Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

A është mbyllur epoka e Ronaldos te Portugalia?

Cristiano Ronaldo

Vendimi i papritur i Cristiano Ronaldos për t’u larguar nga grumbullimi i Portugalisë pas një përçarjeje të dukshme me trajnerin Jorge Jesus ka lënë shumë njerëz të pyesin veten për të ardhmen e tij në futbollin ndërkombëtar.

A ka mbaruar me Portugalinë? Apo do të bëjë paqe me trajnerin e tij dhe do të kthehet për grumbullimin e ardhshëm ndërkombëtar?

Të enjten pati pak përgjigje, një ditë pasi golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave në futbollin ndërkombëtar të meshkujve vendosi të largohej nga kampi stërvitor i Portugalisë, një vendim i njoftuar disa orë pasi Jesus tha se ylli portugez nuk do të luante si titullar në ndeshjen kundër Danimarkës në Ligën e Kombeve.

Ronaldo 41-vjeçar, i cili luajti në Kupën e tij të gjashtë të Botës këtë vit, tha vetëm se në kohën e duhur do t’u “tregonte popullit portugez të vërtetën rreth arsyeve” pas largimit të tij.

Federata dha gjithashtu pak detaje, duke thënë vetëm se Ronaldo u largua nga kampi stërvitor.

Një sinjal: Tashmë fanella e famshme me numër 7 të Ronaldos, ka një pronar të ri.

Në Portugali, lajmi për largimin e Ronaldos nxiti spekulime se ylli më i madh kishte lënë të kuptohet se ky është edicioni i tij i fundit në futboll, dhe nuk do të luante më për ekipin përfaqësues.

“A është ky fundi?”, shkruhej në titullin kryesor të së enjtes në faqen e parë të gazetës JM me seli në vendlindjen e Ronaldos, Madeira.

“Një lamtumirë e trishtueshme”, shkroi gazeta sportive portugeze “A Bola”.

“CR7 i kthen shpinën ekipit përfaqësues”, shkruhej në titullin kryesor të gazetës “O Jogo”.

Ronaldo mund të përballet me pezullim

Pavarësisht vendimeve të Ronaldos dhe të federatës në të ardhmen, ylli portugez mund të përballet me një ndëshkim të ashpër për largimin nga kampi.

Rregullorja disiplinore e federatës thotë se çdo lojtar që “braktis ose nuk paraqitet” pa justifikim në një seancë stërvitore, ndeshje ose aktivitet të ekipeve përfaqësuese, ose në çdo aktivitet që lidhet me përfaqësimin e federatës, “do të sanksionohet me një pezullim prej një deri në gjashtë muaj”, përveç një gjobe.

Aty thuhet se “mungesa ose braktisja do të rezultojë në pezullimin automatik parandalues të lojtarit”.
Ronaldo i tha federatës se po largohej, por nuk ishte e qartë nëse vendimi do të konsiderohej i justifikuar në përputhje me rregulloret e federatës.

As federata dhe as përfaqësuesit e Ronaldos nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment nga Associated Press të enjten.

Hapat e mëtejshëm për yllin portugez

Raportohet se Ronaldo udhëtoi për në Madrid, vend ku qëndroi për shumë vite ndërsa luante për Real Madridin dhe ku zakonisht qëndron kur nuk luan me Al-Nassr në Arabinë Saudite.

Postimi i tij në rrjetet sociale ofroi pak të dhëna se çfarë do të ndodhë më pas.

“Pas konferencës për shtyp të trajnerit të ekipit përfaqësues dhe pas një bisede me presidentin e federatës portugeze të futbollit, vendosa të largohem nga kampi stërvitor i ekipit kombëtar”, tha Ronaldo.

Ai e përfundoi mesazhin e tij duke thënë se “tani është koha t’i uroj fat Portugalisë dhe të gjithë shokëve të mi të ekipit”.

Shumë kishin pritur që Ronaldo të tërhiqej nga Portugalia pas Kupës së Botës. Dhe ndërsa u konfirmua se nuk do të shfaqej në një tjetër Kupë Bote, ai u zotua të vazhdonte të luante dhe të ndiqte rekordin e 1.000 golave në karrierë. Ai aktualisht ka 979 gola, me një rekord ndërkombëtar prej 146 golash për Portugalinë.

Ronaldo tha së fundmi se ky edicion në Ligën Profesionale Saudite mund të jetë i fundit i karrierës së tij profesionale. Ndeshja e radhës e Al-Nassr është më 9 tetor.

Përzgjedhësi hedh poshtë zërat për një grindje me Ronaldon

Jorge Jesus, i cili stërviti Ronaldon tek Al-Nassr sezonin e kaluar kur fituan së bashku titullin e Arabisë Saudite, mori drejtimin e Portugalisë pas largimit të Roberto Martinez pas eliminimit nga Kupa e Botës. Ai tha të mërkurën në konferencën për shtyp para ndeshjes se nuk planifikonte ta aktivizonte Ronaldon si titullar në ndeshjen e Ligës së Kombeve kundër Danimarkës. Por ai hodhi poshtë idenë se kishte një grindje midis tij dhe Ronaldos, dhe tha se lojtari i tha se do të pranonte çdo vendim që ai do të merrte.

“Duket sikur ka pasur një problem mes nesh, por nuk ka pasur problem”, tha Jesus përpara se Ronaldo të njoftonte vendimin e tij për t’u larguar.

Ronaldo nuk luajti të dielën në fitoren 2:1 të Portugalisë ndaj Norvegjisë. Ai nuk ishte stërvitur me pjesën tjetër të grupit që atëherë, duke shkaktuar thashetheme të përhapura për një grindje të mundshme me Jesus. Trajneri tha se Ronaldo do të stërvitej normalisht të mërkurën, por në fund vendosi të largohej.

Jesus pranoi se dikush me statusin e Ronaldos meritonte një lloj vëmendjeje ndryshe nga trajnerët, por theksoi se “rregullat janë të njëjta për të gjithë”.

Jesus pranoi se i kishte thënë Ronaldos se do të luante të paktën disa minuta kundër Norvegjisë, por ndryshoi mendje për shkak të rrethanave të ndeshjes. Ai tha se është ai që bën zgjedhjet e ekipit dhe “asnjë lojtar nuk do të marrë kurrë një vendim për mua”.

Ai tha se ishte gabim që dërgoi Ronaldon të ngrohej për aq kohë sa e bëri, dhe pastaj të mos e përdorte kundër Norvegjisë. Jesus shtoi se “çdo lojtar” do të mërzitej për këtë.

Ronaldo luajti si titullar në fitoren 1”0 të Portugalisë ndaj Uellsit të enjten e kaluar, por u zëvendësua në minutën e 67-të. Të martën, ai postoi në “Instagram” një foto të tij të veshur me fanellën e Portugalisë shoqëruar nga flamuri i vendit dhe një figurë zemre.