1 perditesime
Arbëri

Gashi sqaron konfliktin verbal me Muratin e Bogujevcin

Gashi sqaron konfliktin verbal me Muratin e Bogujevcin
Foto: Alban Bujari / KOHA
15:25

Gashi sqaron konfliktin verbal me Muratin e Bogujevcin

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi ka sqaruar konfliktin që e pati me ministrin e Financave Hekuran Muratin edhe nënkryetaren e Kuvendit, Saranda Bogujevci.

Ai ka thënë se Murati i është drejtuar kryesueses së seancës që të mos ia japë fjalën deputetëve, duke iu drejtuar Gashit se nuk do të flasë.

“Kryesuesja e seancës i mori urdhrat dhe nuk la debat dhe nuk ua dha të drejtën e diskutimit deputetëve. Është e palogjikshme dhe e paarsyeshme po ndodh disa herë në këtë legjislaturë besoj që e dëmton demokracinë dhe të drejtën e shprehjes së opozitës. Duhet ta keni parasysh që ju dje keni qenë në opozitë. E keni zgjedhe këtë rrugë të gabueshme vazhdojeni ne do të jemi këtu me aq sa kemi forcë dhe argument do të mbrojmë të drejtat e opozitës”, ka thënë ai.

10:59

Përplasje mes Bogujevcit e Gashit me mikrofona të fikur

Një përplasje verbale ka ndodhur mes nënkryetares së Kuvendit Saranda Bogujevci dhe shefit të Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi.

Krejt kjo ka ardhur pasi Qeveria ka dashur ta fus në rend dite shqyrtimin e rekomandimit për raportin vjetor të AKP-së dhe emërimin e anëtarëve të bordit të ARKEP-it.

Opozita njëzëri e ka kundërshtuar këtë duke e quajtur veprim të ngutur.

Pasi është diskutuar nga opozita e pozita, Bogujevci dhe Gashi kanë pasur një diskutim me mikrofona të fikur. Krejt çka është mundur të kuptohet është insistimi i Bogujevcit e cila disa herë i ka kërkuar Gashit të ulet në vendin e tij.

Kuvendi i Kosovës sot ka nisur seancën plenare të Kuvendit me dy propozime atë të raportit vjetor të AKP-së dhe emërimi i anëtarëve të bordit të ARKEP-it.