5 perditesime
14:15

Miratohet Ligji i rimëkëmbjes dhe i diskriminimit të një pjese të qytetarëve

Më në fund Kosova është bërë me Ligj të rimëkëmbjes ekonomike e që po konsiderohet edhe diskriminues. Të premten, 72 deputetë votuan pro në shqyrtimin e dytë të ligjit që ishte iniciuar para gjashtë muajsh. Pos votave të partive në pushtet, pro këtij ligji votuan deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës.

Për votim në lexim të parë, ky ligj u votua vetëm në tentimin e shtatë. Atëkohë, votat i kishin dhënë edhe disa deputetë të LDK-së, që kishin thënë se nuk do ta votojnë në lexim të dytë nëse nuk plotësohet.

Dhe pa ta, Qeveria nuk i kishte votat deri tash kur mori përkrahjen e PDK-së, duke pranuar edhe kushtet e saj. E një prej kushteve të PDK-së që u fut si amendament në ligj, është edhe ajo që personat që tërheqin 10-përqindëshin e kursimeve nga Trusti e që kanë të kursyera më pak se 10 mijë euro gjithsej, të rimbursohen nga Qeveria në një fazë të mëvonshme.

Ata që kanë më shumë se 10 mijë nuk do të rimbursohen, madje do të kontribuojnë edhe që të rimbursohet grupi tjetër, meqë paratë do të dalin nga buxheti, ku kontribuojnë të gjithë.

Fillimisht kishte dalë si propozim që të gjithë të rimbursohen, por ministrja Hykmete Bajrami, kishte thënë se kjo shkakton pabarazi sociale dhe se është shkelje kushtetuese.

Hykmete Bajrami – 23 shtator 2020

E këtë amendament të propozuar nga PDK-ja, kryeministri Avdullah Hoti e cilësoi “pasurim” të pakos së rimëkëmbjes.

Amendamentet tjera të PDK-së të përfshira në këtë ligj është edhe: Pakoja për bizneset të jetë 200 milionë euro; Pagesa për punëtorët që e kanë humbur vendin e punës me nga 300 euro; Heqja e TVSh-së për lëndën e parë.

Projektligji është me kohëzgjatje deri në fund të vitit 2021.

Pos pikës së shumëpërfolur për tërheqjen nga Trusti, Projektligji parasheh ndryshime në TVSH e tatime në të ardhura për korporata. Pika kryesore e këtij projektligji konsiderohet ndryshimi i Ligjit për Themelimin e Fondit Kosovar për Garanci Kreditore, ku synohet krijimi i kompetencave për FKGK-në që të plasohen skema dhe produkte të reja në treg, të rritet përqindja e mbulesës deri në 80 për qind për garancitë kreditore (aktualisht mbulon deri 50 për qind), të lëshojë garanci kreditore për zhvillimin e biznesit për fermerët e regjistruar në mënyrë të rregullt në regjistrin e fermerëve që mirëmbahet nga ministria përgjegjëse për bujqësi dhe të pajisur me numër identifikues të fermës, edhe në rastet kur fermeri përkatës nuk ka të regjistruar shoqëri tregtare në ARBK, si dhe në rast nevoje, Qeveria e Kosovës autorizohet të mbulojë tarifat për shërbimet e FKGK-së ndaj institucioneve financiare.

14:01

Dështon propozimi që qytetarët të tërheqin më shumë se 10 për qind nga Trusti

Nuk ka marrë miratimin amendamenti i propozuar nga deputeti i Partisë Demokratike e Kosovës, Bekim Haxhiu, që qytetarët të kenë të drejtë të tërheqin më shumë se 10 për qind nga mjetet e Trustit.

Sipas propozimit të tij, qytetarëve që kanë më pak se 10 mijë euro në Trust do të mund të tërhiqnin deri në 30 për qind të kursimeve pensionale.

Ai po ashtu propozoi që personat që kanë nga 10 mijë deri 20 mijë euro në Trust të mund të tërhiqnin deri 25 për qind të mjeteve të kursyera. Ata që kishin më shumë e 20 mijë e deri 30 mijë, do të mund të tërhiqnin 20 për qind, ndërsa në kategorinë tjetër kishte përfshirë personat që kishin nga 30 mijë deri 40 mijë euro në Trust e për të cilët kishte propozuar të mund të tërheqin 15 për qind të kursimeve. Për kategorinë e fundit, ata me më shumë se 40 mijë euro në Trust, Haxhiu propozoi që t’u jepet e drejta të tërheqin deri në 10 për qind të kursimeve pensionale.

Deputetët në vend të këtij propozimi dolën pro atij që të mundësohet tërheqja deri në 10 për qind e mjeteve të trustit, ndërsa ata që kanë deri 10 mijë euro në Trust do të rimbursohen më vonë nga shteti.

