Policia ka nisur dy aksione gjatë mëngjesit të së mërkurës në dy rajone të ndryshme të Kosovës.

Zëdhënësi Baki Kelani ka konfirmuar se këto operacione po realizohen mbi dyshimet për përfshirje në veprimtari të ndryshme kriminale të personave të dyshuar.

"Policia e Kosovës me njësitë e saja relevante, me autorizim të prokurorisë kompetente është duke i realizuar dy operacione policore, të cilat përfshijnë disa lokacione në dy rajone të ndara. Operacionet policore janë duke u realizuar mbi dyshimet për përfshirje në veprimtari të ndryshme kriminale të personave të dyshuar", tha Kelani.

Ai nuk ka dhënë detaje të tjera lidhur me këto aksione, teksa ka bërë të ditur se detajet do të bëhen publike pas përfundimit dhe kompletimit të veprimeve policore.

Shtatë të arrestuar në aksionin kundër krimit të organizuar dhe drogës në Prishtinë e Pejë

1 muaj më parë / 24 sht 2025 15:12
Aksioni i Policisë

Të paktën shtatë persona janë arrestuar në operacionin policor të sotëm në 25 lokacione të ndryshme të Prishtinës dhe Pejës.

Ky aksion i koduar me emrin “Qielli i Thyer”, ka rezultuar me arrestim të të dyshuarve për “pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal”, “blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve”, si dhe për “pastrim të parave”.

“Të pandehurit, dyshohet se kanë përdorur aplikacionin e njohur për komunikim të enkriptuar “SkyECC” për të organizuar aktivitetet e tyre kriminale”, thuhet në njoftim.

Operacioni thuhet se është mbështetur nga një bashkëpunim i ngushtë ndërkombëtar, përmes shkëmbimit të të dhënave me autoritetet belge, franceze, holandeze dhe agjencinë evropiane EUROPOL, duke siguruar koordinim të plotë ndërkufitar. 

Më tej bëhet e ditur se gjatë realizimit të urdhërkontrollit në këto lokacione është gjetur dhe sekuestruar sasi e konsiderueshme e provave materiale, dhe pasurive të specifikuara duke përfshirë: 638 gramë substancë narkotike e dyshuar si kokainë; një peshore për matjen e lëndëve narkotike; 11,065 euro para të gatshme; 34 automjete; shtatë armë zjarri; dokumente personale me identitet të rremë; pajisje elektronike; dokumentacion i ndryshëm pronësor dhe financiar. 

Operacioni policor - dyshohet për trafikim droge, krim të organizuar dhe pastrim parash

1 muaj më parë / 24 sht 2025 11:18
policia

Operacioni policor gjatë mëngjesit të së mërkurës në disa lokacione, lidhet me dyshimet për trafikim me substanca narkotike dhe vepra tjera penale si: pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar; blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve; si dhe pastrimi i parave.

Kështu është bërë e ditur nga Prokuroria Speciale, nën udhëheqjen e së cilës po zhvillohet operacioni në disa zona të vendit.

“Nën udhëheqjen e Prokurorisë Speciale, bazuar në urdhrin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Policia e Kosovës po zhvillon një operacion në disa lokacione. Operacioni lidhet me dyshimet për trafikim me substanca narkotike dhe veprat penale: pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar; blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve; si dhe pastrimi i parave”, thuhet në njoftim. 

Nuk janë dhënë detaje lidhur me rezultatet e këtij operacioni.