12 perditesime
13:57

12 të arrestuar me dyshimet për ryshfet në subvencionet bujqësore, 400 mijë euro të sekuestruara

Dhjetë zyrtarë shtetërorë e dy civilë janë arrestuar të mërkurën në aksionin policor të zhvilluar në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë dhe në disa komuna lidhur me dyshimet për ryshfet në subvencionet bujqësore. Rreth 400 mijë euro janë sekuestruar në këtë aksion policor, ka njoftuar Prokurori i Shtetit.

Aksioni policor nisi në mëngjes, me disa të arrestuar fillimisht në AZHB në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë. Arrestime ka pasur edhe në disa komuna.

Bastisje ka pasur në të paktën 11 shtëpi të të dyshuarve, ndërsa KOHA ka raportuar edhe për dy çanta përplot para të gjetura në shtëpitë e tyre.

Ata dyshohen për veprat penale të marrjes e dhënies së ryshfetit dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare. Periudha e veprimtarive kriminale të pretenduara është në vitet 2020-2021.

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka paralajmëruar se aksioni do të vazhdojë në ditët në vijim.

13:49

Lumezi paralajmëron vazhdimin e aksionit në ditët e ardhshme

Kryeprokurori Aleksandër Lumezi ka thënë se nga muaji janar kanë filluar grumbullimi i informacioneve dhe provave tjera të nevojshme. Ai ka thënë se pas ndërmarrjes së masave të fshehta të vëzhgimit është dërguar urdhri për bastisje të disa lokaleve.

Lumezi ka thënë se në orët e mëngjesit bashkë me krimet ekonomike dhe korrupsionit është bërë bastisja.

“Gjatë këtyre veprimeve kemi sekuestruar shumë të mëdha të të hollave, vetura, kompjuterë e telefona. 12 janë të arrestuar, 10 janë zyrtarë dhe dy qytetarë që u kanë ndihmuar këtyre në forma të ndryshme. Ata akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, dhënie e marrje të ryshfetit”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se ky aksion do të zhvillohet edhe në ditët e ardhshme.

13:44

Dhjetë zyrtarë e dy civilë të arrestuar në aksionin e Policisë, u gjetën 400 mijë euro

Dhjetë zyrtarë shtetërorë e dy persona civilë janë arrestuar në aksionin e sotëm të Policisë që nisi në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë. Sipas të dhënave që ka siguruar KOHA, janë gjetur rreth 400 mijë euro në bastisjet e kryera. Janë sekuestruar tetë vetura.

12:45

11 të arrestuar në aksionin e Policisë, bastisen 11 shtëpi

11 persona janë arrestuar nga aksioni i Policisë që ka nisur të mërkurën në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë, e që ka vazhduar edhe në Istog, Lipjan e Gjilan.

Në Istog janë arrestuar dy persona, ndërsa në Lipjan e Gjilan nga një.

Siç ka mësuar KOHA, bastisje janë kryer në 11 shtëpi private. Të paktën dy çanta me plot para janë konfiskuar.

Dyshohen për veprat penale të marrjes së ryshfetit, dhënies së ryshfetit e keqpërdorim të detyrës zyrtare. Periudha e veprimtarive kriminale të pretenduar është mes viteve 2020-2021.

12:05

Çanta plot me para sekuestrohen në aksionin e Policisë

Image

Dy çanta të mbushura plot me kartëmonedha euroshe janë sekuestruar nga Policia e Kosovës në aksionin e nisur sot në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë.

Siç ka mësuar KOHA, paratë janë konfiskuar nga shtëpitë e disa prej të arrestuarve sot.

11:58

Policia vazhdon me aksion edhe në Gjilan e Podujevë

Pos Istogut e Lipjanit dhe zyrave të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë, aksioni i Policisë po vazhdon edhe në Gjilan e Podujevë.

Ramiz Ramadani, drejtor i Bujqësisë në Gjilan, ka thënë se nuk bëhet fjalë për drejtorinë e tyre, por për zyrat rajonale të Agjencisë për Zhvillim, në këtë komunë.

