Janë bërë 26 vjet nga protesta e Lëvizjes Studentore kundër masave represive të regjimit të asaj kohe. Këtë datë e përkujtoi kryeministri Albin Kurti, i cili ishte edhe njëri nga liderët studentorë. U konsiderua si një moment i rëndësishëm i historisë së Kosovës
Më 1 tetor të vitit 1997, Lëvizja Studentore organizoi protestën që kundërshtonte masat shtypëse të regjimit të Milosheviqit dhe kërkonin lirimin e hapësirave universitare edhe për studentët shqiptarë.
Kryeministri Albin Kurti, asokohe njëri nga organizatorët e prijësit e kësaj proteste, e përkujtoi këtë ngjarje duke bërë homazhe te varri i rektorit të Universitetit të Prishtinës në atë kohë Ejup Statovci.
“Erdhëm këtu te varri i profesor Ejup Statovcit, rektorit të Universitetit të Prishtinës, i cili ishte rektor për gjashtë vjet të jashtëzakonshëm, kur edhe Universiteti i Prishtinës u ringjall, ndonëse nën okupim, dhe u bë institucioni i cili udhëhiqte rezistencën e atëhershme. E sot e kemi 26-vjetorin e asaj proteste, demonstrate historike të studentëve që i kanë aq shumë borxh profesor Ejupit”, ka thënë Kurti.
E profesoresha universitare, Remzie Shahini-Hoxhaj, ka theksuar se përgatitjet për mbajtjen e protestës së 1 tetorit kanë zgjatur me muaj të tërë.
Ajo ngjarjen e konsideroi si të rëndësishme në krijimin e bindjes që shqiptarët mund t’i dalin ballë atij regjimi.
“Besoj që kjo protesta e vitit 1997 ka qenë protesta e cila e ka bërë ndarjen në mes të pushtimit dhe fillimit të një epoke të re. Deri në atë moment, ne kemi qenë të bindur që nuk mund ta rezistojmë një shtet si Serbia, për shkak të fuqisë policore e ushtarake që ka pasur. Besoj që kjo protestë na ka dhënë guximin që ne të fillojmë të mendojmë ndryshe”, ka thënë Shahini-Hoxhaj.
Këto protesta konsiderohen si një ndër aktet më të rëndësishme të asaj kohe. Për të shpërndarë protestën paqësore, policia serbe përdori dhunë ndaj studentëve dhe profesorëve.
Gazeta “Koha Ditore” në atë kohë në ballinën e saj pati nxjerrë titullin “Studentët mbajtën fjalën”.