Arbëri

Në Ditën e Mësuesit protestohet para MASh-it, ministrat e Arsimit vlerësohen me notën 1

Në Ditën e Mësuesit 7 Marsin, para Ministrisë së Arsimit, është mbajtur një aksion protestues i organizuar nga OJQ “Global Shapers Prishtina”, raporton Ekonomia Online.

Në këtë aksion aktivistët e kësaj organizate në mënyrë simbolike kanë vlerësuar me notë 1 të gjithë ministrat e arsimit për gjendjen e arsimit, ndërsa u kanë dhënë notat 5 sa i përket nepotizmit.

Avdyl Gashi, organizator i këtij aksioni ka thënë Kosova radhitet ndër vendet e fundit sa i përket cilësisë në arsim.

“Rezultatet e testit Pisa që radhitin Kosovën si ndër vendet e fundit si dhe organizatat tjera. Shkollat tona kanë mungesë të infrastrukturës, stafit, ku ka mungesë edhe të psikologëve. Po ashtu s’ka reforma. Pandemia ka dëshmuar vështirësitë në sistemin arsimor”, ka thënë ai.

Përfaqësues të kësaj organizate kanë kërkuar që Qeveria e re ta ketë prioritet arsimin.

Ish-ministrja e Arsimit Hykmete Bajrami ka reaguar ndaj vlerësimit të OJQ-së “Global Shapers Prishtina”. Bajrami përmes një statusi në facebook ka folur për sukseset e saj si ministre në këtë ministri ndonëse siç ka thënë, ka qenë në krye të saj në kohën e pandemisë.

“Një gjë duhet ta dini; se duke i futur të gjithë në një thes, po i shërbeni korrupsionit dhe po tregoni se nuk e keni për qëllim të pasqyroni gjendjen reale por shkoni dhe t’i gënjeni donatorët me të dhëna të pavërteta. Kush i shërben korrupsionit është i rrezikshëm. Më të rrezikshëm se ju janë vetëm ata që ju financojnë juve bazuar në performancat si kjo e sotmja”, ka shkruar Bajrami.

Image

Image