Arbëri

Gjendje e qetë pas vërshimeve në Kosovë

Descriptive Text

Pas dy ditë të reshjeve të dendura në Kosovë që shkaktuan vërshime në disa komuna e bllokim të rrugëve, të shtunën gjendja është qetësuar.

Zëdhënësi në Agjencinë e Menaxhimit Emergjent, Nehat Koqinaj, për KOHËN ka thënë se situata në komunat e prekura nga vërshimet ashtu si edhe ajo me lumenjtë është në përmirësim e sipër.

“Gjendja sipas raporteve të fundit është në qetësim e sipër, sepse të reshurat kanë pushuar pjesërisht dhe niveli në përroskat apo ujëmbledhësit në të cilët kanë shkaktuar probleme, është në rënie. Sidomos në rajonin e Prizrenit, Gjakovë, Rahovec, Suharekë e Malishevë, është në qetësim dhe përmirësim e sipër”, tha ai.

Ai thotë se përveç evakuimit të disa banorëve të Gjakovës mbrëmjen e të premtes, të tjera evakuime nuk ka pasur.

“Evakuime në vendbanime të tjera nuk ka pasur përveç Gjakovës. Në situata të tilla e para që ndërmerret prej komunave kompetente është të evakuojnë njerëzit. Rasti i evakuimit të banorëve në Gjakovë ka qenë dhe njëherë nuk kemi raste të tjera ku ka nevojë të evakuimit” tha ai.

Instituti Hidrometeorologjik dje kishte njoftuar se të shtunën pritet që në të gjithë lumenjtë pritet të arrihet maksimumi i niveleve dhe prurjeve. Ndërsa, kishte vlerësuar se gjendje më e rënduar sa i përket vërshimeve, është në Rrafshin e Dukagjinit.

Koqinaj thotë se ka rënie të niveleve të lumenjve dhe është gjendje më mirë se që pritej.

“Vende-vende e ka arritë masën kritike, por në shumicën e tyre kanë rënë, sidomos Drini i Bardhë në dy pika matëse që përcillet çdo katër orë”, tha ai për KOHËN, derisa në faqen e Facebookut, fshati Gjonaj ka publikuar një video të Drinit ku shihet se është mbi nivelin normal.

 

Drini i Bardhë në Gjonaj, pas reshjeve të fundit!

Posted by Fshati Gjonaj - Has on Saturday, January 9, 2021

Ndërkohë, të premten komunat kanë dërguar ekipet në ndihmë të qytetarëve dhe sanimin e dëmeve.

Komuna e Malishevës ka njoftuar se situata është qetësuar, por një urë në rrugën Mirushë-Gurbardh është mbuluar nga uji. Sipas komunës, kjo rrugë është bërë e pakalueshme por që nuk paraqet problem për qarkullimin e qytetarëve meqë mund të shfrytëzohen rrugë të tjera për kalim.

KOHA sot ka qëndruar atje, ku ka parë nga afër gjendjen në këtë komunë. Rruga është rrethuar me shirita për të ndaluar futjen e mëtejme të qytetarëve.

Image
E rruga në fshatin Brod të Shtërpcës e cila të premten mbrëma kishte bllokuar rreth 30 familje si pasojë e rrëshqitjes së dheut, pas disa orë punë është liruar, por që sot ka pasur sërish rrëshqitje.

Banori i këtij fshati, Rifat Rrustemi, i ka thënë KOHËS se “njëri shirit i rrugës është në funksion” derisa bën të ditur se rruga është e kalueshme por më vështirësi për shkak të shembjes së dheut për herë të dytë.

Ndërkaq, komuna e Shtimes dhe Drenasit përmes Facebookut kanë njoftuar se operatorët ekonomikë po intervenojnë nëpër rrugë dhe se të gjitha janë të kalueshme.

Gjatë mbrëmjes së kaluar, edhe Forca e Sigurisë së Kosovës u ka dalë në ndihmë qytetarëve. Në një njoftim thuhet se FSK-ja “ka realizuar operacionet e kërkim-shpëtimit në disa lokacione kur është rrezikuar jeta e qytetarëve”. Qytetarët e ngujuar në shtëpitë tyre, sipas këtij njoftimi, kanë arritur të evakuohen.

 

Forca e Sigurisë së Kosovës në ndihmë qytetarëve pas vërshimeve në disa vende në Kosovë. Pas gjendjes së krijuar me...

Posted by Shtabi i Përgjithshëm i FSK-së on Saturday, January 9, 2021