Sot janë bërë 27 vjet nga masakra e Rezallës së Skenderajt, ku nga ushtria dhe policia serbe u ekzekutuan 98 shqiptarë, banorë të Rezallës dhe fshatrave përreth, nga të cilët 44 ishin munduar t’i zhdukin.
Një pjesë e trupave u gjenden në Rudnicë të Rashkës dhe iu dorëzuan familjarëve. Më 5 prill të vitit 1999 serbët rrethuan shtëpitë e këtyre familjeve dhe pushkatuan pothuajse të gjithë burrat dhe djemtë e rinj.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNga masakra e Rezallës vetëm tre kanë shpëtuar të gjallë. Kjo masakër konsiderohet si një ndër masakrat më të pamëshirshme gjatë luftës në Kosovë.
Të dielën ka pasur homazhe në Rezallë nga ushtruesja e detyrës së Presidentes dhe kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, bashkë me ministrin Andin Hoti.
Kurti për Masakrën e Rezallës: Serbia ende fle mbi varreza masive nga gjenocidi në Kosovë
Në përvjetorin e Masakrës së Rezallës, kryeministri Albin Kurti ka rikujtuar një nga krimet më të rënda të luftës, duke theksuar se plagët e kësaj tragjedie mbeten ende të hapura për familjarët e viktimave dhe për gjithë shoqërinë.
Ai përkujtoi se pas ekzekutimit të 98 burrave dhe djemve në këtë fshat, forcat serbe tentuan të fshehin gjurmët e krimit duke zhdukur trupat e pajetë.
“Pas ekzekutimit mizor, në përpjekje për të fshehur krimin, forcat e armatosura të Serbisë ua rrëmbyen kufomat. 29 prej tyre janë gjetur në varrezën masive në Rudnicë të Rashkës, në Serbi. Nga Kizhevaku, në vitin 2021 u kthyen në tokën e Kosovës eshtrat e shtatë prej të vrarëve, mes tyre edhe raste të ribashkimit të eshtrave të zhvarrosura vite më parë në Rudnicë”, ka shkruar ai në Facebook.
Kurti theksoi se ende ekzistojnë varreza masive të pazbuluara dhe se mbi 950 civilë të paarmatosur janë vrarë dhe zhdukur gjatë luftës, trupat e të cilëve janë transportuar në Serbi në përpjekje për të fshehur krimet.
Për këtë, Kurti u bëri thirrje partnerëve ndërkombëtarë që të rrisin presionin ndaj Serbisë për zbardhjen e plotë të fatit të personave të zhdukur.
“Ende Serbia fle mbi varreza masive nga gjenocidi i kryer në Kosovë. Mbi 950 civilë të paarmatosur u masakruan në Kosovë, ua rrëmbyen kufomat dhe i futën në varreza masive në Serbi, përfshirë këtu kamionë frigoriferë që dolën nga fundi i liqeneve atje. Ende Serbia i mbanë të fshehura informacionet për vendndodhjen e të paktën 11 varrezave masive brenda territorit të saj. U bëjmë thirrje partnerëve ndërkombëtarë që nga Serbia, si përgjegjëse për vrasjen dhe zhdukjen e qytetarëve tanë, të kërkojnë zbardhjen e plotë të fatit të të zhdukurve. Institucionet e drejtësisë të Republikës së Kosovës duhet të veprojnë pa vonesë, që urdhërdhënësit dhe ekzekutorët të dalin para drejtësisë. Nuk mund të lejojmë që harresa të mbulojë mizoritë e luftës në Kosovë, siç nuk mund të mbulojë dheu i varrezave masive të vërtetën për krimet e kryera nga Serbia”, ka shkruar Kurti.
Haxhiu në 27-vjetorin e Masakrës së Rezallës: Do të angazhohemi për drejtësi
Ushtruesja e detyrës së presidentes dhe kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka bërë homazhe në Rezallë të Skenderajt në 27-vjetorin e masakrës.
Ajo para mediave ka thënë se më 5 prill të 1999-tës aty ishte zbatuar plani i shfarosjes nga regjimi serb.
Ka shtuar se djem e burra, u nxorën dhunshëm nga shtëpitë e tyre e më pas u pushkatuan.
Haxhiu ka thënë se për t’i zhdukur krimet, hapen varre masive në Serbi.
“Para 27 vjetësh, këtu në Rezallë dhe në fshatrat përreth, u bë një masakër e pamëshirshme nga regjimi i Serbisë. Më 5 prill të vitit 1999, në Rezallë të Skënderajt dhe në fshatrat përreth, u zbatua plani i shfarosjes nga regjimi i Serbisë. Atë ditë pra, më 5 prill të vitit 1999, djem e burra nga mosha 13 vjeç deri në moshën 90 vjeç, u ndanë nga familjet e tyre, u plaçkitën, u nxorën dhunshëm nga shtëpitë e tyre dhe më pas u pushkatuan. Por kjo nuk i mjaftoi regjimit të Serbisë. Trupat e tyre i rrëmbyen dhe me trupat e tyre hapën varre masive në Serbi. Qëllimi ishte që t'i fshehin gjurmët e krimit gjenocidal. Por gjurmët e krimit nuk do të fshihen kurrë e krimet e Serbisë nuk do të harrohen kurrë. Ato do të mbahen mend gjatë e përherë në kujtesën e familjarëve të tyre, por edhe në kujtesën tonë kolektive, ka thënë ajo.
Haxhiu ka deklaruar se institucionet e shtetit do të angazhohen që të ketë drejtësi për masakrat, vrasjet, dhunimet e shkatërrimet e Serbisë në Kosovë.
“Si institucione të Republikës së Kosovës do të angazhohemi që të ketë drejtësi edhe për masakrën e Rezallës, por edhe për të gjitha masakrat, vrasjet, dhunimet, shkatërrimet e dëbimet që Serbia i ka bërë në Kosovë. Lavdi dëshmorëve dhe martirëve, lavdi të gjithë dëshmorëve të kombit”, ka thënë ajo.