ministri Aliu duhet t’i drejtohet Prokurorisë për këtë që ka ndodhur.

“Jo edhe një jo të madhe z. ministër. Kjo qasje është më shumë shqetësuese sesa tendenca për me fsheh. Unë po shpresoj se ministri do të çohet nga seanca e me shku në prokurori që me hetu këtë proces. Kjo nuk mbulohet kështu. Akti më korrekt më moral do të ishte dorëheqja për më tregu që qeveria nuk qëndron prapa këtij skandali. Kështu nuk tejkalohet. Nuk mund të kalohet në këtë formë. Ne kërkojmë përgjegjësi publike morale”, ka thënë Zemaj.

Ndërsa, Bekë Berisha nga AAK-ja ka thënë se ka nevojë për sqarime për të.

“E para ka për taksën 5 euro. Është enigmatike dhe e nevojshme të sqarohet se kush e ka nënshkruar këtë kontratë a është ligjore dhe pse pikërisht 5 euro”, tha ai.