1 perditesime
14:34

Kurti i premton Borrellit se dialogu nuk do të neglizhohet, ai mund të nisë në qershor

Kryeministri Albin Kurti gjatë konferencës së përbashkët me Përfaqësuesin e lartë të BE-së, Josep Borrell, ka thënë se dialogu nuk do të jetë i neglizhuar nga ana e Kosovës.

Ai ka thënë se gjatë darkës të cilën do ta organizojë Borrell gjatë mesit të majit, ai do të jetë i pranishëm nga ku do të shikojë për takime për të filluar një kapitull të ri të dialogut me Serbinë.

“Dialogu nuk do të jetë i neglizhuar nga ne. Unë do të vij përsëri në mes të majit për darkën që do të shtroni me liderët e Ballkanit perëndimor dhe do të shikoj që të kem biseda e takime për të filluar një periudhë të re të dialogut”, ka thënë ai.

Kurti tutje e ka njoftuar edhe për takimet tjera të cilat i ka pasur gjatë kësaj kohe. Ai ka përmendur edhe vaksinat, derisa ka kërkuar ndihmë nga Bashkimi Evropian. “Në mëngjes jam takuar me sekretarin e NATO dhe më vonë do të takohem me presidenten e Komisionit Evropian. BE dhe NATO nuk kanë alternativë për Kosovën. Këtë e kemi parë edhe gjatë kohës së pandemisë. Kosova është vend që as nuk mund ta imagjinojë të marrë vaksina nga vendet e lindjes sidomos nga Kina dhe Rusia. Ne jemi duke shikuar nga Evropa. Ne kemi pasur një fitore të madhe me 14 shkurt. Ne duam të tregojmë se për ne kjo vizitë nuk është vetëm simbolike, prandaj edhe ne jemi takuar me komisionarë ku kemi biseduar për tema të ndryshme dhe ne duam që t’i bashkërendojmë me Bashkimin Evropian për temat dhe prioritetet tona. Ne gjatë pandemisë kemi marrë 24 mijë vaksina, do të marrim një kontingjent tjetër në maj, porse neve na duhen më shumë në mënyrë që diaspora të mund të vije gjatë verës në mënyrë që të rritet ekonomia. Ne jemi shumë të varur nga diaspora dhe gjatë kësaj kohë të pandemisë është shumë e rëndësishme”, ka thënë ai. Kurti ka bërë të ditur se gjatë javës së ardhshme në Qeveri do të prezantohet programi qeverisës i cili pastaj do të diskutohet edhe në Kuvendin e Kosovës.

Ndërkohë, i pyetur se pse nuk ka pranuar takimin e 11 majit, Kurti ka thënë se Qeverisë i duhen më shumë informacione në dokumente për të parë marrëveshjet e arritura deri më tani dhe procesin në përgjithësi në mënyrë që të përgatitet më mirë. Në maj ai ka thënë se do të takohet me opozitën në Kosovë në mënyrë që ata të kenë kontributin e vet në këtë proces. Ai ka thënë se do dialog të përgatitur mirë dhe se nuk do gabime të reja.

“Fillimisht do të kemi darkën me liderët e Ballkanit Perëndimor, e pastaj në muajin qershor mund të fillojmë me kapitullin e ri të dialogut”, ka thënë ai.

Kurti për “non-paper”-at: Mund të jenë kërcënime, por s’do të merremi me to

Kurti është pyetur edhe “non-paper”-at e publikuar së fundi, e një nga ta edhe në Kohën Ditore.

Ai ka thënë se nuk ka përgjigje për to, porse ka shtuar se nuk sheh zgjidhje nëse në dialog përfshihen territoret.

Unë besoj që përgjigja më e mirë për “non-paper”at është që nuk ka koment. Por dua të shtojë diçka, unë nuk besoj në zgjidhje ku shihen regjionet në termet gjeografike dhe demografike, pa ekonominë sociale, pa siguri, pa qytetarët e republikës. Për mua këto harta duken si fotografi të rreme nga satelitët. Unë nuk dua t’i kushtoj më shumë vëmendje, ne duhet t’i dëgjojmë njerëzit e institucionet. Dhe të gjitha këto mund të jenë kërcënime, nuk e di nga kush dhe me çfarë qëllimi por të merremi më pak me to na ndihmon neve”, ka thënë ai.

Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, ka mohuar të ketë pranuar ndonjë nga ‘non-paper’-at që po qarkullojnë. Ai ka thënë se duhet të merren me dokumente të vërteta, ato të vendosura në tavolinë të dialogut.

“Nuk kam pranuar asnjë nga këto dokumente fantom, shpresoj nesër të mos dal ndonjë tjetër në skenë. Nuk po punoj me non-paper. Për mua këto dokumente fantome nuk janë çështje, e më vjen keq që ‘fake news që po qarkullojnë nëpër media. Kërkoj përgjegjësi nga mediat të mos postojë lajme të rreme që krijon probleme e ambient helmues, të shikojmë gjërat e vërteta, letrat e vërteta të vendosura në tavolinë, si në tavolinën e dialogut”, ka thënë Borrell.

14:23

Borell: Dialogu, rruga e vetme e Kosovës drejt BE-së

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borell, ka thënë se dialogu me Serbinë është rruga e vetme e Kosovës drejt Bashkimit Evropian.

Borell po mban një konferencë shtypi së bashku me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

“Rruga evropiane e Kosovës shkon nëpërmjet dialogut, nuk ka rrugë tjetër, alternativë tjetër. Arritja e një marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht të obligueshme të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë është esenciale për të ecur drejt perspektivës evropiane, pa këtë rruga do të bllokohet. Për këtë e udhëzova z. Kurti që të angazhohet në mënyrë konstruktive në këtë, dhe ai e ka kuptuar personalisht. Unë e ekipi im, përfshirë përfaqësuesin e lartë Mirosllav Lajçak, jemi të gatshëm të ndihmojmë përfaqësuesit e rinj të Kosovës të familjarizohen me procesin që po ndodh. Nuk po fillojmë tash, kemi punuar me qeverinë e kaluar. Nuk mund të hedhim nga dritarja punën e bërë me qeverinë e kaluar, duhet të kuptoni këtë dhe të familjarizoheni me këtë për të vazhduar procesin”, ka thënë Borrell në konferencë për media.

Ai ka treguar se një takim i nivelit të lartë mes dy palëve pritet të mbahet deri në fund të qershorit. Kurti kishte refuzuar më herët datën që e kishte përmendur Borrelli, 11 majin.

“Nuk do të jetë e lehtë, e kënaqshme, por është për benefitet e qytetarëve në Kosovë e Serbi dhe për gjithë Ballkanin. Na duhet ky proces të ec shpejt, e të kemi takim të parë të nivelit të lartë. Mos të vendosi një afat përfundimtar unë, por ju e unë e kemi në mendje, të organizohet para fundit të qershorit takimi i nivelit të lartë”, ka shtuar Borrell.

Borrell ka thënë se dialogu është në interes të vet Kosovës. Ai ka përmendur edhe investimet e mëdha që BE-ja ka bërë në Kosovë që nga viti 2007.

“Nuk thashë që Kosova do të bllokohet, por e thash se rruga evropiane e Kosovës do të bllokohet. Është kryesisht në interes të Kosovës të marrë pjesë në këtë dialog. Nuk është në interes tonë, është në interes tonë po ashtu pasi duam stabilizim, paqe e prosperitet në Ballkanin Perëndimir, por është kryesisht në interes të Kosovës të angazhohet në dialog, dhe nuk po më bëjnë mua favor, jam unë që po mundohem të ndihmojë. Jam lodhur me storiet se nuk po ndihmohet Ballkani Perëndimor”, ka thënë Borrell.

Ai ka treguar se me Kurtin sot ka folur për marrëdhëniet bilaterale BE – Kosovë, për situatën në Kosovë, dialogun Kosovë – Serbi e për zhvillimin rajonal. Ai ka përgëzuar Kurtin për mandatin e fortë që ka fituar.

“Kur një lider merr një mandat të fortë nga njerëzit e vet, kuptohet se po ata po të ofrojnë mundësi të qartë për të bërë reformat e rëndësishme, që janë vonuar tepër kohë, reforma që do të sjellin afër standardeve evropiane dhe afër BE-së. Presim të shfrytëzosh këtë mundësi me përkushtim, pasi ne duam po ashtu të shohim të avancoj Kosova në rrugën evropiane. Më besoni se Kosova nuk është e vetme në këtë”, ka thënë Borrell.