Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Arta Gashi-Ahmetaj shpallet “Mësimdhënësja e Vitit”

Arta Gashi-Ahmetaj

Me rastin e 7 Marsit – Ditës së Mësuesit, Ministria e Arsimit përzgjodhi më të mirët në fushën e arsimit. “Mësuese e Vitit” u shpall mësimdhënësja nga Istogu, Arta Gashi-Ahmetaj, ndërsa me mirënjohje për kontributin e dhënë në arsim u nderuan edhe 27 mësimdhënës të tjerë

Mësimdhënësja e shkollës fillore “Zymer Zeka” në Istog, Arta Gashi-Ahmetaj, është nderuar me çmimin tradicional “Shaban Jashari”, me të cilin është vlerësuar si “Mësuese e Vitit”.

Në ceremoninë e ndarjes së shpërblimeve për më të mirët në arsim, me rastin e 7 Marsit, Ditës së Mësuesit, Gashi-Ahmetaj e quajti çmimin nderim të madh, meqë është përzgjedhur nga mesi i shumë kolegëve të dalluar.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Sot ndihem shumë e nderuar, po ashtu edhe shumë e lumtur. E para që ndodhem në mesin e të gjithë mësimdhënësve të dalluar të Republikës së Kosovës. Ky çmim është një vlerësim për të gjithë mësimdhënësit, të cilët vendosën të punojnë në mënyrë që ta ndriçojnë të ardhmen e fëmijëve tanë”, është shprehur Gashi-Ahmetaj.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës u ndau mirënjohje edhe 27 mësimdhënësve të tjerë të dalluar për kontributin në arsim. Një prej tyre është mësimdhënësja Vjollca Lecaj, e cila u nderua me mirënjohjen për edukatoren më të mirë.

E zëvendësministri i Arsimit, Përparim Kryeziu, tha se pos urimit për ditën e tyre, mësimdhënësit meritojnë mbështetje të vazhdueshme për punën që e bëjnë.

“Shumë prej virtyteve, zakoneve, normave shoqërore që i respektojnë, e vlerave morale që i kemi, janë mësime, këshilla, udhëzime e shembuj nga mësimdhënësit tanë nëpër të gjitha ciklet e arsimit e mësimit. Shkolla dhe mësimdhënësit janë kontribuues të drejtpërdrejtë për ndërgjegjësimin e qytetarëve për të qenë të përgjegjshëm. Prandaj krahas falënderimit që shprehim sot, meritojnë edhe respektin e përditshëm”, ka thënë Kryeziu.

Ai kujtoi edhe figurën e mësuesit Shaban Jashari, emrin e të cilit e mban çmimi i ndarë të premten.

“Teksa po shënojmë Epopenë e UQK-së, ngjarje e lavdishme e historisë sonë, qëndresë heroike e familjes Jashari, mbrapa tyre qëndronte edhe mësuesi që edukoi e kultivoi ndër vite frymë patriotike, mësuesi Shaban Jashari. Ai është shembull se si roli i mësimdhënësit ka qenë më i madh se sa vetë dhënia e dijes. Ka qenë edukim ndër breza për dashurinë ndaj vendit, gjuhës dhe kulturës”, ka shtuar Kryeziu.

Dita e Mësuesit shënohet çdo vit për ta kujtuar 7 Marsin e 1887-s, kur është hapur në Korçë Mësonjëtorja e parë shqipe, nën drejtimin e mësuesit Pandeli Sotiri.

Kjo ditë e shënoi edhe fillimin e mësimit në gjuhën shqipe në trevat shqiptare nën Perandorinë Osmane, e para shpalljes së pavarësisë së shtetit shqiptar.