Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Suspendohet një polic në Shqipëri pasi dyshohet se goditi me plumb gome në sy një protestues

policia

Polici i Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në Shqipëri inspektor A. K., është pezulluar nga detyra pas publikimit në media të pamjeve ku shfaqet duke tejkaluar kompetencat dhe duke mos respektuar parimin e proporcionalitetit gjatë protestës së zhvilluar të shtunën në Tiranë, ka njoftuar Policia e Shtetit.

Ky institucion ka njoftuar se ndaj tij ka nisur një hetim administrativ nga Drejtoria e Standardeve Profesionale, ndërsa Drejtori i Përgjithshëm i Policisë ka urdhëruar edhe nisjen e veprimeve përkatëse për hetimin e plotë të incidentit gjatë të cilit 28-vjeçari E. V. pësoi dëmtim në sy.

Për zbardhjen e këtij rasti kanë nisur hetimet edhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore dhe Prokuroria.

Sipas policisë, gjatë protestës së zhvilluar më 24 tetor, e cila zgjati deri në orët e mbrëmjes dhe u shtri në disa zona të Tiranës, policët u sulmuan për orë të tëra me gurë, vida, sfera metalike, shkopinj druri e metalikë, lëndë piroteknike, bomba Molotov dhe bombola gazi të lidhura me kapsolla.

“Si pasojë e sulmeve nga persona të maskuar dhe të dhunshëm, pesë punonjës policie mbetën të plagosur”, thuhet në njoftim.

Policia e Shtetit bën të ditur se, përpara protestës, kishte bërë thirrje për ruajtjen e qetësisë dhe shmangien e akteve të dhunës. Drejtori i Përgjithshëm u kishte kërkuar gjithashtu drejtuesve të shërbimeve dhe efektivëve në terren të tregoheshin të vetëpërmbajtur dhe të zbatonin parimin e proporcionalitetit në rastet e përballjes me akte dhune.

Edhe Sërish tensione në Tiranë: Fishekzjarrë nga protestuesit, gaz nga Policia Arbëri Sërish tensione në Tiranë: Fishekzjarrë nga protestuesit, gaz nga Policia

Në përfundim të reagimit, institucioni thekson se mbrojtja e jetës, shëndetit dhe sigurisë së qytetarëve është detyrim parësor dhe se çdo rast i dyshuar për tejkalim të detyrës do të hetohet me paanshmëri dhe profesionalizëm.

“Respektimi i ligjit, proporcionaliteti në përdorimin e forcës dhe përgjegjësia individuale janë parime të panegociueshme në ushtrimin e detyrës policore”, thuhet në reagimin e Policisë së Shtetit.

Lexo përditësimet tjera
protesta

Dita e trembëdhjetë e protestave në Tiranë