Suspendohet një polic në Shqipëri pasi dyshohet se goditi me plumb gome në sy një protestues
Polici i Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në Shqipëri inspektor A. K., është pezulluar nga detyra pas publikimit në media të pamjeve ku shfaqet duke tejkaluar kompetencat dhe duke mos respektuar parimin e proporcionalitetit gjatë protestës së zhvilluar të shtunën në Tiranë, ka njoftuar Policia e Shtetit.
Ky institucion ka njoftuar se ndaj tij ka nisur një hetim administrativ nga Drejtoria e Standardeve Profesionale, ndërsa Drejtori i Përgjithshëm i Policisë ka urdhëruar edhe nisjen e veprimeve përkatëse për hetimin e plotë të incidentit gjatë të cilit 28-vjeçari E. V. pësoi dëmtim në sy.
Për zbardhjen e këtij rasti kanë nisur hetimet edhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore dhe Prokuroria.
Sipas policisë, gjatë protestës së zhvilluar më 24 tetor, e cila zgjati deri në orët e mbrëmjes dhe u shtri në disa zona të Tiranës, policët u sulmuan për orë të tëra me gurë, vida, sfera metalike, shkopinj druri e metalikë, lëndë piroteknike, bomba Molotov dhe bombola gazi të lidhura me kapsolla.
“Si pasojë e sulmeve nga persona të maskuar dhe të dhunshëm, pesë punonjës policie mbetën të plagosur”, thuhet në njoftim.
Policia e Shtetit bën të ditur se, përpara protestës, kishte bërë thirrje për ruajtjen e qetësisë dhe shmangien e akteve të dhunës. Drejtori i Përgjithshëm u kishte kërkuar gjithashtu drejtuesve të shërbimeve dhe efektivëve në terren të tregoheshin të vetëpërmbajtur dhe të zbatonin parimin e proporcionalitetit në rastet e përballjes me akte dhune.
Në përfundim të reagimit, institucioni thekson se mbrojtja e jetës, shëndetit dhe sigurisë së qytetarëve është detyrim parësor dhe se çdo rast i dyshuar për tejkalim të detyrës do të hetohet me paanshmëri dhe profesionalizëm.
“Respektimi i ligjit, proporcionaliteti në përdorimin e forcës dhe përgjegjësia individuale janë parime të panegociueshme në ushtrimin e detyrës policore”, thuhet në reagimin e Policisë së Shtetit.
Rama i fton sërish studentët në dialog
Kryeministri Edi Rama ka përsëritur sërish ftesën për dialog ndaj studentëve dhe të rinjve që prej ditësh protestojnë në Tiranë, duke vendosur këtë herë një tavolinë të madhe prej guri, të rrethuar me karrige, përpara ndertësës së Kryeministrisë.
Në pamjet e publikuara në rrjetet sociale, në tavolina shfaqet mbishkrimin “Dialog”, ndërsa rreth saj janë vendosur karrige prej guri dhe prej druri,.
Kjo është një tjetër formë e zgjedhur nga Rama, pas karrigeve prej druri dhe ulëseve prej betoni të vendosura ditët e mëparshme, me të cilat kryeministri u ka bërë thirrje studentëve të ulen në dialog.
Megjithatë, ftesat e mëparshme nuk janë pranuar nga protestuesit, të cilët kanë vijuar të kundërshtojnë dialogun me kryeministrin dhe të kërkojnë dorëheqjen e tij.
Ndërkohë, protestat në Tiranë vijojnë, ndërsa studentëve u janë bashkuar edhe mësimdhënës, artistë dhe qytetarë, në shenjë mbështetjeje për kërkesat e tyre.