Sot është shënuar 24-vjetori i protestave të Lëvizjes Studentore të vitit 1997. Lëvizja Studentore atëbotë organizoi protestat për të kundërshtuar pushtimin e Kosovës nga Serbia dhe për të kërkuar kthimin e studentëve në objektet universitare, nga ku studentët ishin dëbuar nga regjimi i Slobodan Milosheviqit, në fillim të viteve të 90-ta.
Pos masave të dhunshëm që regjimi kishte vendosur vite më parë në universitet, dëboi studentë e profesorë nga universiteti dhe imponoi plan-programin serb për mësim.
Këto protesta konsiderohen si një ndër aktet më të rëndësishme të asaj kohe. Për të shpërndarë protestën paqësore, policia serbe përdori dhunë ndaj studentëve dhe profesorëve.
Sot, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim bashkorganizatorët e protestës që bëri kthesë politike në Kosovë dhe bëri jehonë të madhe ndërkombëtare.
Në takim ishin edhe familjarë të profesorit të ndjerë Ejup Statovci, profesoresha Drita Halimi Statovci dhe Anila Statovci.
Para takimit kryeministri Kurti vuri lule të freskëta te varri i profesorit Statovci, i cili së bashku me studentët organizatorë ishte në ballë të protestës masive, që për kërkesë kryesore kishte lirimin e pakusht të hapësirave universitare të uzurpuara nga regjimi serb.
"Çdo 1 tetor kujtojmë marshimin në protestat e 1997-s të mijëra studentëve të veshur në të bardha, që me vullnet për liri e dëshirë për dije kërkonin lirimin e ndërtesave dhe hapësirës universitare nga regjimi i atëhershëm serb dhe përkujtojmë intelektualin që na priu profesor Ejup Statovci", tha kryeministri Kurti.
Edhe
Kurti: Protesta e 1 Tetorit theu mitin e "policit serb" dhe i parapriu luftës çlirimtare
Ai tha se më 1 tetor të vitit 1997 u thye një heshtje dhe frikë e gjatë dhe popullit nisi t’i rikthehej dinjiteti.
Sipas një komunikate të Qeverisë, u rikujtuan ditët parapërgatitore të protestave, rreziqet dhe kushtet e vështira të veprimit, si edhe zemërgjerësia e njerëzve guximtarë që dëshirës së madhe të studentëve për dije iu mundësuan vijimin e mësimeve në shkollat-shtëpi.
Në takim ishin prorektori i atëhershëm i Universitetit të Prishtinës, profesori Ahmet Geca, drejtuesit e Lëvizjes studentore ministri Xhelal Sveçla, zëvendësministri Hysen Durmishi, Bujar Dugolli, Fatban Bunjaku, Jeton Rexha, Lulëzon Jagxhiu, Mihane Salihu, Mentor Bogaj, Milot Cakaj dhe Veton Demaj.