Arbëri

Bajrami: Rezultatet në PISA të jenë kambanë për çdo institucion, asnjë reagim nga Kurti

Hykmete Bajrami

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka thënë se nuk po e sheh që ndryshimet në fushën e arsimit janë prioritet për Qeverinë, pasi sipas saj, kanë kaluar dy ditë që kur janë publikuar rezultatet e testit ndërkombëtar PISA, ku Kosova tregoi rezultate të dobëta, dhe nuk ka pasur asnjë reagim nga ana e kryeministrit Albin Kurti.

Të enjten në “Interaktiv” të KTV-së, Bajrami ka thënë se heshtja nga ana e Qeverisë është shqetësuese, po aq sa reagimi i ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, e cila ka thënë se në rezultate ka ndikuar pandemia.

“Edhe në kohën kur unë isha ministre dhe e kishim kryeministër z.Kurtin, arsimi nuk ka qenë prioritet i Qeverisë, sepse arsimi nuk mjafton të jetë prioritet as i ministrit të Arsimit dhe as i drejtorëve të arsimit nëpër DKA, arsimi duhet të jetë prioritet kombëtar dhe besoj që rezultatet që u shfaqën para dy ditëve e që janë tepër shqetësuese, ku kemi përkeqësim duke u renditur në fund të listës, janë një kambanë që duhet t’i zgjojë të gjitha institucionet. Nëse kjo nuk bëhet prioritet dhe nuk po e shoh, sepse me vetë faktin që ka dy ditë që janë publikuar rezultatet dhe nuk ka asnjë reagim më të vogël nga ana e kryeministrit Kurti, është tepër shqetësuese, nga ana tjetër ministrja doli dhe fajin ja la pandemisë thuaj se pandemia ka ndodhur vetëm në Kosovë”, ka thënë ajo.

Ish-ministrja e Arsimit ka shtuar se bazuar në të dhënat që i posedon MASHTI, 33 për qind e shkollave dhe 73 për qind e paraleleve në Kosovë nuk i plotësojnë kushtet për mbajtjen e mësimit.

“Rreth 47 mijë nxënës në Kosovë e ndjekin mësimin në klasat të cilat nuk i plotësojnë kushtet ligjore”, ka theksuar ajo.

Ajo më tej ka akuzuar Qeverinë Kurti se viti shkollor nuk ka filluar me kohë që nga ardhja e saj në pushtet.

“Që tre vjet që kur Qeveria Kurti është në pushtet, viti shkollor nuk ka filluar në kohë. Kemi pasur që tri vjet që minimumi një muaj e kemi humbur”, ka thënë Bajrami.