Me organizime të ndryshme dhe me dhurata për mësuesit është shënuar dita që shënon hapjen e mësonjëtores së parë shqipe. Për të shprehur mirënjohje për punën e mësimdhënësve, atyre të enjten u janë ndarë edhe çmime. Por është vlerësuar se mësimdhënësit nuk janë duke u trajtuar në mënyrë të dinjitetshme nga institucionet
Me buqeta lulesh në duar dhe me dhurata të tjera i kanë pritur nxënësit nëpër shkollat e kryeqytetit mësimdhënësit e tyre të enjten për 7 Marsin, Ditën e Mësuesit.
Ardisa Hamiti, nxënëse e shkollës “Gjergj Fishta” në Prishtinë, ka thënë se 7 Marsi ia rikujton përkushtimin që e tregojnë mësimdhënësit në funksion të zhvillimit të shkathtësive dhe në fitimin e njohurive të reja.
“Çdo ditë ne mundohemi t’i respektojmë, duke e marrë dijen që ata na dhurojnë, sepse mos t’i kishim pasur mësuesit, ku do të kishte qenë populli jonë”, ka thënë ajo.
Valbona Haxhiu, e cila ka mbi 30 vjet që e ushtron profesionin e mësimdhënëses, ka thënë se kjo ditë për të është krenari por edhe reflektim.
“Sa i përket shkollës sonë mundohemi të japim maksimumin në çdo aspekt, duke u bazuar në kurrikulat që i përmbahemi. Në përgjithësi nuk mund të flas por në shkollën tonë, posaçërisht për klasat e para, është në rregull. Por gjithsesi kemi nevojë edhe për reflektim”, ka thënë ajo.
Për të shprehur mirënjohjen për punën e mësimdhënësve, kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, kanë ndarë çmime për angazhimin e tyre në një ngjarje të organizuar në Bibliotekën Kombëtare.
Çmimi “Shaban Jashari” u është ndarë katër mësimdhënësve - Arbnora Gashi nga shkolla “Trepça” në Istog, Nusrtet Zeka nga shkolla “Ibrahim Rugova” në Obiliq, Selvete Mujaj nga shkolla “Faik Konica” në Prishtinë dhe Sakip Popajt nga shkolla “Sapniqi” në Rahovec.
Krahas çmimit “Shaban Jashari”, u janë ndarë edhe mirënjohje 28 mësimdhënësve të dalluar të shkollave. E në këtë organizim, kryeministri Kurti e ka kualifikuar profesionin e mësimdhënies si një mision.
“Sa bukur i kemi në shqip dy foljet kaq të afërta, mëkon dhe mëson, mësuesi zgjon dhe e bën të zgjuar nxënësin e vet, ai e zgjon në tërësi vetë këtë fëmijë që vjen për të zënë e për të fantazuar, për të ditur dhe për të krijuar”, ka thënë ai.
E ministrja Nagavci ka përsëritur se testimi i mësuesve për pagë më të lartë do të fillojë në qershor.
“Synojmë që të fillojmë në muajin qershor, duke mundësuar kështu edhe avancimin në pagesë për mësueset dhe mësuesit tanë të dalluar”, ka thënë ajo.
Në ditën që e shënon hapjen e mësonjëtores së parë shqipe është vlerësuar se mësimdhënësit nuk janë duke u trajtuar dinjitetshëm nga institucionet.
Nëpërmjet një aksioni simbolik, aktivistë të Partisë Socialdemokrate joparlamentare (PSD) kanë kritikuar punën e ministres Nagavci, tek e kanë shpalosur librezën e saj në Bibliotekën Kombëtare, ku dhe ishte e paraparë që të zhvillohej ndarja e çmimeve për mësimdhënësit.
Ata e vlerësuan Nagavcin me notë të shkëlqyeshme vetëm në shkelje të Kushtetutës, ndërsa me notën njësh për ndërtimin e çerdheve, sjelljen me sindikatat dhe për rezultatet në testin ndërkombëtar PISA.
Policia ka kërkuar që ky aksion simbolik të zhvendoset jashtë hapësirave të objektit të Bibliotekës.
“Me mirësjelljen më të lartë ju kërkoj të dilni te dera, ta merrni e ta qitni këtë atje te dera, ta pritni ministren e t’i thoni atë çka keni për t’i thënë, por këtu jo”, i është drejtuar aktivistit të PSD-së, Nol Nushi, një pjesëtar i policisë. Por aktivistët kanë insistuar që ministren e Arsimit ta presin brenda objektit.
“Normal që nuk do t’i presim me lule, por me protesta tërësisht paqësore”, ka thënë Nushi.
Pas kësaj, aktivistët janë kapur zvarrë nga pjesëtarët e policisë për t’i larguar nga objekti i Bibliotekës, ndërsa aktivistët Nol Nushi, Gëzon Kastrati dhe Frashër Krasniqi janë arrestuar. Për shkak të aksionit, ngjarja e ndarjes së çmimeve, e cila ishte paraparë të fillonte në orën 13:00, nisi me një orë e gjysmë vonesë.
E kritika të shumta kundër Ministrisë së Arsimit dhe kërkesa për kushte më të mira për mësimdhënësit janë adresuar të enjten edhe nga deputetë të opozitës në seancën e Kuvendit.
Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka shpalosur tri kërkesa që do të ndihmonin në përmirësimin e kushteve për mësimdhënësit, duke i numëruar rritjen e vlerës së koeficientit të tyre në së paku 130 euro, mosndryshimin e Ligjit për skemat pensionale dhe të kontratës individuale të punës.