12:21

Hoti: Idetë e PDK-së kanë pasuruar Projektligjin për rimëkëmbje

Katër amendamentet e propozuara nga Partia Demokratike e Kosovës për Projektligjin për rimëkëmbje ekonomike, kryeministri Avdullah Hoti i ka cilësuar si pasurim të projektligjit.

Në shpjegimin para deputetëve në seancën ku po diskutohet për këtë projektligj, Hoti ka thënë se me amendamentet e PDK-së shtohet kostoja për buxhetin. Megjithatë, sipas tij, ky është momenti kyç për t’u dalë në ndihmë bizneseve.

“Dua t’i falënderoj publikisht deputetët e PDK-së. Besoj se këto katër amendamente e kanë pasuruar pakon. Do të jetë kosto më e madhe për buxhetin, por është momenti i vetëm kur shteti duhet t’u dalë në ndihmë bizneseve”, ka thënë ai.

Amendamenti më i përfolur i propozuar nga PDK-ja është rimbursimi i 10 përqindëshit që qytetarët mund të tërheqin nga Trusti pensional. Do të rimbursohen vetëm ata që kanë deri në 10 mijë euro në Trust.

Pikat tjera të propozuara nga PDK-ja janë: Pako për bizneset të jetë 200 milionë euro; Pagesa për punëtorët që e kanë humbur vendin e punës me nga 300 euro; Heqja e TVSh-së për lëndën e parë.

12:04

Aliu: Pakoja e Qeverisë Hoti s’ka plan konkret të zbatimit

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu, ka hedhur kritika ndaj Pakos së rimëkëmbjes ekonomike të iniciuar nga Qeveria Hoti, e cila pritet të votohet gjatë së premtes.

Aliu në Kuvendin e Kosovës ka deklaruar se Pakoja e Qeverisë Hoti është e pa specifikuar dhe nuk ka plan konkret në zbatimin.

“Cila është iniciativa, nga PDK-ja apo LDK-ja, s'ka rëndësi sepse është brumi i njëjtë. Është një fond ku nuk specifikohet asgjë, ku Qeveria do ta ketë në dorë të vendos ad hoc kujt do ia jap paratë”, ka thënë Aliu.

Deputeti i VV-së ka përmendur edhe kohën e qeverisjes së Albin Kurtit, ku ka përmendur planin e VV-së për pakon. 

“Pati edhe plan për propozimin e rimëkëmbjes e cila ishte mjaft e specifikuar dhe e qartë. Keni kohë edhe pak, shfrytëzojeni, i keni edhe disa miliona që kanë mbetur, se si ka me qenë rezultati i kësaj Pakoje, shumë shpejt do ta kuptojmë të gjithë”, ka thënë ndër të tjera ai.

11:35

Nis seanca për Pakon e rimëkëmbjes

Seanca e jashtëzakonshme ku pritet të votohet Projektligji i rimëkëmbjes ekonomike në lexim të dytë, ka nisur me 30 minuta vonesë.

Projektligji për rimëkëmbje ekonomike ka kaluar në lexim të parë në tentimin e shtatë, ndërkohë që për votim në lexim të dytë, Qeveria ka marrë edhe përkrahjen e PDK-së, duke pranuar kushtet e saj.

Ndër kushtet e PDK-së është që personat që tërheqin 10-përqindëshin nga Trusti e që kanë më pak se 10 mijë euro të mbledhura gjithsej, të rimbursohen në një fazë të mëvonshme nga Qeveria.

Ky propozim është kritikuar, meqë është vlerësuar si pabarazi sociale.

08:04

Sot seancë e jashtëzakonshme për Pakon e rimëkëmbjes ekonomike

Sot, e premte, me fillim prej orës 11:00 do të mbahet seancë e jashtëzakonshme për shqyrtimin në lexim të dytë të Projektligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike.

Kjo, me kërkesë të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, sot në Kuvendin e Kosovës do të mbahet seanca e jashtëzakonshme. Kërkesën për mbajtjen e kësaj seance e kanë nënshkruar deputetët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së. Në projektligj janë përfshirë edhe katër amendamentet e propozuara nga PDK-ja.

“Pako për bizneset të jetë 200 milionë euro; Pagesa për punëtorët që e kanë humbur vendin e punës me nga 300 euro; Heqja e TVSh-së për lëndën e parë dhe rimbursimi i mjeteve për 10% nga Trustit për ata që kanë deri në 10 mijë euro”, janë kushtet e propozuara nga PDK-ja.

Ky projektligj u miratua në lexim të parë më 12 tetor, pas gjashtë dështimeve, me 64 vota pro.