11:16

Dy zyrtarë të Komunës së Istogut shoqërohen në Polici

Është rritur numri i zyrtarëve të shoqëruar në Polici lidhur me aksionin e nisur sot në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë. Aksioni ka vazhduar edhe në Istog. Siç ka mësuar KOHA, dy zyrtarë të Drejtorisë së Bujqësisë në këtë komunë, K.Z. dhe H.M, tashmë janë shoqëruar në polici.

KOHA ka kontaktuar me kryetarin e komunës së Istogut, Haki Ruvoga, lidhur me aksionin e zhvilluar. Ai ka thënë se nuk i di arsyet e këtij arrestimi dhe se informatat duhet të merren në polici e prokurori.

Është konfiskuar edhe një makinë./Ilir Osmanaj

10:58

Kryhen arrestime edhe në Lipjan

Aksioni i Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës në orët e hershme të mëngjesit të sotëm është zhvilluar edhe në Lipjan. Burime të sigurta të KOHËS në Stacionin e Policisë në Lipjan kanë thënë se ka të arrestuar edhe në Lipjan por nuk dihet numri i tyre.

"Aksioni është zhvilluar edhe në Lipjan sikur në disa komuna të tjera ashtu edhe në nivelin qendror. Dyshohet se aksioni është zhvilluar për shkak të keqpërdorimeve me subvencione në sektorin e bujqësisë. Sipas informatave edhe në Lipjan ka të arrestuar por ende nuk dihet numri i tyre", ka thënë ky burim.

KOHA ka kontaktuar edhe me drejtorin e Bujqësisë në Komunën e Lipjanit Shefqet Amerllahu i cili ka thënë se nuk ka informacione nëse dikush është arrestuar.

"Policia ka pasur një aksion edhe në komunën tonë por, zyrtarët e drejtorisë së Bujqësisë janë në punë, ndërkaq për arrestime në sektorë të tjerë nuk kam informacione", ka thënë Amerllahu.

Policia e Kosovës sot në mëngjes ka ndërmarrë një aksion duke arrestuar disa zyrtarë në Agjencinë për Zhvillim të Bujqësisë.

Të arrestuarit dyshohet se kanë marrë në vazhdimësi ryshfet për ndarjen e subvencioneve./Agim Ademi

10:11

Aksion i Policisë edhe në Istog e Lipjan, priten arrestime tjera

Aksioni i nisur nga Policia e Kosovës në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë është duke u zhvilluar edhe në Istog e Lipjan, ka mësuar KOHA. Disa zyrtarë të AZHB-së janë arrestuar deri tash, përfshirë kreun e saj.

Siç ka mësuar KOHA, tash pritet arrestimi edhe i zyrtarëve komunalë.

10:01

Disa të arrestuar në AZHB, përfshirë kreun e saj

Katër zyrtarë të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë janë arrestuar nga Policia e Kosovës. Në Polici është shoqëruar edhe kreu i kësaj agjencie, Agim Nuha. 

Momenti i arrestimit të zyrtarëve të AZHB-së

09:42

Pritet arrestimi i tetë zyrtarëve të AZHB-së

Tetë zyrtarë të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë pritet të arrestohen në aksionin e Policisë. Ata mësohet se janë në pozita të ndryshme në kuadër të AZHB-së.

Dyshimet janë për marrje ryshfeti.

Zyrtarë policorë tashmë kanë nxjerrë nga objekti një thes me dokumente.

09:36

Priten arrestime në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë, dyshohet për marrje ryshfeti

Marrje ryshfeti në vazhdimësi për ndarje të subvencioneve kanë qenë dyshimet që kanë çuar në aksionin policor në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, ka mësuar KOHA.

Pritet arrestimi i një numri të madh të zyrtarëve.

09:19

Aksion policor në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë

Policia e Kosovës është duke zhvilluar një aksion në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë. Forca policore janë parë në hyrje të objektit, ndërsa ende s’janë bërë të ditura detajet.

Ndërkaq aksionin e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani. Ai ka thënë se detajet do të jepen pas aksionit.

“Mund të konfirmojmë se, Policia e Kosovës është duke e realizuar një operacion policor në disa lokacione, në rajone të ndryshme. Informacione shtesë mund të jepen pas përfundimit të operacionit policor”, ka thënë ai.