Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, ka dëshmuar në cilësinë e viktimës, në procesin gjyqësor në të cilin kolegu i tij nga PDK-ja, Xhavit Haliti, akuzohet për sulm. Gashi relativizoi veprimin e para gjashtë vjetëve të Halitit. Në seancë, deputeti i PDK-së u qortua nga gjyqtari
Për përplasjen fizike në Kuvend gjashtë vjet më parë, deputetët Arben Gashi dhe Xhavit Haliti të enjten janë përballur në gjykatë.
Rasti pati ndodhur një ditë pasi që në seancën plenare Gashi dëgjohej teksa e ofendoi deputetin e Partisë Demokratike, asokohe nënkryetar i Kuvendit.
Seanca e së enjtes u mbajt pas disa dështimeve radhazi për shkak të mungesës së të akuzuarit Haliti. E kur u paraqit në gjykatore, vëmendjen e pati në telefon, për çka ia tërhoqi vërejtjen gjyqtari Driton Berisha.
“Xhavit, telefoni nuk lejohet të përdoret. Të lutem fike telefonin deri në përfundim të kësaj seance”, ia tërhoqi vërejtjen Berisha.
Avokati i Halitit, Kujtim Kërveshi, ka kërkuar që gjykata të mos merret më me çështjen e përplasjes fizike në Kuvend. Sipas tij, nuk ka elemente të veprës penale.
“Nuk plotësohen elementet e veprës penale të sulmit, andaj i propozojmë gjykatës, pas administrimit të provave, aktakuzën në atë drejtim ta hedhë”, ka thënë avokati Kërveshi.
Gashi ka thënë se Haliti e ka pasur të vështirë të kalojë dhe se rasti ka ndodhur gjersa në Kuvend po votoheshin anëtarët e Gjykatës Kushtetuese.
“Gjatë pritjes, deputeti Xhavit Haliti është përplasur në mua dhe më është drejtuar me fjalët ‘lëshoma rrugën’”, ka thënë deputeti i LDK-së, Arben Gashi.
Haliti akuzohet se e ka kryer veprën penale “Sulm”, e dënueshme me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.
I përfshirë në incident ka qenë edhe ish-deputeti i AAK-së, Gani Dreshaj, i cili sipas aktakuzës, me dashje, e ka kanosur Gashin.