Në Kosovë është shënuar 7 Marsi – Dita e Mësuesit. Mësimdhënës në kryeqytet thanë se kjo datë duhet t’i shërbejë secilit për të reflektuar në funksion të ngritjes së cilësisë në arsim. Komuna e Prishtinës u dha mirënjohje 75 mësimdhënësve që mbërritën moshën e pensionimit, ndërkaq si mësimdhënësen më të dalluar në nivel komunal e zgjodhi motrën e kryetarit Përparim Rama.
Me këngë e recitime nxënësit nderuan mësimdhënësit e tyre në shkollat e kryeqytetit për nder të 7 Marsit, Ditës së Mësuesit.
Por përkundër festës, mësimdhënësit thanë se kjo ditë përveç moment krenarie, është edhe moment reflektimi.
Bahtije Tahiri, e cila sivjet do ta braktisë ditarin pas 4 dekadash, meqë mbërrin moshën e pensionimit, tha se duhet ende punë e përkushtim për ta ngritur cilësinë në arsim.
“Është si ditë krenarie, por edhe si ditë reflektimi në të ardhmen që të reflektohet mësimdhënia e së vjetrës me të rejën që të kenë reflektim për fëmijët tanë, të përcillet ky reflektim edhe te mësimdhënësit e rinj”, ka theksuar Tahiri.
Edhe Xhemshit Cakolli, që është profesor në gjimnazin “Eqrem Çabej”, vlerëson se duhet të intensifikohet puna me qëllimin për të arritur rezultate më të mira.
“Është një ditë e veçantë që na jep kurojë më shumë ne mësimdhënësve që kjo ditë të vazhdojmë edhe më tutje me rezultate që të kemi rezultate sa më të mira dhe të qesim gjenerata edhe më të mira” është shprehur Cakolli.
E nxënësit vlerësuan përkushtimin e mësimdhënësve, por i kritikuan metodat e vjetra të dhënies së mësimit.
“Duhet të shtohen aktivitete më të shumta në mënyrë që nxënësit të jenë më të interesuar në mësim, po ashtu do të kishte qenë mirë nëse do të ishin ofruar shumë pajisje teknologjike në mënyrë që të jemi më të kompletuar", ka theksuar Muriqi.
Komuna e Prishtinës ndau mirënjohje për 75 punëtorë të arsimit, të cilët do të pensionohen këtë vit.
“Puna juaj si punonjës të arsimit në Kosovë e paraluftës nuk ka qenë aspak e lehtë, shumë nga ju që pensionoheni sivjet, keni punuar tepër shumë në kohë të shkundjeve të mëdha për shoqërinë tonë, që nuk e kursyen as sistemin arsimor”, ka theksuar kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.
Komuna e Prishtinës zgjodhi edhe mësimdhënësen më të dalluar në nivel komunal. Ajo është Luljeta Rama Muçaj, motër e kryetarit Përparim Rama.
Në Ditën e Mësuesit, kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Rrahman Jasharaj, kritikoi mungesën e kushteve në shkolla. Ai tha se mësimdhënësit e japin më të mirën, përkundër që mungojnë mjetet e modernizuara shkollore.